Rusia, veto ndaj rezolutës së OKB-së për Srebrenicën

Rusia i vendosi veton të mërkurën rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që e cilëson gjenocid masakrën kundër myslimanëve në Srebrenicë nga serbët etnikë.
 
Rezoluta, hartuar nga Britania e Madhe dhe mbështetur nga shumë vende, përfshirë këtu SHBA-të, ka marrë 10 vota pro, ndërsa katër vendet e tjera, përfshirë Kinën, aleaten e vjetër të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, abstenuan.
Përpara votimit kundër projektligjit, i dërguari rus në OKB e quajti atë një “dokument shkatërrimtar”, që nuk ndihmon në pajtim dhe i kërkoi Këshillit “të mos e hedhë propozimin e draftit për votim”.
Rezoluta, që ishte planifikuar të votohej të martën, u shty për të mërkurën pasi Rusia kërcënoi me veto dhe Kina kërkoi më shumë kohë derisa anëtarët e Këshillit të arrinin një konsensus.
Projektligji, prezantuar me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, ka zemëruar Serbinë, që refuzon ta quajë “gjenocid”.
Beogradi dhe serbët e Bosnjës e kanë quajtur rezolutën si nxitëse dhe përçarëse, ndaj dhe i kërkoi Rusisë që të vendosë veton.
Përveç kundërshtimit, Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se këtë fundjavë do të mbajë një shërbesë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës.
“Qeveria vendosi që unë ta përfaqësoj Serbinë në Srebrenicë”, tha Vuçiçi, pas një mbledhjeje emergjente të kabinetit.
Vendimi u arrit pasi Beogradi mori garancinë e Rusisë se ajo do të bllokonte rezolutën e OKB-së.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjë-Hercegovinës mësynë në Srebrenicë, e populluar nga boshnjakë myslimanë, duke vrarë rreth 8.000 burra dhe dëbuar gratë, fëmijët dhe të moshuarit.
 
Artikulli paraprakKosovarët tymosin milionat
Artikulli vijuesJa pse nxehet nganjëherë aq shumë telefoni