Tualetet e shkollave tymojnë nga duhani

Një hulumtim që ka bërë Qendra Rinore në Mitrovicë, ka treguar se më shumë konsumojnë duhan femrat sesa meshkujt. Sipas hulumtimit, 54 për qind e përdoruesve të duhanit janë femra, ndërsa 46 për qind meshkuj. Hulumtimi po ashtu ka treguar se duhanpirësit më të mëdhenj janë të rinjtë, madje 25 për qind e tyre, të shumtën nxënës të shkollave të mesme.

Në një kafiteri në Mitrovicë, të mjegulluar krejtësisht, të rinj dhe të moshuar, mezi shohin njëri-tjetrin. E gjithë kjo nga tymi i duhanit që konsumohet. Ligji për duhanin, është më së e qartë se nuk zbatohet fare, në pothuajse asnjë kafiteri. Një prej përdoruesve të duhanit, Naim M., rreth të 30-ve sqaron se ka filluar që në moshën e re të pijë duhan, atëherë kur ishte rreth të njëzetave.

“Unë e pi duhanin që i ri. E di që bën dëm po nuk kam arritur ende ta lë”, thotë ai.

Dhe përderisa të rinj dhe të vjetër tymosin pandërprerë, shitësit e cigareve në veçanti fëmijët, ofrojnë cigare, duke lëvizuar ndërmjet tavolinave me pako të cigareve në duar.

Një 15-vjeçar, shitës i cigareve, thotë se i duhet të merret me këtë zanat, pasi që me paratë që fiton mban familjen.

“Pak fitoj, po më duhet me punu, se në familje time nuk punon askush”, thoshte djaloshi, nxënës i një shkolle të mesme.

Duke folur për hulumtimin dhe porositë që kanë dalë nga hulumtimi, Bukurie Lushta, koordinatore e Qendrës Rinore në Mitrovicë, tha se një nga rekomandimet më kryesore duhet të jetë braktisja e duhanit.

“Duhet të respektohet Ligji për duhanin, i cili ndikon në mënyrë direkte në uljen e numrit të duhanxhinjve, pastaj organizimi i trajnimeve, ligjëratave dhe aktiviteteve të ndryshme për braktisje të duhanit, sidomos të rinjtë duhet të angazhohen në aktivitete edukative, kulturore dhe sportive, pasi që do te jetë forma më e mirë për t’i larguar ata nga duhani”, shprehet Lushta.

Por, ndonëse znj. Lushta nuk e thotë, shqetësuese është përdorimi i duhanit nëpër shkolla. Në gjimnazin “Frank Bardhi”, sipas nxënësit S. R., duhanin e përdorin edhe vajzat edhe djemtë dhe se vendi më i preferuar për ta ndezur nga një cigare janë toaletët e shkollës si dhe hapësirat prapa shkkollës.

“Me ardhë e me pa, shkon tymi në toalete ta merr mendja se po kallet”, thotë ai, ndërkaq, Z. R., nxënëse, sikurse vërteton fjalët e nxënësit S.R.

“Kur pihet duhani, zakonisht gjatë pushimit në mes orëve, toaletet janë të vogëla për t’i zënë të gjithë”, shprehet ajo.

Edona Bajrami, drejtoreshë e shkollës së mesme të muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicës, thotë se duhet të ndërmerren masa të menjëherëshme, në mënyrë që kjo dukuri të parandalohet.

Ndërkaq, Isa Sejdiu, zyrtar në Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë, thotë konsumimi i duhanit nga nxënësit konsiderohet sjellje e rrezikshme, duke rekomanduar masa për vetëdijësimin e tyre.

“Kemi filluar me një strategji, sepse të rinjtë zakonisht i kanë model edhe shokët e tyre, që i imitojnë dhe bëjnë sjellje të tilla që janë të rrezikshme, njëra prej të cilave konsiderohet edhe përdorimi i duhanit. Përpiqemi t’i mësojmë për pasojat negative, se çka mund të bëhen nëse janë duhanpirës aktivë, dhe të bëjmë fushata të ndryshme qoftë mediale apo përmes broshurave, ku tregojmë se duhani dëmton shëndetin e tyre”, vlerëson Sejdiu.

Urdhëresë shkollave

Në Sektorin e Inspeksioneve në Mitrovicë, ndërkaq kanë thënë se kanë lëshuar një urdhëresë të gjitha shkollave, me të cilën ndalohet përdorimi i duhanit brenda objekteve shkollore, e që sipas zyrtarëve, ka pasur efekte pozitive, pasi që edhe mësimdhënësit duhet ta zbatojnë urdhëresën dhe të mos konsumojnë duhan brenda objekteve shkollore.

Në anën tjetër, Ismet Ferizi, sociolog, siguron, se me një disiplinë të mirë në zbatimin e rregulloreve, nëse jo krejtësisht, atëherë në masë të madhe mund të parandalohet kjo dukuri.

“Një edukim paraprak familjar është më se i nevojshëm, sepse është punë dhe obligim edhe i familjes, por edhe i shkollës dhe institucioneve përkatëse që duhet bërë në këtë drejtim”, ka rekomanduar sociologu Ferizi.

Artikulli paraprakShqiptari vret me thikë bashkëshorten, për motive xhelozie
Artikulli vijuesIraku me rekord të eksportit të naftës