Parlamenti britanik debat për legalizimin e kanabisit

D​eputetët e Parlamentit në Britaninë e Madhe do të zhvillojnë një debat të gjerë për të përcaktuar nëse shteti duhet ta legalizojë kanabisin, ta shesë atë në dyqane dhe të vendosë taksë mbi përdorimin e tij, me qëllim financimin e Shërbimit të Shëndetit Kombëtar (NHS)
Drejtuesit e fushatës ndihen entuziastë nga kjo lëvizje e Parlamentit, pas peticionit me 210 mijë firma, i cili u publikua në faqen e tij zyrtare. Ditën e djeshme u vendos që projektligji për legalizimin e kanabisit të hidhet për diskutim më 12 tetor në Uestminster, në Dhomën e Komuneve.
Projektligji do të prezantohet nga deputeti laburist, Paul Flynn (Pol Flin) i cili ka bërë fushatë për më shumë se një dekadë, për të lejuar përdorimin e drogës për qëllime mjekësore. Ndërsa katër kandidatët për lidershipin e Partisë Laburiste, janë shprehur në favor të legalizimit të kanabisit. Deputeti laburist, Andy Burham, në garë për kreun e partisë, është zotuar se do ta shqyrtojë çështjen e legalizimit të drogës për qëllime mjekësore.

Burham ka premtuar se, nëse bëhet Kryeministri i ardhshëm, do ta legalizojë kanabisin për pacientët me sëmundje të rënda. Në fillim të këtij muaji, Burham deklaroi se mund ta legalizojë kanabisin për pacientët e sëmurë, duke argumentuar se “përfitimet janë të jashtëzakonshme” për sklerozën e shumëfishtë, e cila godet trurin. Deklaratën ai e bëri pasi të katërt kandidatët për kreun e laburistëve u shprehën në unison se, do të hulumtonin mbi përfitimet e pacientëve nga përdorimi i drogës ilegale.

Gjatë shpalosjes së platformës elektorale në “Sky News”, Burnham u ndal edhe te çështja e kanabisit. “Njerëzit që vuajnë nga sëmundje si Skleroza e Shumëfishtë… betohen që… përfitimet mjekësore janë të jashtëzakonshme. Por, duhet të kontrollohet, sipas mendimit tim, për të lejuar vetëm përdorimin mjekësor dhe, natyrisht, kjo është ajo që shkakton debat. Ndaj, unë e kuptoj përse njerëzit tronditen nga kjo. Do të ecim me kujdes, por nuk do të isha kundër që të mund të tregonim një fleksibilitet më të madh, vetëm për përdorimin mjekësor”.

Argumenti i tij për “përfitimet janë të jashtëzakonshme”, ka gjetur përkrahjen e Jeremy Corbyn, i cili e ka mbështetur prej një kohe të gjatë përdorimin mjekësor. Corbyn, edhe ai kandidat për lidershipin e Partisë Laburiste, i cili e përkrah prej mëse një dekade lehtësimin e legjislacionit për kanabisin, konfirmoi se do ta lejonte menjëherë përdorimin mjekësor të tij dhe do të lobojë për ta shtrirë përdorimin e tij legal. Jeremy Corbyn tha gjatë një debati se, përfitimet e drogës ishin të dukshme. “Duket qartë se ka shumë përfitime për njerëzit dhe mendoj se duhet të rritemi si një shoqëri dhe ta dekriminalizojmë.

Duhet t’i shohim politikat për drogërat në tërësi”, tha ai. Deputetja Yvette Cooper ka mbajtur një qëndrim të njëjtë, duke u shprehur se, “nëse (droga) i ndihmon pacientët, ajo duhet të lejohet”. Sipas deputetes që garon për kreun e partisë, droga “duhet t’u nënshtrohet proceseve normale, si të gjitha drogat e tjera”. Ndërsa kandidatja tjetër, Liz Kendall (Liz Kendëll) u shpreh më pak në favor të kësaj, megjithatë, ajo shtoi se “duhet të bëhen eksperimentet e duhura, pasi shumë njerëz besojnë shumë se kjo e bën diferencën”.

Gëzimi i deputetit lobues

Ndërsa deputeti Jon Liebling nga Aleanca e Pacientëve të Bashkuar, i cili përfaqëson 7500 përdorues të kanabisit mjekësor u shpreh optimist: “Ne jemi të ngazëllyer që Komiteti i Peticioneve ka vendosur të zhvillohet një debat. I inkurajojmë të gjithë deputetët tanë të marrin pjesë në një debat të informuar, pragmatist dhe të bazuar në prova. Ai duhet të çojë, të paktën, në lejimin e njerëzve të sëmurë për të përdorur një mjekim të ligjshëm dhe efektiv, i cili përmirëson gjerësisht cilësinë e jetës së tyre, pa frikë nga kriminalizimi”.

Të gjithë deputetët do të mund të marrin pjesë në debatin historik, edhe pse qeveria e ka thënë fjalën e saj se nuk do ta ndryshojë pozicionin ndaj drogës ilegale. Konservatorët e Dejvid Kamerun formuluan një përgjigje-rrufe, në të cilën thuhej shprehimisht se, “të dhënat e fundit shkencore tregojnë se kanabisi është një drogë e dëmshme, e cila mund ta dëmtojë shëndetin e njeriut”./Gazeta shekulli

Artikulli paraprakBabai mbyt tre djemtë e tij dhe më pas ther veten më thikë
Artikulli vijuesTenton të trafikojë një vajzë për prostitucion, arrestohet 55-vjeçari