Buzë liqenit, të etur

Ganimetja e kishte vendosur tepihun për ta pastruar në pjesën e oborrit të shtruar me kubëza. Por, para se të fillojë pastrimin i duhet të sigurohet nëse do t’i mjaftojë ujë që mban bunari në këto ditë të nxehta korriku.
Edhe pse ky ujë nuk përdoret për pije, ajo thotë se duhet ta kursejnë, sepse mund të mbesin edhe pa të nëse nuk do të ketë reshje të bollshme. Në këtë pjesë të fshatit Orllan të Podujevës puset shterojnë sapo të fillojë i nxehti i korrikut e gushtit, shkruan sot “Koha Ditore”.
 
“Ndodh që gjatë verës të shterojë bunari edhe mbesim edhe pa këtë ujë. Më ka ndodhur që s’kam pasur ujë as për tesha t’i pastroj”, thotë Ganimete Demiri.
 
Edhe pse jetojnë buzë liqenit të Batllavës, banorët e këtij fshati janë të etur për ujë. Nga ky liqen furnizohen me ujë të pijshëm disa komuna të Kosovës, por jo edhe banorët përreth. Ata thonë se është absurde që ujin të mos mund ta shfrytëzojnë edhe ata. Nuk mbajnë mëri pse të tjerët pinë “ujin e tyre”. Por, e konsiderojnë si shumë diskriminuese pamundësinë që edhe ata ta përdorin këtë ujë.
 
“Për pije ose e blejmë ujin, ose baba kur të mundet shkon në Bajgorë me marrë ujë për pije”, tregon Ganimetja. “Për ujësjellës, katastrofë! Shumë është keq me pa ujin përskaj edhe mos me pasë mundësi me përdorë. Nuk na vjen inat pse të tjerët e përdorin. Por, duhet që edhe ne ta kem këtë mundësi”.
 
Krojet nëpër bjeshkë janë bërë gati të vetmet burime uji për këta banorë. Si nëpër kohë të vjetra, ata duhet të shkojnë me kilometra larg dhe të presin në radhë të gjata për të marrë ujë për pije, që ta shuajnë pak etjen në këtë vapë korriku.
 
Bajrush Ibishi është agjërueshëm. Gjatë ditës nuk i duhet uji për pije. Por, duhet të kujdeset që të ketë në shtëpi për kohën e iftarit e syfyrit. Ndryshe do ta ketë shumë keq punën.
 
“Kryesisht për pastrim e përdorim prej puseve. E për pije ose e blejmë ose e marrim në burime nëpër bjeshkë, burime natyrale si në Kalaticë, etj. Se të puseve nuk pihet. Në vitin 2006 i kemi bërë analizat dhe të gjitha puset e fshatit kanë dalë 100 për qind të papastra”, tregon profesori i historisë.
 
Por, ndodh që shumë herë të mos mund ta përdorin as ujin e puseve për pastrim. Banorët luten që mos të ketë ndërprerje të rrymës ose prishje të pompave. Ndryshe do të mund të mbesin edhe pa këtë ujë edhe në situata jo të mira.
 
“Pompat i kemi vendosur nëpër bunarë dhe e kemi bërë njëfarë zgjidhjeje, e cila nuk është aspak e përshtatshme. Po nuk po kemi tjetër rrugëdalje. Kur ndalet rryma, ato nuk punojnë. Ndodh që edhe të prishen, që është telash tjetër. Derisa të sanohet defekti, derisa të ndërrohet pompa, nuk kemi ujë”, thotë Bajrush Ibishi. “Kjo është një anomali që të mos e përdorim edhe ne ujin e liqenit, kur dihet se prej tij furnizohet gati gjysma e popullsisë së Kosovës”, thotë ai. /Koha Ditore/ 
Artikulli paraprakKosova me 742 xhami
Artikulli vijuesGoogle: Shikimi i videove në YouTube për rritur për 60 për qind!