Kujdesi femëror për shëndetin

Femrat janë nënat, gratë, motrat dhe bijat tona dhe për shëndetin e tyre duhet të kujdeset mbarë shoqëria, por në radhë të parë vetë ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për rreziqet që u kanosen dhe mënyrat e shmangies së tyre.
 
Sëmundjet e zemrës, “vrasëset” e femrave
 
Është e ditur tashmë që zemra e femrës preket më shumë se ajo e meshkujve nga “sëmundja” e dashurisë, por pak mbase e dinë se edhe sëmundjet e vërteta të zemrës dëmtojnë më shumë “gjininë e dobët”. Megjithëse sëmundjet e zemrës janë cilësuar si sëmundje të meshkujve, në të vërtetë fakti i dhimbshëm është se qysh nga viti 1984 më shumë femra sesa meshkuj vdesin më shumë nga këto sëmundje. 4 % e femrave diagnostikohen me kancer gjiri çdo vit, ndërsa me sëmundje zemre diagnostikohen 44 %. Vitin e kaluar, 39 520 femra vdiqën nga kanceri i gjirit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa nga sëmundjet e zemrës rreth 500 000. Madje sëmundjet e zemrës marrin më shumë jetë femrash se TË GJITHA llojet e kancereve të marra së bashku. E përsëri Amerika shpenzon 40 herë më shumë para në kërkimet lidhur me kancerin e gjirit se në ato për sëmundjet e zemrës, E megjithatë vetëm 24 % e pjesëmarrësve në këto të fundit janë femra, gjë që ka bërë që për 50 vjet femrat të (keq)diagnostikohen e të (keq)trajtohen mbështetur në mënyrat e diagnostikimit e të trajtimit të krijuara për meshkujt. 
 
Por a e dini se edhe shenjat e sëmundjes së zemrës te femrat mund të jenë shumë të ndryshme nga ato të meshkujve? Teksa meshkujt ndiejnë dhembje në gjoks, femrat janë më të prekshme nga simptoma të tilla si shqetësimet në qafë, shpatull, shpinë ose bark, vështirësia në frymëmarrje, të vjellët, djersitja e marramendja. Gjithashtu, në fazën fillestare të një ataku në zemër, 71 për qind e femrave provojnë një dobësi të skajshme të papritur që ngjan me gripin. 

Gjithsesi, s’duhet harruar kanceri i gjirit
 
Teksa femrat dhe sëmundjet e zemrës janë një çështje e rëndësishme, aspekte të tjera të shëndetit të përgjithshëm të femrës kanë edhe ato peshë. Në vijim dr. Marisa Weiss shpjegon në formën e pyetje-përgjigjeve të vërtetat që nuk i dimë rreth kancerit të gjirit.
 
Kur duhet të nisë femra të mendojë për shëndetin e gjirit?
 
Kurrë nuk është tepër herët për këtë: rreziku i kancerit të gjirit fillon që nga ngjizja. Prej tremujorit të parë në barkun e nënës deri në dhjetë vjetët e adoleshencës, vajzat krijojnë themelet për shëndetin e tyre të ardhshëm të gjirit. Teksa gjëndrat janë në formësim e sipër, ajo që hanë, pinë, frymëmarrin dhe përdorin bëhen “tullat” për “ndërtimin” e “ngrehinës” së shëndetit të gjirit.
 
Vetëkontrolli dhe mamografia janë kyçi. Një grua më shumë se 40 vjeçe duhet të bëjë mamografi përvit. Ndërsa femrat më të rrezikuara do të ishte mirë të fillojnë më herët.
 
Cilët janë faktorët e rrezikut më të zakonshëm?
 
Disa janë jashtë kontrollit: mosha, gjenetika, historia familjare, raca, dendësia e gjirit, mosha kur nisin të përmuajshmet dhe ekspozimi ndaj rrezatimit në gjoks ose fytyrë para moshës 30-vjeçare. Faktorët e tjerë mund të kontrollohen: pirja e duhanit, mungesa e stërvitjes dhe mbipesha, alkooli, shtatzania dhe historia e ushqyerjes me gji, si edhe terapia me zëvendësim hormonesh gjatë menopauzës.
 
A ka faktorë mjedisorë?
 
Pesticidet, antibiotikët, hormonet e përdorura te drithërat dhe te bagëtia, përbërësit kimikë industrialë në ushqime dhe ambalazh… të gjitha këto sjellin rritjen e rrezikut të kancerit të gjirit, pa përmendur përbërësit kimikë në artikujt kozmetikë, produktet për kopshtin e shtëpisë, lëndët plastike, kremrat për mbrojtjen nga dielli – madje edhe uji. Këto janë gjëra për të cilat gjyshet dhe nënat tona nuk kishin pse të shqetësoheshin fare.

Cilave produkte duhet t’u qëndrojnë larg femrat?
 
Kur blejmë artikuj kozmetikë, duhet të shmangim produktet që përmbajnë ruajtës të tillë si parabenët dhe ftalatët. Dhe duhet të zgjedhim kremra dielli me zink ose titan, lëndë kimikë që nuk çrregullojnë hormonet. Nëse përdorni materiale plastike, zgjidhni ato me shenjën e riciklimit nr. 2, 4, ose 5, mos merrni ato me numër 7. Dhe pakësoni ekspozimin ndaj bisfenolit A, duke kufizuar sasinë e ushqimeve të konservuara që hani.
 
