Turqia e gatshme të marrë përsipër borxhin e Greqisë së dobët financiarisht

Kryeministri turk, Ahmet Davutoğlu në takimin e partisë në pushtet, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillimit (AK Parti) ka deklaruar se Ankaraja zyrtare është e gatshme të ndihmojë Greqinë të dalë nga kriza ekonomike dhe financiare në kohën kur Athina ndodhet gjithnjë e më afër falimentimit, raporton Anadolu Agency (AA).
 
“Me qëllim të kapërcimit të krizës ekonomike në Greqi, jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe që është në fuqinë tonë në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e turizmit, energjetikës, tregtisë. Pasi të kemi përfunduar aktivitetet rreth formimit të Qeverisë, me rastin e parë do të kontaktojmë Greqinë në mënyrë që të zhvillojmë takimin në nivel të lartë për të diskutuar hapat e përbashkët për zgjidhjen e problemeve ekonomike në Greqi”, ka thënë Davutoğlu. 
 
Gjithashtu iu referua edhe rrugës evropiane të Turqisë duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian është përgjegjës për progresin jo të mjaftueshëm të Turqisë drejt BE-së.
 
“Nëse Turqia sot në kuadër të procesit të integrimeve europiane nuk është në pozitë të dëshiruar, hapur mund të ju them se fajtori për këtë nuk është Turqia, por Bashkimi Evropian i cili nuk ka vizion strategjik”, ka thënë kryeministri turk. 
 
Marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Turqisë janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme në vitet e fundit.
 
Greqia në rast të mosarritjes së asnjë marrëveshjeje me kreditorët ndërkombëtarë mund të falimentojë për shkak të borxhit të pashlyer prej 1.6 miliardë eurosh ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të cilën arsye Athina është në rrezik të largimit nga Eurozona.
Artikulli paraprak400 ditë grevë ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave
Artikulli vijuesTurqia vendos forca shtesë në kufirin me Sirinë