Institucioni "Avokati i Shtetit" mbetet i mbyllur për shqiptarët në Maqedoni

Naser Ajdari, kryeavokat dhe Shafip Fidani – avokat shtetëror në Gostivar, janë dy shqiptarët e vetëm në mesin e 32 avokatëve tjerë që mbrojnë shtetin në shumë procese gjyqësore në Maqedoni. Shqiptarët nuk kanë zënë vend as në mesin e 17 këshilltarëve shtetëror dhe as në tre sektorët e institucionit Avokatia e Shtetit.
 
Për dy vjet me radhë institucioni Avokati i Shtetit mbetet i mbyllur për shqiptarët. Me ardhjen e Naser Ajdarit në krye të këtij institucioni, në fillim të nëntorit të vitit 2013, numri i shqiptarëve që mbrojnë interesat e shtetit u rrit nga një në dy, por që atëherë – brenda institucionit në fjalë nuk depërtoi asnjë shqiptar tjetër. Sipas të dhënave zyrtare, që mund të gjenden edhe në ueb faqen zyrtare të zyrës së Avokatit të Shtetit, për momentin – shqiptarët e vetëm që janë pjesë e këtij institucioni janë kreu i saj, Naser Ajdari dhe Shaip Fidani, avokat shteti i angazhuar për rajonin e Gostivarit, i cili me mandat të përhershëm është angazhuar në këtë detyrë në fillim të shtatorit të vitit 2013.  Pikërisht prania e vetëm dy shqiptarëve dhe statusi kuo për afro dy vite tregon që shërbimet dhe institucionet shtetërore, me në krye qeverinë, kanë vazhduar mospërfilljen e nenit 20, paragrafi 3 i Ligjit mbi Avokatinë e Shtetit. Paragrafi në fjalë parasheh që gjatë zgjedhjes së avokatëve shtetëror, Qeveria të marrë parasysh përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në këtë institucion. Megjithatë, të dhënat e prezantuara në faqen zyrtare të zyrës së zyrës së Avokatit të Shtetit zbardhin se vetë ajo dhe institucionet përkatëse nuk kanë gjetur modelin e duhur me të cilin do të rrisnin numrin e avokatëve shtetëror shqiptarë. Në këtë kontekst, vet kreu i institucionit përkatës shprehet se pikërisht Qeveria është ajo që duhet të reagojë ose të marrë masa në drejtim të rritjes së numrit të avokatëve shqiptarë që do të angazhohen për të mbrojtur interesat e shtetit, por edhe të numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, përfshirë postet e drejtuesve të sektorëve, këshilltarët shtetëror dhe nëpunësit e rëndomtë.
 
“Është fakt që numri i përgjithshëm i shqiptarëve duhet rritur dhe ne jemi duke bërë përpjekje në këtë drejtim. Megjithatë, Qeveria është ajo që duhet të marrë masa konkrete për këtë qëllim. Pra, numri i shqiptarëve të angazhuar në Avokatinë e Shtetit mund të rritet me një vendim qeverie. Megjithëse shpesh mund të dëgjohet se juristët shqiptarë nuk janë të interesuar për t’u angazhuar në këtë detyrë, mund t’ju them se qëndrimet e këtij lloji nuk janë të sakta. Sigurisht që ka juristë shqiptarë që janë të interesuar për t’u angazhuar në detyrën e Avokatit të Shtetit ose në pjesën e mbetur të hierarkisë së këtij institucioni”, tha Naser Ajdari, kryeavokati i shtetit. Ndërkaq, sipas të dhënave të prezantuara në faqen zyrtare të zyrës së Avokatisë së Shtetit, Qeveria për mbrojtjen e interesave shtetërore, përjashtuar kryeavokatin shqiptar dhe kolegun e tij të angazhuar për rajonin e Gostivarit, ka angazhuar ose zgjedhur 32 avokatë të tjerë shtetëror me kompetenca  për të mbuluar të gjithë territorin e vendit, 17 këshilltarë dhe tre udhëheqës sektorësh, që të gjithë përfaqësues të bashkësisë etnike maqedonase.
Artikulli paraprakBisedat sekrete që çuan në marrëveshjen bërthamore
Artikulli vijuesKompania kosovare NextSEO zgjeron bashkëpunimin me gjigandin gjerman Allianz