Si ta ruajmë shëndetin gjatë muajit të Ramazanit?

Gjatë muajit të Ramazanit mënyra e të ushqyerit tonë nuk duhet të dallojë shumë nga ajo normalja dhe duhet të jetë sa më e thjeshtë. Mënyra e të ushqyerit duhet të jetë e tillë që të ruajë peshën normale të trupit.
Duke pasur parasysh orët e gjata të agjërimit, duhet të hamë ushqim që tretet ngadalë, i cili përbëhet nga elbi, gruri, misri, grizi, fasulja, orizi i papërpunuar etj., (të ashtuquajturat karbohidrate komplekse).
Ushqimet që treten shpejt janë ushqimet të cilat përmbajnë sheqer, miell të bardhë, etj. (të ashtuquajturat karbohidrate të përpunuara).
Ushqimet e fërguara nuk janë të shëndetshme dhe ngrënia e tyre duhet kufizuar. Ato shkaktojnë çrregullime të tretjes, dhembje në lukth dhe probleme me peshë.
Gjatë muajit të Ramazanit duhet t’i shmangemi ushqimit të fërguar dhe me shumë yndyrë, ushqimeve që përmbajnë shumë sheqer, ngrënies së tepruar, veçanërisht në syfyr, dhe pirjes së tepruar të çajit gjatë të ushqyerit para agimit, pasi çaji shkakton humbjen e mineraleve dhe elektroliteve të vlefshme nëpërmjet urinimit të sforcuar. Sa i përket pirjes së duhanit, ajo nuk është e shëndetshme dhe duhet të lihet plotësisht.
Nga ana tjetër, duhet të marrim karbohidratet komplekse gjatë ushqimit para agimit, që ushqimi të zgjatë më tepër duke e zvogëluar ndjenjën e urisë. Hurmat janë një burim i shkëlqyeshëm i sheqernave, i kaliumit dhe magneziumit. Bajamet janë të pasur me proteina dhe me fije si dhe kanë pak yndyrë. Bananet janë burim i mirë i kaliumit, magneziumit dhe i sheqernave.
Gjithashtu, duhet të pimë sa më tepër ujë ose lëngje frutash ndërmjet iftarit dhe rënies në gjumë, që trupi të rregullojë nivelin e lëngjeve trupore me kohë.
Vështirësitë më të zakonshme mjekesore
Konstipacioni (kapsllëku) mund të shkaktojë paraqitjen e hemorroideve, çarjeve në kanalin anal dhe vështirësi të tretjes të shoqëruara me ndjenjën e rëndimit. Shkaqet janë përdorimi i tepruar i ushqimit jo natyral, pak lëngje në ushqim dhe pak ushqim me fije.
Shërimi: Përmes marrjes së shtuar të ujit dhe largimit nga marrja e panevojshme e ushqimit të përpunuar, jo natyral.

Erërat (gazrat) dhe vështirësitë në tretje
Shkaqet: Marrja e tepërt e ushqimit. Marrja e tepruar e ushqimit të fërguar, të yndyrshëm, djegës si dhe e artikujve ushqimorë që prodhojnë gazra, si p.sh. vezët, lakrat, lëngjet e karbonizuara (me gaz) etj..
Shërimi: Mos hani tepër, pini lëngje frutash më tepër ose pini vetëm ujë. Largojuni ushqimit të fërguar.
Përgjumësia (“ulja e tensionit të gjakut”)
Djersitja e sforcuar, plogështia, lodhja, mungesa e energjisë, marramendja, veçanërisht me rastin e ngritjes nga pozita ulur, zbehja dhe ndjenja e humbjes së vetëdijes janë simptoma që shoqërojnë ”uljen e tensionit të gjakut”.
Kjo ka tendencë që të paraqitet në orët e pasditës.
Shkaqet: Pak lëngje në ushqim ose/dhe marrja e zvogëluar e kripërave.
Shërimi: Qëndroni në ambient më të ftohtë, shtoni marrjen e lëngjeve dhe të kripërave.
