Spanja arreston udhëheqësin e "bandës së kokainës" në Evropë

Policia spanjolle ka njoftuar se e ka arrestuar një shtetas anglez i cili dyshohet të jetë kryesuesi i bandës më të madhe të trafikut të drogës në Evropë.
Përmes një deklarate, autoritetet spanjolle kanë bërë me dije se Robert Dawes, 44 vjeçar nga Nottingham i Anglisë, është arrestuar më 12 nëntor në qytetin jugor spanjoll Benalmadena dhe i njëjti është ekstraduar për në Francë.

Ndonëse është arrestuar një muaj më parë, lajmi për arrestimin e tij është publikuar sot.
Autoritetet spanjolle kanë thënë se Dawes “ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut për në Evropë si dhe ka transportuar drogë nga Turqia dhe Afganistani për në Britani”.

Hetuesit spanjollë kanë thënë se rreth 50 persona që dyshohet se i kanë takuar grupit të udhëhequr nga ai, janë arrestuar në vende të ndryshme gjatë viteve të fundit.

Hetuesia spanjolle ka thënë se tre anëtarët e bandës së tij, kanë qenë në mesin e 30 personave të arrestuar në vitin 2013, pas aksionit të policisë franceze ku janë konfiskuar 1.43 tonë kokainë, e cila gjendej në 32 valixhe që po barteshin me fluturimin e Air France nga Venezuela.

Artikulli paraprakKomuna e Strugës thellon bashkëpunimin me komunën Turke Byjykçekmexhe
Artikulli vijuesNjë delegacion i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së e vizitoi Universitetin Uludağ të Bursës në Republikën e Turqisë