Ka njëzet vite që në historiografinë e Shqipërisë zyrtarisht është imponuar një qëndrim negativ karshi Perandorisë Osmane, invazionit të turqve në Ballkan, kulturës lindore, madje kundër çdo prurjeje që ka të bëjë me Lindjen.
Me një fjalë, kundër çdo fenomeni dhe ndodhie që ka ardhur nga pushtimi osman i Ballkanit, shkruan Koha Ditore, në serinë e artikujve nga Hasan Kaleshi, si pjesë të kumtesës që kishte lexuar në Kongresin I Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll, në vitin 1973.
Në shumë vende të librit “Historia e popullit shqiptar” (“Historia e popullit shqiptar I”, botim i dytë, Prishtinë, 1969, në disa vende), i cili dhe reflekton qëndrimin zyrtar të historiografisë shqiptare, hasim shprehje të panjohura për terminologjinë shkencore, si për shembull “turqit e tërbuar”, “hordhitë turke”, “aziatikët turq”, “barbarët”, etj..
Për të parë se deri në çfarë niveli ka arritur ky romantizëm kombëtar, kjo ndjenjë nënvlerësuese, kjo shpirtngushtësi shkencore, kjo shkëputje nga rrjedhat historike dhe kjo mospërfillje e të vërtetave shkencore, duhet t’u hedhim një sy kumtesave të Konferencës së dytë albanologjike të organizuar në Tiranë me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut më datë 12-18. I. 1968, (Konferenca e dytë e studimeve albanologjike I, Tiranë, 1969 – P.sh.
Aleks Buda nuk i kupton pushtimet turke, qëllimet dhe motivet e tyre, por ato i ndërlidh me dëshirat e sulltanëve për tokat dhe pasuritë e të tjerëve dhe për robër), si dhe kumtesave të lexuara në simpoziumin e Prishtinës, më datë 9-12. V. 1968 (Konferenca për Skënderbeun, Prishtinë, 1969. Këtu në shumë vende hasim shprehje si “hordhitë turke”, “bishat aziatike”, etj..)
Administrata e osmanëve në Ballkan, shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe padrejtësitë që me të vërtetë iu bënë popullit shqiptar shihen nga prizmi i shekullit XIX. Gjykohen ndikimet shumë të mëdha të orientit në secilin dimension material e shpirtëror të popullit shqiptar. (P.sh. në të gjitha shkrimet rreth folklorit shqiptar nuk thuhet asnjë fjalë për ndikimin e kulturës orientale, megjithëse ky ndikim është tepër i madh. Për këtë shih shkrimin tonë: “Orientalische Einflüesse in den Albanischen Volkserzahlungen Südost – Forschungen”, Band XXXI, München 1972, 267 – 301). Ngrihen në qiell shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan në latinisht dhe italisht, kurse hidhet poshtë tërë letërsia e atyre shqiptarëve që shkruan në gjuhët orientale. Shumica e këtyre shkrimtarëve jo që jetuan nëpër vende të huaja, por jetuan e krijuan në atdheun dhe në mesin e popullit të tyre. Në njërën anë promovohen veprat “atdhetare” të disa aktivistëve të dyshimtë të periudhës së Rilindjes Kombëtare, e në anën tjetër lihen në harresë personalitete të dobishme të kombit shqiptar. (Në librin “Historia e letërsisë shqipe I-II” të botuar nga Instituti Shtetëror i Tiranës, një kapitull iu është kushtuar humanistëve shqiptarë që shkruan në gjuhën latine dhe italiane, por nuk thuhet madje një fjalë e vetme për Koçi Beun, Lytfi Pashën, Jahja Bej Dukagjinin, Mesihin nga Prishtina, Shemsedin Sami Frashërin, Mehmet Akif Ersojin, e shumë të tjerë që lanë gjurmë në letërsinë dhe shkencën turke. Nga letërsia janë tërhequr edhe ata emra të poetëve shqiptarë që krijuan shqip me alfabet arab).
Pa dyshim se pushtimi i Ballkanit nga turqit rezultoi me dëme të rënda për serbët, grekët, bullgarët dhe disa popuj të tjerë të Ballkanit, të cilët kishin shtet, organizim të kishës, kulturë, letërsi dhe shkrim të vetin. Pushtimi turk i dha fund procesit zhvillues të këtyre popujve, si dhe ngadalësoi zgjimin e tyre kombëtar dhe kulturor, organizimin si kombe unike dhe pjesëmarrjen në lëvizjet kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Por, nuk mund të flitet njëjtë edhe për popullin shqiptar, ngase ai nuk kishte asnjërën prej këtyre që përmendëm. Deri në periudhën kur erdhën turqit, shqiptarët ishin nën sundimin e të huajve dhe nën influencën e kulturës së tyre, dhe pandërprerë asimiloheshin etnikisht dhe kulturalisht. Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri.