Kosova kadal kadale po plaket

Kosova përbën popullatë të re në moshë. Vetëm 7 për qind e popullatës i takon moshës mbi 65-vjeçare. Ndërkaq, nataliteti në Kosovë është në rënie, çka do të thotë se popullata po shkon drejt plakjes graduale.

Dita Botërore e Shëndetit Kosovën e gjen në situatë jo të mirë, thonë profesionistët shëndetësorë. Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se gjendja shëndetësore e popullatës në Kosovë “nga viti në vit është duke u përmirësuar”.

Slogani i kësaj dite është “Shëndeti i mirë ju shton jetë viteve”. Sami Uka, nga OBSH, thotë se askush në Kosovë nuk është i kënaqur me shërbimet që ofrohen nga institucionet.

“Nuk është intenca të zgjatet jeta, por të ngrihet cilësia e atyre viteve të jetës”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë. “Vuajmë nga mungesa e organizimit, menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, mungesa e sigurimeve shëndetësore – që vështirëson pozitën ekonomike dhe shëndetësore të popullatës në përgjithësi, e në veçanti të popullatës së moshuar me pensione shumë të ulëta”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë një hulumtim, lidhur me këtë ditë, 

ditë, që të dihet se si qëndron Kosova në aspektin shëndetësor.

“Nga hulumtimi me mbi 1860 respodentë, ka dalë se gjendja e tyre shëndetësore është e vështirë dhe se jetojnë në kushte të dobëta financiare… Këto nevojitet të dalin si rekomandime nga ky hulumtim: përmirësimi i gjendjes së tyre, sidomos gjendja financiare, si dhe qasja dhe sigurimi i të gjitha barnave për këtë kategori”, bën të Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së.

Agani thotë se në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, kanë arritur rezultate në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Ndërsa, për Ramadanin shëndetësia nuk është prioritet i Qeverisë, andaj edhe “Dita Botërore e Shëndetit nuk e gjen Kosovën në nivel të kënaqshëm”.

Zyrtarët nga IKSHP thonë se me hulumtimin e bërë kushtuar Ditës Botërore të Shëndetit, kanë dashur të japin sinjal që popullata po shkon drejt plakjes graduale dhe rënies së natalitetit./kohaislame/

Artikulli paraprakPolicia konfiskon tabelat e Serbisë për qytetet e Kosovës
Artikulli vijuesRadha e Nazimit, dëshmon në procesin e tij