Portreti i një ish-rokeri

E falënderoj të Lartësuarin që më ka bërë rrugëdalje edhe atëherë kur s’është parë ndonjë zgjidhje në horizont. Ferki Shala

Ferki Shala ka lindur më 28 gusht 1963, në Mitrovicë. Ai është i biri i çiftit Fahri Shala, nga Tirana, dhe nënës Sadije, nga Novi Pazari. Është baba i dy vajzave, Illda dhe Rejallda. Ai u bë i njohur përmes muzikës, si vokalist me zë kumbues. Mirëpo tash e disa vite gjëja që ai më së shumti e urren është muzika. Bendi me të cilin këndonte Ferkiu quhej “TNT”, në kuptimin e një dinamiti shpërthyes. Vërtet Ferkiu shpërthente me zërin e tij. Këngët e tij ende janë të njohura, mirëpo ai është bërë shumë pishman, madje, s’do as të mendojë për atë pjesë të jetës së tij. “Kuptohet se muzika është arsyeja kryesore që unë jam bërë i njohur, mirëpo, tash e një kohë të gjatë jam plotësisht i dëshpëruar nga karriera muzikore, dhe, natyrisht, i penduar thellë.” – thotë ai.

E braktisi muzikën mu kur e kishte prekur majën më të lartë të sukseseve.

Kur ndokush e braktis profesionin në të cilin ka qenë shumë i njohur në publik e që ka qenë i lidhur ngushtë me të, gjëja e parë që na bie ndërmend është dështimi i ndonjë projekti apo dëshpërimi i tij me rezultatet e dobëta. Ndërkaq, te Ferkiu ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Ai e ndërpreu përnjëherë dhe përnjëmend karrierën e tij muzikore, siç thamë, mu në kohën kur ishte në majat e sukseseve. Këtë hap të vendosur e ndërmori në një moment shumë të papritur për publikun: “Në kohën kur ne, bendi “TNT”, e nxorëm albumin jubilar, të dhjetin me radhë, “Luje belin luje”, unë u gjenda në një situatë të vështirë. Ishte kompletuar krejt incizimi i këtij albumi, madje edhe spotin e kishim kryer, kurse unë kisha filluar të fal të pesë kohët e namazit. Ka pasur diku një javë apo dhjetë ditë ndërmjet prezantimit të albumit dhe kohës kur unë kisha filluar të falem rregullisht.”

Por, si ndodhi me të vërtetë lënia e muzikës e zëvendësuar me praktikimin e fesë islame në tërësi?

Saktësisht para 10 vjetësh (2005), teksa po rrinte i vetëm në banesën e tij, mëngjesin e arriti zgjuar. Kishte hyrë koha e namazit të sabahut, kur nga xhamia u dëgjua thirrja e ezanit. Ferkiu u prek shpirtërisht nga kjo thirrje, ndaj vendosi ta falte së paku këtë sabah në jetën e tij, ndonëse s’e kishte idenë si duhej falur. Meqë ishte vetëm dhe s’e shihte askush, vendosi të falej si të mundte. Por, pikërisht ky namaz ia ndërroi krejtësisht rrjedhat e jetës së tij dhe të familjes. Shumë shpejt edhe gruaja e tij e vajzat filluan të falen me të. Ky hap do të bëhej çelësi i lumturisë, siç pohon vetë Ferkiu, jo vetëm për të, por për tërë familjen e tij: “E falënderoj të Lartësuarin që më ka bërë rrugëdalje edhe atëherë kur s’është parë ndonjë zgjidhje në horizont.”

Megjithatë, duhet përmendur edhe një sprovë të madhe me të cilën u ndesh për hir të Allahut protagonisti ynë, Ferki Shala, pas ndërprerjes së karrierës së tij muzikore. Vetëkuptohet, duke qenë artist i zoti, ishte mësuar me jetë luksoze. Por, tash, që po tërhiqej, si do të jetonte? Nga do t’i siguronte të ardhurat? Ai, që në fillim, kishte vendosur t’i mbështetej vetëm Allahut për të gjitha problemet që do ta ndiqnin, e le të bëhet ç’të bëhet. Jetonte në një periudhë të rëndë financiare. Bashkë me familjen ditën e kalonte me nga tri-pesë euro, madje shpeshherë duke marrë edhe borxhe. Kishte ardhur një ofertë tepër sfiduese. Gjithçka varej nga një “PO” e Ferkiut, që do ta nxirrte veten dhe familjen nga vështirësitë financiare që gjendeshin. Ngjarjen, që u bë publike kohë më parë në disa portale, e tregon vetë Ferki Shala, përmes një statusi të tij. Bëhet fjalë për jo më pak se 60.000 euro të refuzuara, vetëm për të mos rënë edhe një herë në haramin nga i cili kishte dalë përgjithmonë, muzika!

