Të shtysh pensionin me … 1.5 ton flori

Pak përpara se të arratiseshin nga Tunizi, gruaja e tij, Leila, solli me shpejtësi edhe 1.5 ton flori në avionin e tyre privat.

Më pas diktatori Zine el-Abidine Ben Ali u zhduk nga vendlindja e tij, Tunizia- me shumë gjasë përgjithmonë.

Objektivi: Arabia Saudite.

Familja duhet ta konsumojë këtë thesar në mërgim.

Ben Ali ishte i pari autokrat arab, që u rrëzua nga populli i tij në fillim të Pranverës Arabe, 5 vjet më parë.

Ish-sundimtari jeton me të shoqen, vajzën e tij 22-vjeçare, Halima dhe djalim 11-vjeçar, Mohamed, nën mbrojtjen e familjes mbretërore saudite në një kompleks luksoz në qytetin port Jeddah.

Atje jetoi për 24 vite edhe ish-diktatori ugandez Idi Amin, pas rrëzimit nga pushteti, deri kur vdiq në vitin 2003.

Sauditët i mbrojnë me ushtri miqtë e tyre nga të gjitha anët.

Vetëm dy herë është shfaqur ish-diktatori prej atëherë, në një rast në tetor të vitit 2011 kur mori pjesë në homazhet për princin e kurorës, Sultan ibn Abd al-Aziz.

Në vitin 2013, djali i tij postoi shumë foto në Instagram, ku shihej edhe diktatori.

Ai dukej i gëzuar dhe në shëndet të mirë, teksa kishte lyer flokët me të zezë.

Në një foto shfaqej me pizhama. Kjo llogari në Instagram është fshirë prej atëherë.

“Zoti Ben Ali nuk do të japë asnjë detaj për jetën e tij,” thotë avokati i tij, libanezi Akram Azoury.

Mediat tuniziane raportojnë se ai mbante kontakte të rregullta me biznesmenët e vendit të tij përmes internetit, duke u interesuar për ecurinë e gjërave.

Edhe tre djemtë e tij të rritur nga martesa e parë jetojnë akoma në Tunizi.

Ai nuk mund të kthehet pas, të paktën jo si njeri i lirë.

Që në vitin 2011, një gjykatë e ka dënuar atë dhe të shoqen në mungesë me 35 vite burg dhe një gjobë prej 45 milionë euro.

Sipas gjykatësve, familja e presidentit ka siguruar përgjatë viteve në pushtet një pasuri që shkon deri tek një e katërta e prodhimit të brendshëm bruto.

Në një tjetër gjykim, Ben Ali u dënua me burgim të përjetshëm pasi forcat e sigurisë qëlluan dhe vranë demonstruesit në vitin 2011.

Sipas të dhënave zyrtare, nga përplasja mes policisë dhe protestuesve u vranë 388 persona.

Ish-Zonja e Parë, Leila publikoi në vitin 2012 një libër me kujtime, me titull: “E vërteta ime”.

Në libër ajo hedh poshtë të gjithë akuzat që u bëhen për qeverisjen 24-vjeçare. Sipas saj, në atë kohë kishte stabilitet dhe prosperitet për të gjithë tunizianët.

Në një intervistë ajo mohoi edhe zërat se i shoqi ka pësuar një goditje në tru dhe ka kaluar në koma.

Dhe martesa po shkon shumë mirë. Nuk ka asnjë shans për divorc.

Tunizia ka lëshuar dy urdhër-arresti ndërkombëtarë për ish-shefin e shtetit dhe të shoqen.

Por Arabia Saudite refuzon t’i zbatojë.

Familja mbretërore saudite i referohet mikpritjes së saj dhe “mëshirës islamike”.

Nga perandoria ekonomike e dikurshme nuk ka mbetur shumë.

Dikur Zonja e Parë dhe njerëzit e saj kontrollonin rrjete supermarketesh, operatorë telekomunikacioni dhe kompani mediatike.

Një pjesë e tyre janë privatizuar, të tjerat kontrollohen nga shteti./Spiegel

Artikulli paraprakShkencëtarët në alarm: Zika ka potencial shpërthyes
Artikulli vijues“Njerëzit shembeshin si miza”: Ç’ndodhi me fluturimin AA109?