Industria fitimprurëse e Islamofobisë (pj.2)

Pas narrativës islamofobe të mediave dhe liderëve aktivistë të grupeve raciste fshihet një industri e madhe, e cila shpenzon me miliona dollarë në vit për të ushqyer idenë e një Islami të dhunshem, e për rrjedhojë edhe të muslimaneve si terroristë të mundshëm, të cilët meritojnë të mbikqyren/monitorohen nga autoritet dhe të kenë një trajtim diskriminues vetëm për faktin e të qenit muslimanë.

Kjo është pjesa e dytë e intervistës së Fair Observer me Nathan Lean rreth arsyes pse po rritet sIslamofobia në perëndim dhe si po zmadhohet frika ndaj muslimanëve nga mediat e korporatave.

Ziabari: Numri i muslimanëve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara po rritet në mënyrë të shpejtë. Shumë prej tyre kanë ikur nga vendet në zhvillim ose vendet e pazhvilluar për në perëndim në kërkim të një jete më të mirë dhe të paqtë. Sidoqoftë, shpeshherë jeta e tyre e përditshme po bëhet gjithnjë e më e vështirë si pasojë e kufizimit të lirive të tyre shoqërore dhe qytetare. A nuk janë përgjegjëse qeveritë perëndimore për mirëqënien e minoritetit musliman?

Lean: Qeveritë europiane dhe ajo amerikane e kanë për detyrë të mbështesin të drejtat e të gjithë atyre që i konsiderojnë këto vende shtëpinë e tyre. Edhe pse, tek e fundit qeveritë janë shpeshherë institucione të papërgjegjshme dhe patetike. Drejtuesit e tyre bëjnë fushatë duke u bazuar të vlerat, por qeverisin mbi bazen e interesave të veçanta. Një kongresmen nga thellësia e jugut të Amerikës do të kishte pak interes të mbështeste politika që do të lehtësonin ndërtimin e xhamive apo do të zbusnin diskriminimin fetare ndaj muslimanëve në vendet e punës. E njëjta gjë vlen edhe për shumë vende në Europë: një politikan austriak apo belg do t’i përshtatej dëshirave të grupit që e zgjedh.

Kjo gjendje e sëmurë e politikës së brendshme është e ndikuar fort nga ngjarjet e politikës së jashtme – ngjarje të nxehta të dhunshme si prerja e kokave nga ISIS-i – të cilat nxisin zemërin në vend duke fortifikuar nacionalizmin dhe identitetin e përbashkët. Në Europë ashtu si në Shtetet e Bashkuara, kjo do të thotë bashkim i grupeve racore dhe fetare ku mbizotërojnë interesat e shumicës (jo muslimane) mbi pakicën (muslimane).

Ziabari: Statistikat tregojnë se nga të gjitha sulmet terroriste të kryera në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, vetëm një pjesë (shumë) e vogël e tyre janë kryer nga muslimanët. Për shembull, një raport i Europolit ka treguar se në vitin 2010, nga 249 sulme terroriste të kryera në territorin europian, vetëm 3 prej tyre ishin bërë nga muslimanët. Ndërkohë që një numër i madh politikanësh, forca të rendit dhe media janë të prirur të flasin pa pushim rreth kërcënimit të fondamentalizmit dhe terrorizmit islamik.  Cili është qendrimi juaj në lidhje me këtë? 

SEAN HANNITY / WIKI COMMONS

SEAN HANNITY / WIKI COMMONS

 

Lean: Është e vërtetë. Sulmet terroriste të kryera nga muslmanët në Europë janë relativisht të vogla krahasuar me ato të grupeve të tjera. Kjo vlen edhe për Shtetet e Bashkuara. Universiteti i Kalifornisë dhe Qendra e Trekëndëshit mbi Terrorizmin dhe Sigurinë Kombëtare publikoi në vitin 2014 një raport, ku tregohet se që nga sulmet e 11 Shtatorit, muslimanët e lidhur me terrorizmin kanë vrarë vetëm 37 vetë në Shtetet e Bashkuara. Afërsisht 200 mijë vetë janë vrarë nga dhuna me armë në të njëjtën periudhë.

Megjithatë, problemi është se për shumë amerikanë dhe europianë, muslimanët shihen si të huaj. “Ata” janë nga përtej kufinjve “tanë”. Si rrjedhojë, nuk janë rastet e terrorizmit në vend ku ne fokusohemi më shumë, por rastet e terrorizmit jashtë vendit: grupe si ISIS-i, Boko HaramTalebanëtAl-Kaeda etj. Këto grupe vrasin shumë njerëz. Pamjet që qarkullojnë në mediat e mëdha nuk janë të balancuara me pamjet e muslimanëve jo të dhunshëm. Kjo rezulton në një pamje të deformuar të realitetit dhe të rrezikut real që vjen nga këto grupe. Kjo pjesërisht edhe për shkak të politikave vendore që nisen nga premisa të rreme sipas të cilave terrorizmi në vend, i udhëhequr nga muslimanët, është kërcënimi më i madh.

Ziabari: Po, siç e thatë edhe ju, ngritja e grupit terrorist të ISIS-it ka kontribuar shumë në rritjen e sjelljeve anti-muslimane në të gjithë botën, duke i bërë ata që besojnë se ISIS-i është përfaqësuesi i muslimanëve më dyshues rreth natyres paqësore të Islamit. Si mund të binden këta skeptikë se ISIS-i nuk ka lidhje fare me Islamin dhe se të shumica e dijetarëve muslimanë, suni dhe shiitë, i kanë denoncuar krimet e tij, vrasjet e turpshme të fëmijëve, grave dhe njerëzve të pafajshëm?

Lean: Çfarë do t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se ISIS-i nuk ka të bëjë fare me Islamin normativ që praktikohet nga shumica e 1.6 miliard muslimanëve në botë? Vetëm një gjë: Koha!

Këto lloj paragjykimesh është e vështirë të largohen. Megjithatë, për fat të mirë, sot muslimanët kanë më shumë mjetet në dispozicion të tyre për të reaguar kundër paragjykimeve dhe dezinformimit të vazhdueshëm. Ndërkohë që interneti është bërë një mjedis mbarështimi për Islamofobinë, ai po bëhet gjithashtu një mjet që ofron mundësinë e shprehjes së pikëpamjeve të ndryshme. Edhe kultura popullore po luan një rol të madh gjithashtu. Gjerësisht komedianë dhe aktorë të njohur – shumë prej tyre jo muslimanë – po përdorin platformat e tyre për të folur kundër keqinformimit që ka në shënjestër muslimanët. Dhe ndërkohë që zërat muslimanë bëhen gjithnjë e më shumë të qendërsuar në kulturën popullore dhe në lajme – filma, televizione, radio etj. – amerikanët dhe europianët do të fillojnë të mësohen me idenë se grupe si ISIS-i janë thjeshtë devijime.

Vazhdon…

Observer.al

Artikulli paraprakIndustria fitimprurëse e Islamofobisë (pj.1)
Artikulli vijuesTërmeti në Nepal nxjerr në shesh skandalin e homoseksualëve izraelitë