Çfarë ushqimesh janë të përshtatshme për femrat?
 
Është shumë e rëndësishme të hani ushqime të shëndetshme, së pari shumë fruta dhe perime. Nëse është e mundur, blini ushqime organike. Nëse jo, bëni kujdes ndaj ushqimeve që sjellin rreziqet më të mëdha. Ekzistojnë edhe mënyra të tjera për të “pastruar” dietën dhe për të përdorur ushqime organike pa harxhuar shumë.
 
Kanë arritur studimet ndonjë zbulim të ri?
 
Kemi zbuluar së fundi se femrat me nivel të ulët vitamine D ka më shumë rrezik për t’u prekur nga kanceri i gjirit, ashtu si edhe ato që ekspozohen për një kohë të gjatë ndaj dritës natën: punonjëset e fabrikave, mjeket, infermieret dhe punonjëset e policisë. Tani dimë gjithashtu që edhe ekspozimi ndaj dietilstilbestrolit (DES), një estrogjen që përdoret për parandalimin e dështimit të fëmijës, mund të rrisë rrezikun ndaj femrës. 

8 kontrollet që duhet të bëni për një shëndet të gjithanshëm
 
Një prej të fshehtave më të mëdha në botën mjekësore është që as ekspertët nuk bien në një mendje se kur duhet bërë kontrolli për kanceret ose sëmundje të tjera. Ndaj këshillohuni me mjekun për të ditur nëse dhe kur duhet t’i bëni kontrollet e rëndësishme shëndetësore në vijim.
 
Kontrolli për kancerin e gjirit
 
Ekspertët debatojnë se sa shpesh duhet bërë mamografia dhe kontrollet klinike të gjirit. Sot këshillohet një herë në vit për femrat me moshë 40 deri 75 vjeçe (ndonëse kjo mund të ndryshojë në varësi të rrezikut), shprehet dr. Don Hensrud, shefi i repartit të mjekësësisë parandaluese në klinikën “Mayo” në Roçester të Minesotës në Shtetet e Bashkuara.
 
Kontrolli për kancerin e qafës së mitrës
 
Dr. Hensrud sugjeron testin PAP një herë në dy vjet qysh nga mosha 21 vjeçe , dhe një herë në tre vjet pas të tridhjetave. Gratë e moshës nga 65 deri në 70 vjeçe që rrezikohen më pak, mund ta pushojnë së bëri kontrollin nëse u kanë dalë mirë analizat e përgjithshme për tre herë me radhë.
 
Kontrolli i dietës
 
Dr. Karlene Karst thotë që të ashtuquajturit “ditarë treditorë të ushqimit” janë pikënisje për të trajtuar problemet me fjetjen, peshën dhe hormonet. Shumë femra mendojnë që hanë tepër, shprehet doktoresha, mirëpo ditarët tregojnë që në të vërtetë po hanë shumë pak.
 
Kontrolli i HPV-së dhe klamidias
 
Sipas Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve në ShBA, 20 milionë njerëz janë të infektuar me HPV dhe klamidia është sëmundja seksualisht e transmetueshme më e zakonshme. Klinika “Mayo” u këshillon vajzave në të njëzetat të diskutojnë me mjekët e tyre lidhur me mundësinë e bërjes së testit të HPV-së dhe analizën e klamidias.
 
Kontrolli i kanc
ereve kolorektale
 
Kolonoskopitë janë “kontrolle të mira”, thotë Hensrud-i, sepse ato shpesh ndalojnë kanceret kolorektale (kanceret e zorrës së trashë e të rektumit) në rritje të ngadaltë. Mirëpo shumica e meshkujve dhe e femrave të diagnostikuar me këto kancere çdo vit kurrë nuk janë skanuar. Shumica e femrave duhet të testohen në të pesëdhjetat.
 
Kontrolli për osteoporozën
 
Shërbimi parandalues i klinikës “Mayo” rekomandon me forcë kontrollin e dendësisë së kockës fill pas menopauzës, kur gratë fillojnë të humbin me shpejtësi masën kockore, ndaj diagnostikimi dhe trajtimi duhen bërë menjëherë dhe jo në moshën 60-65 vjeç.
 
Kontrolli i treguesit të masës trupore dhe i çrregullimeve të të ngrënit
 
Dr. Mary Hartley vë në dukje që shumë femra kurrë nuk kanë bërë kontrollin e treguesit të masës trupore për të llogaritur dhjamin në trup dhe për të përcaktuar nëse kanë probleme me mbipeshën ose kequshqyerjen. Ajo përmend gjithashtu EAT-26 (testin e zakoneve të të ushqyerit) si një mjet për t’i ndihmuar mjekët klinikë të vlerësojnë nëse kemi të bëjmë me sjellje të çrregullta në të ushqyer.
 
Kontrolli i mënyrës së jetesës
 
Shumë kontrolle mund të bëhen, por biseda me një mjek të besueshëm është gjithashtu e rëndësishme për zhvillimin e shëndetit të femrave. Dr. Hensrud-i thotë që mjeku duhet të diskutojë rregullisht me pacienten për depresionin, dhunën nga partneri, duhanin dhe përdorimin e drogës.
Artikulli paraprakSi të kemi dhëmbë të shëndetshëm
Artikulli vijuesIdentifikimi dhe parandalimi i kancerit kolorektal