Këngëtari apo bartësi i grupit “TNT”, Ferkiu e refuzoi koncertin në vlerë prej 60 mijë eurosh, siç thamë, vetëm, dhe vetëm që muzika është haram.

Në një status ai e ka përshkruar të gjithë ngjarjen, që, edhe përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, nuk ka pranuar të rikëndojë.

Ja statusi në fjalë:
“Sapo isha udhëzuar. Ende kisha dilema. Refuzoja koncerte dhe organizime muzikore, por kriza ekonomike më kishte kapluar. Mu atë ditë më thirrën nga Anglia, për fundvit dhe për tri netët e Vitit të Ri, që të bëja muzikë. Refuzova, por më thanë se këtë fundvit parashohin ta paguajnë bendin 60 mijë euro, plus bakshishet. Nuk ua dhashë përgjigjen. Kjo më ngacmoi (cytje nga shejtani: shko vetëm edhe këtë herë, jepu fund herëve të tjera). Por, ja ç’më rëndoi edhe më shumë: më thirri gruaja e më tha se duhen disa gjëra për familjen… Të them të drejtën, në xhep nuk i kisha as dy euro. Vendosa ta bëja një praktikë të të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ve selem: të fal namaz për t’u qetësuar… Dhe, me të dalë nga xhamia, më thirri një numër i panjohur. Më tha: “A jeni Ferkiu? “Po”, – i thashë. Më pyeti ku mund të takoheshim? I tregova. U takuam. M’u prezantua dhe më tha: “Jemi studentë dhe kemi dashur të të përkrahim, ngase kemi dëgjuar se jeni udhëzuar dhe e keni lënë muzikën, ndërsa gjendja ekonomike ju është vështirësuar.” Nuk më lejoi t’i bëja më shumë pyetje. Më la një zarf dhe iku… Me t’u ndarë, e hapa zarfin, qenë 600 euro, që të gjitha nga 5 dhe 10 euro. Në ato momente më është rrotulluar Mitrovica duke m’u mbushur sytë me lot. Kjo ishte e pabesueshme. S’kam fjalë ta shpjegoj. Dhe vazhdon: I jam drejtuar Allahut me plot zemër: elhamdulilah, elhamdulilah, elhamdulilah! I patëmeta je, o Allah. Furnizimi është vetëm në dorën Tënde. Në ato momente më rithirrën nga Anglia. Tashmë edhe e kishin rritur shumën. Por, tani isha i vendosur për të thënë “JO”. Unë jam musliman dhe për mua muzika ka marrë fund. Shokët e mi të bendit këmbëngulnin: Si po e lë këtë mundësi. Po na lë pa bukë, e fjalë të ngjashme… U thashë: “Nga sot Ferkiun e keni vëlla, e jo shok të muzikës, të alkoolit, e të haramit. E mbarova me ta dhe shkova në dyqan. Lava disa borxhe dhe i mora gjërat që m’i kërkoi gruaja. Kur hyra në shtëpi, gruaja mbeti pa fjalë. Më pyeti: “Prej nga të gjitha këto?” Iu përgjigja: “Ja, grua, ç’të sjell Islami: refuzova një mbrëmje harami, Allahu m’i dhuroi këto me hallall.” Vallahi, tërë Londrën e tërë botën të ma jepnin atëbotë, s’do ta kishte vlerën e kësaj. Vetëm Allahu e di sa i lumtur jam ndier… (Në ato momente, teksa rrëfente, lotët nuk i ndaleshin nga sytë vëllait tonë, Ferkiut). Kjo ndodhi qe shkaku që gruaja vendosi të mbulohet, elhamdulilah.

[1] Ferki Shala,

Revista “Shembulli” ka zhvilluar një bisedë të shkurtër për t’u njohur më për së afërmi me jetën e tashme të Ferkiut.

Shembulli: Kohët e fundit nuk jeni prezent. A mund të na thoni me se po merreni konkretisht tash e disa vite?

Ferki Shala: Po mendoni praninë mediale. Mund të them që edhe kohët e fundit jam goxha aktiv, por jo në të gjitha mediet dhe normalisht jo si më parë. Më shumë më gjeni në ato që janë vërtet të pavarura dhe në disa të tjera që promovojnë vlera të mirëfillta!

Shembulli: Si po e kaloni jetën tash prejse keni bërë ndryshime rrënjësore, kur jeni mësuar të jeni gjithnjë në qendër te medieve, ndërkohë që tash nuk shiheni fare? A po i mungoni ju publikut apo publiku juve?

Ferki Shala: Keni te drejtë, se s’jam si më parë në skenë, por s’keni të drejtë kur thoni se kam humbur fare… Ndryshimi është se kam zbritur nga skena në publik dhe tani po e bëj jetën bashkë me ‘publikun’, dhe as unë e as ata s’po ndjejmë mungesë.

