Kukan dhe Kacin kërkojnë lirimin e Hasan Abazit

Udhëheqës të delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, Eduard Kukan dhe Jelko Kacin i kanë dërguar një letër kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkovic, për të shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimin e shqiptarit nga Kosova, Hasan Abazi, më 28 mars.


Kukan dhe Kacin kanë kërkuar lirimin e Abazit, ndërsa sipas tyre, mbajtja në paraburgim e kryetarit të Sindikatës së pavarur të punëtorëve metalikë të Kosovës, Hasan Abazi, krijon “shqetësim serioz në aspektin e pavarësisë së institucioneve shtetërore dhe sundimit të ligjit në Serbi”.

“Sipas informacioneve tona, Abazi, në 48 orët e para është mbajtur ilegalisht në paraburgim, dhe nuk i është lejuar të takohet me avokatin e tij e as me anëtarët e familjes së tij”, theksohet në letrën e Eduard Kukanit dhe Jelko Kacinit.

“Paraburgimi i Hasan Abazit është hap në drejtim të gabuar”, thonë ata.

Eduard Kukan është kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ndërkaq Jelko Kacin është zëvendëskryetar i këtij delegacioni. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakKFOR-i mohon se janë mbyllur rrugët alternative në veri
Artikulli vijuesTreg prapa Pallatit të Rinisë