KFOR-i po heton vendin e arrestimit

Një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendin ku janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, për të vërtetuar dhe hetuar rastin.


Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër, me çka, sipas tij, ata edhe kishin shkelur marrëveshjen ushtarako – teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.
Derisa KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin kidnapuar brenda territorit të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me EULEX-in, për të ushtruar ndikimin që policët, ndaj të cilëve është shpallur ndalesa prej 48 orësh në burgun e Kurshumlisë, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.
“Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e kidnapuar. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë kidnapuar në territorin e Kosovës”, thotë Rexhepi.
Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian – EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe lokacionin e ndodhisë. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë – Serbi.
Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.
Ata (policët) dihet se janë në mbajtje për 48 orë dhe të shohim se çfarë rezultatesh do të sjellin presionet ndërkombëtare. Sot një komision i KFOR-it ka dalë dhe është duke e hetuar vendin ku ka ndodhur kidnapimi dhe, sipas të gjitha gjasave, do të dalë një raport se ai ka ndodhur në territorin e Kosovës”, sqaron Rexhepi.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdojnë reagimet pas arrestimit të dy policëve në Merdar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh indinjatën e vet të thellë me rastin e siç thuhet, “kidnapimit të dy policëve të Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës”.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se ky është një veprim armiqësor i Qeverisë së Serbisë, e cila, sipas tij, po dëshmon edhe njëherë se nuk ka orientim evropian.
“Ky veprim armiqësor i Qeverisë së Serbisë vjen si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, e cila në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, del me deklarata të çuditshme dhe bajate, gjoja për Serbinë evropiane dhe se gjoja Serbia e paska pranuar pavarësinë e Kosovës”, thotë Isufi.
Arrestimin e policëve kosovarë e kanë dënuar të shtunën edhe presidentja Atifete Jahjaga, Qeveria dhe subjektet politike duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Ndërkaq të dielën, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një deklarate ka dënuar këtë akt dhe u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për lirimin e dy policëve të rrëmbyer.
Përkeqësimi i raporteve edhe ashtu aspak të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka pasuar valën e arrestimeve nga të dyja palët.
Kjo gjendje është reflektuar dy ditët e fundit edhe në lëvizjen e lirë, çka dëshmohet me faktin se qytetarë të shumtë, përfshirë edhe ata që kthehen nga diaspora dhe që ia kishin mësyrë të kalonin përmes Serbisë në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare në Merdar është dashur të presin me orë të tëra për të kaluar kufirin. /rel/kohaislame

Artikulli paraprakXhamia, Bashkia vendos për projekt të ri, miraton propozimin e Komunitetit Mysliman
Artikulli vijuesEdita Tahiri: Kemi premtime për lirimin e shpejt të policëve