Shembulli: Një kohë, pasi e latë karrierën prej këngëtari shumë të njohur e të suksesshëm, me sa di, merreshit me gjëra shumë të thjeshta, siç është shitja e mjaltit. Çfarë mund të na thoni për këtë, si ndiheshit?

Ferki Shala: E kam thënë edhe në disa intervista të tjera se s’ka qenë e lehtë ta ndryshosh mënyrën e jetesës, por nuk është e pamundur. Madje, me ndihmën e Allahut, çdo gjë është e lehtë. E falënderoj të Lartësuarin që më ka bërë rrugëdalje edhe atëherë kur s’është parë ndonjë zgjidhje në horizont.

Shembulli: Dimë se i keni dy vajza. A është shtuar numri i anëtarëve të familjes suaj?

Ferki Shala: Po, i kam vetëm dy vajza, por Allahu më përgëzoi me nipin, Ensarin, dhe mbesën, Hana.

Shembulli: Tash çfarë ju intereson më së shumti në jetë dhe cila është dëshira juaj e vetme?

Ferki Shala: Më së shumti në jetë më intereson, si çdo besimtar, të kryej më së miri rolin për të cilin më krijoi Zoti. Pra, ta përsos moralin tim dhe ta shtoj adhurimin ndaj Allahut, sepse, siç e dimë të gjithë, ditët në këtë botë i kemi të numëruara dhe s’kemi kohë për të humbur!

Dëshira ime e vetme? Ha ha ha. Dëshirat nuk i kam të reduktuara, kam shumë, dhe, për realizimin e tyre, lutem çdo ditë e çdo natë… Sigurisht, nëse këtë grumbull dëshirash do ta përmblidhja me një fjalë, janë: njerëzit (edhe unë bashkë me ta) të jetojmë jetë të mirë në këtë botë dhe të dalim faqebardhë para Allahut, Zotit tonë Falës e Mëshirues!

Shembulli: Në Kosovë është bërë shprehi të thuhet se ata që e praktikojnë fenë në mënyrë të vendosur janë ekstremistë dhe vehabistë, që po e prishin tolerancën ndërfetare. Cila është përgjigjja juaj për këtë?

Ferki Shala: Etiketimet fatkeqësisht ‘pinë ujë’ në pjesën më të madhe të popullit, sepse shumica nuk interesohen në esencë për çfarë po bëhet fjalë, por mjaftohen me tituj gazetash, lajmesh ose me muhabete kafenesh. Pjesën e vehabizmit dhe ekstremizmit mendoj qe e kanë shtjelluar mjaftueshëm hoxhallarët përmes ligjëratave të tyre (që mund t’i gjeni në “youtube” dhe “Peace tv”) dhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës. Ndërkaq, toleranca fetare mendoj se, jo që s’është e prishur, por është shembull në rajon!

Shembulli: Po ashtu thuhet edhe se ata që janë kapur fort për fenë islame po paguhen me para të majme. Ndërkaq ju jeni shembull që i keni lënë paratë dhe luksin për t’iu përkushtuar sa më shumë fesë. Cila është porosia juaj për këtë?

Ferki Shaka: Materialistët në “logjikën” e tyre kanë vetëm një inspirim, vetëm një gjë që i vë në lëvizje. Ajo është paraja, bota materiale! Ata s’mund ta shpjegojnë jetën e të tjerëve veçse me jetën e tyre. Ata zgjohen në mëngjes që të fitojnë, të punojnë e të ndërtojnë. Fotografohen për t’u dukur dhe prapë janë të pakënaqur, sepse jeta e tyre s’ka kuptim dhe i lodh shumë. Pak nga ata e prekin dashurinë, e s’po flas për adhurimin, që është kulmi i dashurisë. Besimtari ka një Zot që e ka krijuar, të Cilin e adhuron me çdo qelizë të tij. Ngrihet në mëngjes dhe shkon ta falënderojë Zotin dhe ndjehet më mirë se multimilioneri.

Shembulli: A keni në plan ndonjë projekt të ri, ndonjë ilahi a diçka tjetër?

Ferki Shala: Projekti i ri le të mbetet sekret.

Shembulli: Cila është porosia dhe dëshira juaj për muslimanët në botë sot, kur dihet se gjendja e tyre nuk është aspak mirë?

Ferki Shala: Dëshira ime është të mbizotërojë paqja dhe harmonia, jo vetëm aty ku janë muslimanët, por në tërë botën. Allahu na udhëzoftë e na e shtoftë besimin dhe sinqeritetin! Amin!

Intervistoi: Fehmi Maloku
Intervistë ekskluzive për Revistën Shembulli
Shembulli.com

Artikulli paraprakRinia shqiptare ik në Evropë dhe Amerikë, Maqedonia po zbraset nga shqiptarët?!
Artikulli vijuesNë 24 orët e fundit mbi 1000 refugjat janë futur në Maqedoni