Komuna e Strugës thellon bashkëpunimin me komunën Turke Byjykçekmexhe

Sot Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, priti në një takim Kryetarin e Komuës së Byjykçekmexhesë, Hasan Akgun.

Sela i falenderoi miqtë nga Stambolli për bashkëpunimin në fushën e arsimit, duke pasur parasysh 1000 uniformat e siguruara nga Komuna e Byjykçekmexhesë për nxënësit e SHMK Gjimnazi Dr. Ibrahim Temo.

Më pas ai e njohu Akgun dhe ekipin e tij me sukseset dhe problemet e shumta të Komunës së Strugës, ku ndër të tjera veçoi projektet që janë në përpilim e sipër.

“Ne kemi mjaft probleme në fushën e arsimit , sepse trashëguam një situatë të rënduar me plot borxhe, prandaj ndihma juaj simbolike në këto kushte është mjaft e mirëseardhur. Sa i përket marrëdhënieve tona, jam i lumtur që binjakëzimi i komunave tashmë ka filluar të zbatohet. Ne ju ftojmë që të bashkëpunojmë edhe në projekte të tjera, që lidhen me multikulturalizmin, por edhe me të kaluarën tonë. Do t’iu ftoja të shikonit projektet tona për ruajtjen e trashëgimisë sonë, kulturore, për xhamitë, hamamet, apo edhe Sahat-Kullën që egzistonin në periudhën osmane në Strugë”, tha ndër të tjera Ziadin Sela.

Nga ana tjetër Kryetari i Komunës së Byjykçekmexhesë, Hasan Akgun u shpreh i lumtur, që më në fund po takohej me Kryetarin e Komunës së Strugës Ziadin Sela dhe që komunikimet dhe bashkëpunimet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe produktive.

“Ne kemi marrëveshje binjakëzimi me rreth 14 komuna, nga Koreja e Veriut deri në SHBA, por marrëveshjet me komunat në ballkan, veçanërisht Strugën dhe Çairin janë të veçanta. Kjo për një të kaluar të përbashkët. Unë nuk u ndjeva shumë i huaj kur shihja mbetjet e qytetërimit osman, apo xhamive të vjetra. Nga ana tjetër, në rrethinën tonë ekziston një lagje e tërë që quhet Arnavut Mahalesi (Lagjja e Shqiptareve), ku një ndër rruget e kësaj lagje mban emrin e qytetit të Tetovës. Megjithatë ne mendojmë, bashkëpunimin duhet ta shtrijmë në shumë fusha me në krye arsimin. Ne u shprehëm të gatshëm, që te mbulojmë me tekste mësimore të gjithë nxënësit tek Ibrahim Temo, por nuk na lejuan nga Qeveria. Gjithsesi kjo nuk do të na pengojë. Nesër ju ftoj që së bashku të zhvillojmë një aktivitet të përbashkët te Shkolla Fillore, ku kemi menduar të dhurojmë mjete mësimore për të gjithë nxënësit. Në të ardhmen e afërt kemi menduar, që në rast se gjejmë së bashku një hapësirë të përshtatshme të ndërtojmë një kampus për të rinjtë, ku të rinj nga Byjykçekmexhe dhe Struga do të mund të zhvillojnë aktivitete së bashku”, tha mysafiri nga Turqia.

Sela falenderoi homologun turk, ndërsa shprehu gadishmërinë e tij për shqyrtimin e menjëhershëm të të gjitha mundësive për realizimin e këtyre ideve.

Në fund kryetarët respektivë shkëmbyen edhe disa dhurata simbolike.

Artikulli paraprakNdihmoni Semirit të vogël nga Sellca, vuan nga smundja e eshtrave
Artikulli vijuesSpanja arreston udhëheqësin e "bandës së kokainës" në Evropë