Tensionet Rusi-Perëndim pasqyrohen në garën e armatimeve

Pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, vendet perëndimore rritën tonet ndaj Rusisë duke kërkuar marrjen e masave kundër rrezikut të saj për sigurinë

Marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Perëndimit të cilat patën një hov në vitin 2014 me krizën në Ukrainë, krahas ekonomisë dhe politikës janë pasqyruar edhe në fushat e armatimeve dhe shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, raporton  (AA).

Pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, vendet perëndimore rritën tonet ndaj Rusisë duke kërkuar marrjen e masave kundër rrezikut të saj për sigurinë. Ndërsa kriza e Ukrainës ka frikësuar vendet e Baltikut për shkak të kapaciteteve ushtarake dhe pozitës së tyre gjeografike.

Ndërsa shqetësimet në rritje të vendeve të Baltikut kanë vënë në lëvizje Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n.

Sipas Eurostat, harxhimet e vendeve të Aleancës të cilat nga viti 2002 deri në vitin 2015 kanë qenë në rënie, pas thirrjeve të NATO-s për rritjen e tyre, vitin e shkuar kanë nisur përsëri të rriten.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se pas shumë vitesh ndërprerjeje të shpenzimeve, në muajin shkurt është kaluar në një fazë tjetër. Ai ka theksuar se një pjesë e vendeve të Evropës dhe Kanadaja, vitin e shkuar kanë rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes me 3.8 për qind.

Nga ana tjetër Kancelaarja gjermane, Angela Merkel, gjatë konferencës për mediat pas takimit me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se vendi i saj “do të rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes deri në 2 për qind të të ardhurave bruto që prej vitit 2024”. Gjermania e cila nuk arriti dot synimin prej 2 përqindësh në fushën e harxhimeve të mbrojtjes në periudhën 2009-2016, gjatë vitit 2009 harxhoi 1.39 për qind të të ardhurave bruto në fushën e mbrojtjes, ndërsa gjatë 3 viteve të fundit këto harxhime kanë qenë 1.19 për qind.

Gjermani planifikon që të rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes gjatë këtij viti me 6.8 për qind.

Politikat rajonale të Rusisë

Moska zyrtare krahas krizës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë në vitin 2014, shpesh herë ka shkelur nga ajri dhe toka edhe kufijtë e vendeve të Baltikut. Kjo gjë ka bërë që BE-ja dhe NATO të rrisin shqetësimet e tyre.

Shenjëstrimi i NATO-s si një kërcënim themelor i jashtëm në kontekstin ushtarak, nga ana e Rusisë dhe krahas fuqisë nukleare rritja e armatimeve të vendeve të këtij rajoni ka bërë që tensionet të përshkallëzohen.

Ndërsa një tjetër shqetësim për vendet e Baltikut, Perëndimin dhe NATO-n është edhe pretendimi se Rusia ka rritur depozitimin e armëve nukleare dhe materialet e tjera të nevojshme në Kaliningrad, vend ky që ndodhet në kufi me Lituaninë, Bjellorusinë dhe Poloninë.

Nga ana tjetër prania e Rusisë në pesëshen e parë të vendeve që harxhojnë më shumë në fushën e mbrojtjes që prej vitit 1990, është një tjetër arsye për rritjen e shqetësimeve. Qendra analitike britanike “Jane’s Defence Budget”, thotë se Rusia për nga harxhimet në fushën e mbrojtjes në vitin 2016, ndodhet në vendin e gjashtë.

Zyrtarët rusë kanë komentuar se harxhimet e këtij vendi në fushën e modernizimit të mbrojtjes, nuk do të tkurren edhe pse vendi ndodhet përballë vështirësive të ndryshme ekonomike.

Shpenzimet e Rusisë në fushën e mbrojtjes gjatë vitit 2016 janë rritur me 14 për qind.

NATO forcon krahun lindor

NATO i ka bërë thirrje vendeve anëtare që të rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Në samitin e NATO-s i zhvilluar në Uells në vitin 2014, u mor vendimi për rritjen e shpenzimeve të vendeve anëtare të kësaj aleance në 2 për qind të të ardhurave të brendshme bruto.

Sipas statistikave të “Jane’s Defence Budget” të ardhurat e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes u rritën në vitin 2016 për herë të parë që prej vitit 2010. Një nga arsyet e rritjes ishin sjelljet sulmuese të Rusisë në rajon dhe rreziku që vinte nga organizata terroriste DEASH.

Pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, NATO nisi të forcojë rajonin e vendeve të Baltikut, “krahun e saj lindor” për të rritur sigurinë në këto vende.

Janarin e shkuar filluan dislokimet e trupave të NATO-s në vendet si Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia. Ndërsa theksohet se në muajt në vijim prania e tyre do të rritet në këtë rajon.

SHBA e cila ka ngritur një sistem antiraketor në Rumani, planifikon të ngrejë një të ngjashëm edhe në Poloni. Ndërsa kjo gjë ka hasur në reagimet e ashpra të Rusisë.

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s, gjatë takimit në Bruksel, muajin e shkuar, vendosën forcimin e pozitave të aleancës në Detin e Zi. NATO në këtë mënyrë duke rritur praninë ushtarake në vendet kufitare me Rusinë, planifikon të ndikojë për të frenuar këtë vend.

SHBA rrit shpenzimet

SHBA-ja është vendi me shpenzimet më të larta në botë në fushën e mbrojtjes me 523.9 miliardë dollarë. Ndërsa Presidenti aktual, Donald Trump, është shprehur pro rritjes së mëtejshme të këtyre shpenzimeve.

Duke vënë në dukje se shpenzimet në këtë fushë janë të pamjaftueshme, Trump ka kërkuar një rritje prej 54 miliardë dollarësh. Trump pjesën prej 9.2 për qindësh mendon ta ndajë nga buxhetet e institucioneve të tjera të vendit.

SHBA-ja vetëm gjatë vitit 2015 ka bërë dy herë më shumë shpenzime në fushën e mbrojtjes se sa BE-ja.

SHBA-ja e cila është kontribuuesja më e madhe e Aleancës, gjatë vitit 2016 ka shpenzuar 2.61 për qind të të ardhurave të brendshme bruto, për fushën e mbrojtjes.

Dhjetë vendet që kanë shpenzimet më të larta në botë në fushën e mbrojtjes janë: SHBA-ja, Kina, Britania e Madhe, India, Arabia Saudite, Rusia, Franca, Japonia, Gjermania dhe Koreja e Jugut. Ndërkohë 4 prej tyre janë pjesë e NATO-s.

Artikulli paraprakSela: Ka shumicë parlamentare, por nevojitet të respektohet nga presidenti
Artikulli vijuesDhjetëra kallëzime penale për korrupsion ndaj zyrtarëve të shtetit