Vërejtje: Tensioni i ulët i gjakut mund të verifikohet vetëm me matjen e tij në momentin kur simptomat e lartpërmendura janë të pranishme. Personat që lëngojnë nga tensioni i lartë i gjakut duhet të përshtatin marrjen e medikamenteve gjatë muajit të Ramazanit në këshillim me mjekun e tyre.
Dhembja e kokës
Shkaqet: Ndërprerja e marrjes së kafesë dhe duhanit; angazhimi i tepruar gjatë ditës, mungesa e gjumit, uria, e cila shtohet nga fundi i ditës. Kur shoqërohet me “tensionin e ulët të gjakut”, dhembja e kokës mund të jetë mjaft e rëndë dhe po ashtu mund të shkaktojë mundim dhe vjellje para iftarit.
Shërimi: Filloni zvogëlimin e marrjes së duhanit ose të kafesë një deri dy javë para fillimit të muajit Ramazan. Riorganizoni orarin tuaj gjatë muajit të Ramazanit, që të keni mjaft kohë për gjumë.
Ulja e sheqerit në gjak
Shkaqet (te personat që nuk lëngojnë nga sëmundja e sheqerit): Marrja e tepruar e ushqimit me sheqerna, veçanërisht para agimit (syfyrit). Në këtë rast truoi prodhon sasi të tepruar insuline, duke shkaktuar rënien e nivelit të sheqerit në gjak në orët e pasditës.
Shërimi: Hani diçka para lindjes së diellit (syfyr) dhe kufizoni me këtë rast marrjen e tepruar të ushqimit me sheqerna si dhe të lëngjeve.
Vërejtje: Personat që lëngojnë nga sëmundja e sheqerit duhet të kenë parasysh nevojën e përshtatjes së terapisë së rregullt gjatë muajit të Ramazanit, në këshillim me mjekun e tyre.
Shtangimet e muskujve
Shkaqet: Marrja e pakët e kalciumit, e magneziumit dhe e kaliumit me anë të ushqimit.
Shërimi: Hani ushqim të pasur me mineralet e lartpërmendura, si p.sh., perime, fruta, produkte qumështi, mish dhe hurma.
Vërejtje: Personat që marrin barna kundër tensionit të lartë të gjakut dhe ata që lëngojnë nga gurët në veshkë duhet të këshillohen me mjekun e tyre.
Ulcera peptike (i thati në stomak ose në zorrën dymbëdhjetëgishtore), djegësira në gjoks, pezmatimi i stomakut dhe hiatus hernia
Shkaqet: Prodhimi i shtuar i thartirës në stomak gjatë muajit të Ramazanit i vështirëson rrethanat e lartpërmendura. Kjo manifestohet me ndjenjën e pakëndshme të djegies në rajonin e stomakut, e cila fillon nën brinjë dhe mund të përhapet deri në fyt. Ushqimet djegëse, kafeja dhe lëngjet me gazra e keqësojnë këtë gjendje.
Shërimi: Ka barna me të cilat mund të kontrollohet sasia e thartirës në lukth. Personat që e kanë të verifikuar ulcerën peptike ose hiatus hernin duhet të këshillohen me mjekun para fillimit të muajit Ramazan.
Gurët në veshkë
Gurët në veshkë mund të shfaqen te njerëzit të cilët marrin pak lëngje. Kështu që është e domosdoshme që të meren më tepër lëngje, me qëllim të parandalimit të formimi t ë tyre.
Dhembjet në nyje
Shkaqet: Mbingarkimi i nyjave gjatë faljes së namazit. Te personat e moshuar dhe tek ata që lëngojnë nga pezmatimi i nyjave (arthritis), kjo mund të manifestohet me dhembje, shtangim, ënjtje dhe ndjenjë të pakëndshme në nyje.
Shërimi: Zvogëloni peshën, ashtu që nyjet të lirohen nga pesha e tepërt. Bëni ushtrime për këmbë. Gatishmëria fizike mundëson kryerjen e lehtë të faljes së namazit.
Artikulli paraprakSekreti i fillimit të iftarit me Hurma dhe ujë
Artikulli vijuesVriten 18 anëtarë të një familjeje afgane