Organizata humanitare Hilal e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame vazhdon me aktivitetin e saj në ndihmë të refugjatëve nga Lindja e Mesme. Me rënien e temperaturave dhe ardhjen e reshjeve të shiut, aksionet kanë filluar të ndryshojnë për nga përmbajtja, duke shpërndarë batanije, veshje të ngrohta si dhe ushqime me pije freskuese dhe racione energjetike.
Gjatë vikendit që lamë pas, nga kjo Organizatë njoftojnë se në bashkëpunim me rininë Dibrane, kanë bërë shpërndarjen e qindra batanijeve dhe veshmbathjeve, ndërsa në bashkëpunim me Bankën Pro Kredit janë shpërndarë sandviçë dhe ushqime të ndryshme, ndërsa të njëjtin bashkëpunim e kanë bë edhe në bashkëpunim me Doo Sabina dhe Pelagonka, kompani të cilat kanë siguruar disa tonelata ujë të pijshëm dhe pije freskuese.
“Gjatë këtij vikendi kemi sistemuar dhe ndihmuar mbi 12000 refugjatë të cilët kanë kaluar nëpër vendin tonë”, thotë Mustafa ef. Dauti Kryetar i Organizatës Humanitare Hilal, i cili më tej tha: “OH Hilal falënderon të gjithë donatorët që nëpërmjet kësaj organizate humanitare u dalin në ndihmë mijëra refugjatëve në rrugën e tyre të mundimshme. Rënia e temperaturave dhe shpeshtimi i reshjeve të shiut e kanë vështirësuar rrugëtimin e këtyre njerëzve, por ne po bëjmë çmos që tu dalim në ndihmë, duke shpërndarë batanije, veshje të ngrohta dhe ushqime energjetike. Falënderoj donatorët nga Zvicra dhe Suedia, qytetarët nga Dibra, Bankën Pro Kredit si dhe kompanitë Pelagonka dhe Doo Sabina, të cilët gjatë kësaj jave kanë bashkëpunuar me organizatën tonë, për qëllimin e përbashkët për ti ndihmuar refugjatët që kalojnë nëpër vendin tonë.”
Që nga fillimi i krizës së refugjatëve OH Hilal me përkrahjen e parezervë të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, ka dhënë ndihmë për mijëra refugjatë. Ekipet mobile të OH Hilal janë 24 orë në teren dhe po bëjnë shpërndarjen e ndihmave të ndryshme, për njerëzit të cilët kanë nevojë.