HAXHI ALI ELBASANI – Përfaqësuesi i Unitetit Kombëtar

Përfaqësuesi i Unitetit Kombëtar

Jeta dhe veprimtaria e Haxhi Ali Elbasanit shtrihet më se gjysmë shekulli në shekullin e kaluar dhe më se një çerek në të sotmin. Ai përjetoi ngjarje të dhëmbshme të vëllezërve të tij: betejat, copëtimin e vendit, mërgimet e detyruara, varfërinë e popullit, përçarjen që mbillte propaganda e huaj greke e sllave etj.
I pajisur me kulturën e lartë fetare, të cilën e kishte fituar në aulat e Universitetit të Stambollit, dhe i frymëzuar nga idealet kombëtare, Haxhi Ali Elbasani fitoi besimin e popullit, i cili e zgjodhi deputet e më pas dhe anëtar i Senatit. Vajtja në Haxh e pasuroi botëkuptimin e tij me ndjenja fisnike të moralit Islam.
Në mënyrë të vaçantë Haxhi Ali Elbasani u shqua si publicist, veprimtar shoqëror e patriot. Gjatë kohës që qe në Turqi, drejtoi gazetën “Zemra” (“Yrek”), që botohej në dy gjuhë: shqip dhe turqisht, me alfabet arab. Në dalje të saj, kjo gazetë u bë tribunë e pikëpamjeve lidhur me nevojën e organizimit të arsimit në Shqipëri. Haxhi Ali Elbasani ishte dhe kryetar i Klubit “Bashkimi”, i cili kishte si organ të vetin gazetën “Fjala e drejtë”.
Pikëpamjet e Haxhi Ali Elbasanit lidhur me arsimin, mirëkuptimin në mes besimtarëve të feve të ndryshme etj, janë pjesë e ideve të rilindësve. Ai propagandonte tolerancën e mendimit, në bazë të së cilës shtronte bashkëpunimin në mes myslimanëve dhe kristianëve: “Myslimanët duhet t’u shtrijnë dorën kristianëve, sepse kjo e forcon kombin shqiptar”.
Më 1913-1914 ai drejtoi “Komitetin e Zgjimit dhe të Besës Shqiptare”, me qendër në Elbasan. Me qëndrimet e tij, me kulturën që zotëronte si myderiz dhe përvojen që kishte fituar sa kohë shërbeu në organet legjislative të Turqisë, Haxhi Ali Elbasani fitoi një popullaritet jo vetëm në Elbasan, por dhe në të gjithë zonën e Shqipërisë së Mesme.
Haxhi Ali Elbasani vdiq i nderuar në vitin 1928.

Artikulli paraprakMULLA IDRIZ GJILANI – Udhëheqësi Shpirtëror, Politik e Ushtarak
Artikulli vijuesHAFIZ ALI KORÇA – Hoxha i Përndjekur