NAFTA DHE POLITIKA

Pothuajse të gjithë e dinë sa të rëndësishëm janë burime si nafta dhe gazi natyror. Ndërsa gjatë shekullit të kaluar pamë në shumë shembuj se burimet energjetike nuk mbartin rëndësi kritike vetëm për industrializimin dhe jetën e njeriut, por edhe nga këndvështrimi politik. Tashmë është një e vërtetë shkencore se burimet natyrore kanë luajtur një rol me peshë maksimale në përcaktimin e kufijve të shteteve apo krijimin e shteteve të reja, veçanërisht në Lindje të Mesme. Edhe pse ndërkohë ka kaluar më shumë se një qindvjeçar, ndikimi i burimeve energjetike në politikë vijon ende sot e kësaj dite.

Si shembull për këtë mund të paraqesim tri zhvillime konkrete të javës së kaluar përreth Turqisë, të cilat sërish tregojnë qartë se sa të ngushta janë lidhjet ndërmjet naftës dhe politikës. I pari prej tyre është afrimi SHBA-Iran, ose zbutja e embargos bërthamore; zhvillimi i dyti është kriza e brendshme në Ukrainë; ndërsa i treti është marrëveshja e naftës mes Turqisë dhe Qeverisjes Rajonale Kurde në veri të Irakut, por edhe zhvillimet e përjetuara pas saj. Nëse këto tri zhvillime shikohen nga një aspekt i përgjithshëm, do të vërehet qartë dhe konkretisht se politikat ndërkombëtare trajtësohen ende në kuadër të burimeve energjetike. Megjithatë duhet pranuar se çdo zhvillim ka padyshim edhe një veçori tipike.

Çdonjëra prej ngjarjeve të lartpërmendura ka në vetvete një lidhje apo marrëdhënie të veçantë naftë-politikë. E para ka në thelbin e saj “marrëdhënien naftë-paqe ndërkombëtare”. Sepse akordi bërthamor ndërmjet Iranit dhe grupit P5+1 të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka potencial t’i japë fund një konflikti rajonal dhe global. Edhe pse synimi themelor i kësaj marrëveshjeje është zgjidhja e problemit nuklear, prania e burimeve të bollshme të naftës dhe gazit natyror në Iran është të paktën po aq efektive sa vet zgjidhja e problemit. Sepse sanksionet e rënda, që i zbatoheshin Iranit për shkak të programit të shumëpërfolur bërthamor të këtij vendi, jo vetëm që kufizonin eksportin e naftës dhe gazit natyror të Teheranit, por njëherësh i pengonin vendet perëndimore që të përfitonin nga burimet energjetike iraniane. Për pasojë, ndërkohë që Teherani pësonte dëme dhe vështirësi të mëdha ekonomike për shkak se nuk eksportonte dot hidrokarbure, vendet e tjera detyroheshin të importonin naftë dhe gaz natyror me kosto të larta. Tendenca e rënies me shpejtësi të çmimeve të naftës, që doli në pah menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së përkohshme bërthamore në Gjenevë, është një provë kuptimplotë nga pikëpamja e theksimit të kësaj marrëdhënieje. Në rast se akordi në fjalë zbatohet me sukses, ka shumë mundësi që bashkëpunimi midis Iranit dhe vendeve perëndimore të rritet ndjeshëm dhe në Lindje të Mesme të vendoset paqja. Duke u nisur nga ky shembull, mund të parashtrojmë mendimin se nafta dhe gazi natyror, ashtu si bëhen shkak konfliktesh dhe luftërash të armatosura ndërmjet shteteve të ndryshme, ashtu edhe mund t’i shërbejnë paqes e mirëqenies.

Nafta dhe politika mund të bëhen qoftë burim i luftës dhe paqes në arenën ndërkombëtare, qoftë edhe i stabiliteti apo kaosit kombëtar. Një shembull interesant mbi këtë çështje po vërehet në Ukrainë, që siç e thamë përbën pikën e dytë të tri zhvillimeve konkrete përreth Turqisë. Esenca e problemit që vijon në Ukrainë, pra konflikti ndërmjet Presidentit Viktor Janukoviç dhe grupeve opozitare në këtë vend, në të vërtetë është gazi natyror. Me pak fjalë, pas ndrojtjes së Janukoviçit për të firmosur marrëveshjen e stabilizim-asociimit (MSA) Ukrainë-Bashkimi Evropian qëndron presioni i Rusisë për mosfurnizim me gaz natyror. Ukraina është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus dhe ditët e vështira, që ky vend ka përjetuar vitet e shkuara për shkak të mbylljes së rubinetit të gazit nga Moska, janë ende të freskëta në kujtesën tonë, aq më tepër të qeverisë dhe popullit ukrainas. Janukoviçi dhe përkrahësit e tij kërkojnë vazhdimësinë e bashkëpunimit Kiev-Moskë, ndërsa opozitarët e udhëhequr nga ish-kryeministrja e burgosur Julia Timoshenko mbrojnë idenë se e ardhmja e Ukrainës është në BE dhe se duhet nënshkruar patjetër MSA-ja. E parë nga ky prizëm, mund të thuhet fare lehtë se aktualisht Ukraina është bllokuar në “dilemën naftë-demokraci”. Ky shembull shpalos qartë se çfarë efektesh mund të ketë fuqia e hidrokarbureve të një shteti mbi politikën e brendshme dhe atë të jashtme të një shteti tjetër.

