Brammertz:Në Srebrenicë është kryer gjenocidi, jam i shqetësuar që disa e mohojnë

Kryeprokurori i Tribunalit të Hagls, Serge Brammertz në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur për kthimin e mundshëm të liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel në Hagë, datën e mbylljes së Tribunalit, për procedurat gjyqësore kundër Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit, por edhe për shqetësimin për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. 
 
“Nuk mund të japë një datë të saktë se kur do të kthehet Shesheli në Hagë, por zyra ime ka kërkuar që ai të kthehet. Nga Këshilli i Apelit kemi kërkuar të merret vendimi përfundimtarë për kthimin e tij në paraburgim. Ky proces akoma vazhdon”, theksoi Brammertz duke shtuar se as procedura ndaj Goran Haxhiçit nuk mund të vazhdojë derisa gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.
 
– Tribunali i Hagës mbyllet në vitin 2017 – 
 
Ai përkujtoi se, siç edhe është paralajmëruar më parë, Tribunali i Hagës priret të mbyllet në vitin 2017. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë do të pushojë së punuari pasi që të shqiptohet edhe aktgjykimi i fundit për krimet e luftës. 
 
“Javën e kaluar ne kemi prezantuar një raport në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në gjendjen e tanishme proceset e fundit të ankesave priten në 2017, kjo duhet të jetë data e fundit e mbylljes së Tribunalit,” konfirmoi Brammertz.
 
Në rast të ankesave të mëtejshme, procedurat gjyqësore pas mbylljes së Tribunalit, do të kishin kaluan në të ashtuquajturat mekanizmat të Tribunalit Ndërkombëtarë. 
 
“Deri atëherë me siguri do të sillen aktgjykime të shkallës së parë në lidhje me procedurat që kryhen kundër Karaxhiçit dhe Mlladiçit. Nëse do të ketë ankesa, jemi të sigurtë se do të ketë, procedurat do të merren nga mekanizmat e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, por nuk do të jetë ICTY. Do të jetë një strukturë e re që do të jetë përgjegjëse për këto raste”, ka thënë Brammertz.
 
Ai vuri në dukje se aktgjykimi i shkallës së parë në rastin Karaxhiç do të shqiptohet në fund të këtij apo në fillim të vitit të ardhshëm. 
 
– Shqetësues mohimi i gjenocidit në Srebrenicë – 
 
Sipas tij, provat nga varreza masive në Tomashica pranë Prijedorit, në veri-perëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë shumë rëndësishme në procedurën kundër Mlladiçit sepse, siç theksoi Brammertz, “tregojnë qartë për karakterin e vrasjeve sistematike të njerëzve nga këto treva.”
 
Provat nga Tomashica kanë të bëjnë me pikën e parë të aktakuzës ndaj Mlladiçit, e cila akuzon atë për gjenocid ndaj boshnjakëve dhe kroatëve në shtatë komuna të Bosnjës. 
 
Varri masiv i zbuluar në vitin 2013 afër Prijedorit, që përmban mbetjet mortore të qindra viktimave, sipas Institutit për të pagjeturit në BeH është varreza më e madhe në rajonin e ish-Jugosllavisë.
 
Brammertz me këtë rast shprehu edhe shqetësimin e tij për shkak të faktit se në BeH, por edhe në rajon akoma ekzistojnë personat dhe qarqet që nuk dëshirojnë të pranojnë dhe mohojnë në mënyrë të hapur gjenocidin në Srebrenicë, të cilin, siç thotë edhe vetë, në mënyrë të qartë e konfirmoi gjykata ndërkombëtare.
 
“Mohimin e gjenocidit gjithmonë e shikoj me shqetësim dhe dëgjoj për këta mohues, gjë të cilën e kam vështirë ta kuptoj sepse gjykatat ndërkombëtare që janë përgjegjës të vendosin çka është gjenocid dhe çka jo, morën vendimin se ky ishte gjenocid. Nuk ka dyshim rreth kualifikimit të kësaj ngjarjeje dhe e kam vështirë të kuptoj përse njerëzit akoma komentojnë në këtë mënyrë, e cila nuk është në përputhje me realitetin. Mohimi i gjenocidit është fyerje për mijëra viktima të cilët janë vrarë dhe kanë humbur më të dashurit e vet”, konsideron Brammertz.
 
– Pajtimi i vërtetë duhet të ndodhë brenda një komuniteti – 
 
Brammerz shtoi se proceset gjyqësore në rastet e krimeve të luftës janë të rëndësishme, por siç thotë, pajtimi i vërtetë dhe afatgjatë duhet të ndodhë brenda një komuniteti të caktuar dhe ndërmjet anëtarëve të tij të cilët në të kaluarën kanë patur përvojë të vështirë të luftës. 
 
Shpjegon se në shumë vendet e botës akoma ndodhin krimet e luftës, vrasjet, masakra dhe gjenocide duke vënë në dukje se komuniteti ndërkombëtarë ndoshta nuk ka mësuar mësimin nga e kaluara. 
 
“Fatkeqësisht, shumë krime vazhdojnë të kryhen pothuajse gjithkund, dhe gjenocidi nuk është përjashtim. A ka mësuar komuniteti ndërkombëtar mësimin? Nuk mund të bindem çdo ditë në këtë”, theksoi Brammertz, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë mësime për të ardhmen më të mirë e gjithë njerëzve në botë. 
 
– Numri i madh i viktimave civile në luftërat dhe masakrat në mbarë botën – 
 
Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës thekson se, pas Luftës së Dytë Botërore, në botë asnjëherë nuk ka patur aq shumë konflikte të armatosura dhe luftëra siç është rasti sot. 
 
“Duhet të jemi të sinqertë dhe të tregojmë se pas Luftës së Dytë Botërore kurrë në një periudhë të njëjtë nuk ka patur aq shumë luftëra. Nëse shikoni viktimat, mendoj se numri i viktimave civile, përkatësisht grave dhe fëmijëve, në krahasim me viktimat ushtarake, është rritur. Sot jemi në një situatë kur kryhen krime të shumta kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidet. Shpresoj se komuniteti ndërkombëtar të marrë përsipër pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka thënë Brammertz. 
 
Në fund shprehu shpresën se politikanët dhe popujt të cilët çojnë luftë në shumë pjesë të botës të arrijnë një konsensus politik për të jetuar në paqe pa vrasjet dhe krimet e luftës. kohaislame
Artikulli paraprakDisa organizata në Afrikën e Jugut bëjnë thirrje për arrestimin Sisit
Artikulli vijues"Elementi themelor i ushqimit në Ramazan duhet të jetë uji"