Xhamia, Bashkia vendos për projekt të ri, miraton propozimin e Komunitetit Mysliman

Pas miratimit të propozimit të Komunitetit Mysliman për ndërtimin e Xhamisë së Re, tek Namazgjaja, Komisioni ka shqyrtuar propozimet, për mënyrën e projektimit të Xhamisë së Re, bëri të ditur sot Bashkia e Tiranës në një njoftim shtypi.


Njoftimi thekson se anëtarët e komisionit për Xhaminë janë njohur fillimisht me të gjitha projektet e sjella në konkursin e zhvilluar rreth një vit më parë. Pasi kanë parë propozimet e studiove, Andreas Perea Ortega; Architecture Studio; Search; Zaha Hadid Architects dhe BIG, e cila u shpall edhe fituese, anëtarët e Komisionit vendosën unanimisht, se në Tiranë duhet një projekt i ri për Xhaminë, e cila të përshtatet me truallin e ri ku do të ndërtohet si dhe të reflektojë trashëgiminë kuturore shqiptare, në dizajnin e saj.
Në këtë mbledhje, Komisioni u njoh edhe me propozimin e Komunitetit Mysliman, për angazhimin e një studio arkitekturore, për hartimin e projektit.
“Sipas përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, Kryearkitekti dhe drejtuesi i kësaj studioje, me një veprimtari 28 vjeçare Muharrem Hilmi Shenalp ka ardhur në Shqipëri dhe është njohur me truallin e Namazgjasë. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila ne 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj”, citon njofti i shtypit.
Komisioni vendosi të miratojë propozimin e Komunitetit Mysliman dhe të ftojë arkitektet e propozuar prej tyre, për t’i intervistuar.
Në këtë mbledhje u miratua edhe komisioni i përbërë nga 6 anëtarë, përfaqësues të Komunitetit Mysliman dhe të Bashkisë së Tiranës, që do të përgatisë termat e referencës për intervistën./d.p/kohaislame

Artikulli paraprakQeveria miliona për këshilltarë
Artikulli vijuesKFOR-i po heton vendin e arrestimit