Isa Mustafa e Fatmir Sejdiu me marrëveshje sekrete?!

Ish- kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa pak orë para fillimit të Kuvendit të VIII-të zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin arritur një marrëveshje të fshehtë. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda kësaj partie.
 
Sipas këtyre burimeve, Sejdiut i është premtuar se në Këshill të Përgjithshëm do t’i ketë të paktën shtatë njerëz të tij, me kushtin që ky i fundit të mos i bëjë pengesa Mustafës apo mos ta mbështes kundërkandidatin e Mustafës, Vjosa Osmanin.
 
Poashtu sipas burimeve të Gazetës, i është premtuar Sejdiut që do ta ketë të paktën një përfaqësues në kryesi të partisë.
 
Megjithatë, sipas këtyre burimeve, Mustafa nuk e ka mbajtur premtimin. “Pas zgjedhjes së tij, Mustafa vetëm katër njerëz të Fatmir Sejdiut i ka futur në listën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, e jo shtatë sa ishin pajtuar”, tha ky burim.
 
Gjithnjë sipas këtij zyrtari të lartë ky mos respektim i kësaj marrëveshje, ka bërë që Sejdiu të rebelohet dhe ta akuzoj Mustafën se e ka kapur partinë.
 
Ndërkaq, zyrtarisht as nga tabori i Isa Mustafës e as nga ai i Fatmir Sejdiut nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj marrëveshjeje.
 
Fatmir Sejdiu edhe pse kishte paralajmëruar se do të garoj për lider të partisë, megjithatë ai nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kryetari i nderit i LDK-së, është futur i treti në listë, pas Isa Mustafës e Sabri Hamiti.
 
LDK në Kuvendin e VIII-të zgjedhor me aklamacion dhe në kundërshtim me nenin 25 të Statutit e ka rizgjedhur Isa Mustafën në krye të partisë. Drejtuesit e LDK-së i kanë akuzuar mediet dhe organizatat joqeveritare për presion ndaj delegatëve të partisë, ndërkohë që Kuvendin e VIII-të të partisë e kanë konsideruar si më demokratik që nga themelimi i kësaj partie./ Gazeta Blic/.kohaislame
Artikulli paraprakMësimdhënësit me 500 euro pagë
Artikulli vijuesImami i parë për ushtarët muslimanë në Gjermani