Si shembull të tretë dhe të fundit, për të treguar ndikimin e burimeve energjetike mbi kufijtë ndërkombëtarë dhe shtrirjen e kompetencave të sovranitetit, mund të japim marrëdhëniet Turqi-Irak. Një nga arsyet e tensionimit ndërmjet këtyre dy vendeve është marrëveshja e naftës mes Turqisë dhe Qeverisjes Rajonale Kurse në veri të Irakut. Marrëveshja në fjalë u arrit gjatë vizitës së muajit nëntor të Barzanit në Turqi dhe sipas saj, burimet e naftës në zonën veriore të Irakut do të eksportohen nëpërmjet Turqisë. Në fakt kjo tregti nuk është një situatë e re; eksporti i naftës nga Kirkuku (Irak) në Jumurtallëk (Turqi) e ka zanafillën në vitin 1977. Por nga 1990-a e këtej kjo linjë nuk funksionon në mënyrë të shëndoshë dhe tashmë Ankaraja kërkon rigjallërimin e saj.

Mirëpo marrëveshja Turqi-Qeverisja Rajonale Kurde në veri të Irakut u kundërshtua nga Bagdadi zyrtar, i cili mbronte mendimin se ky akord duhet të hyjë në fuqi vetëm në kuadër të Kushtetutës së Irakut dhe përpiqej ta pengonte atë. Ky ngërç u zgjidh gjatë vizitave, që ministri turk i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore Taner Jëlldëz realizoi këtë javë në Bagdad dhe Erbil, ku u nënshkruan gjithashtu një sërë marrëveshjesh; sipas të cilave, burimet e naftës në veri të Irakut do të mund të eksportohen vetëm me autorizim dhe miratim të Bagdadit, saktësisht ashtu siç parashikohet në Kushtetutën e Irakut. Mbi të gjitha, të ardhurat, që do të përfitohen nga këto aktivitete tregtare, do të përdoren për të mirën e të tërë Irakut dhe jo vetëm për Qeverisjen Rajonale Kurde në veri të Irakut. Kushtet teknike të kësaj janë përcaktuar në kushtetutë dhe ligje. Por një rezultat edhe më i rëndësishëm, që del nga sa më sipër, është se si rezultat i këtyre marrëveshjeve vijon zyrtarisht edhe tërësia territoriale e Republikës së Irakut.

Ministri turk i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Taner Jëlldëz, i cili mbajti një fjalim gjatë Konferencës së Naftës dhe Gazit Natyror në Erbil, rreth kësaj teme u shpreh me fjalët: “Veriu, jugu, lindja apo perëndimi i Irakut, nuk bëjmë asnjë dallim. Duke qenë se Iraku është një i tërë, atëherë ne duhet të zhvillojmë projekte për të gjitha zonat.”

Si rezultat, natyrisht që marrëdhëniet Turqi-Irak nuk kanë mundësi të kthehen në statuskuonë e para 1990-s (status quo ante); por tani mund të marrin fund edhe skenarët për copëtimin e Irakut, veçanërisht pas pushtimit amerikan të vitit 2003. Zhvillimi me kah pozitiv i marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Irakut, po të marrin parasysh edhe Procesin e Zgjidhjes për groposjen e problemit të terrorit në Turqi, mund të jetë një shans për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Falë edhe përdorimit të drejtë të burimeve energjetike, mund të themi se kjo paqe dhe qëndrueshmëri do të sjellë me vete gjithashtu mirëqenien e pasurinë. Ministri Jëlldëz, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së 12-vjetorit të themelimit të Entit Rregullator të Energjisë në Republikën e Turqisë, sqaroi se nga këto marrëdhënie do të përfitojë më shumë Iraku dhe Turqia do të japë kontribut për këtë, ndërsa vuri theksin mbi përfundimet pozitive të bashkëpunimit./trt

* Përmbajtja e paraqitur është reflektim i mediumit prodhues dhe jo domosdoshmërisht edhe i redaksisë kohaislame.com

Artikulli paraprakKrasniqi në samitin “Doha Goals” kërkon përkrahje për sportin e Kosovës
Artikulli vijuesKrasniqi në samitin “Doha Goals” kërkon përkrahje për sportin e Kosovës