Agjërimi nuk paraqet asnjë pengesë në mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, dhe ky është vetëm një arsyetim banal. Kështu e vlerësojnë njohësit e rrethanave politike, deklaratën e Ahmetit, i cili deklaroi se njëra prej arseve përse zgjedhjet nuk duhet të shtyhen është edhe muaji i Ramazanit.
Analisti Ramadan Ramadani, tha se Ali Ahmeti, dhe të gjithë të tjerët që insistojnë për zgjedhje më 24 prill, nuk duan që t’i dorëzojnë Milenkon dhe Llatasin që të bëhen pre e reformave në mediume. Sipas tij, për këtë arsye mundohen të nxirren, siç tha ai, duke përmendur sot Ramazanin e nesër ndoshta edhe Bajramin.
“Mendoj se kjo bë një farë mënyre është edhe një qasje e gabuar ndaj riteve fetare, pasi shihet se ka një frikë irracionale prej ramazanit. Ashtu qe disa, si thotë populli i zë Ramazani edhe 3 muaj para se me nisë. Njëra prej datave të propozuara është edhe 5 qershori, kurse myslimanët që e agjërojnë ramazanin dhe që ja dinë emrin e vërtetë muajit, ata e dinë që fillon me 6 qershor, dhe përndryshe agjërimi nuk ka asnjë pengesë për zhvillimin e zgjedhjeve”, tha analisti Ramadan Ramadani.
Ndërkaq, analisti tjetër, Ismet Ramadani tha se deklaratat e tilla të Ahmetit janë populiste. Ai tha se Ramazani nuk paraqet asnjë problem që zgjedhjet të shtyhem dhe se 24 prilli është datë e cila nuk garanton zgjedhje të lira dhe demokratike, pasi akoma nuk janë plotësuar kushtet.
“Meqë janë shkelur afatet të cilat kanë të bëjnë me disa çështje që kanë të bëjnë me marrëveshjen e Përzhinos, atëherë definitivisht, konstatimi duhet të jetë, se zgjedhjet duhet të shtyhen për një kohë, si datë, sipas meje edhe sipas të tjerëve, mund të jetën 5 qershori, që në fakt është edhe një ditë para muajit të bekuar Ramazan, kështu që nuk do të paraqet kurrfarë problemi që qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për ata që mendojnë se është më mirë”, thotë analisti Ismet Ramadani.
Analistët vlerësojnë po ashtu se Ali Ahmeti dhe në përgjithësi BDI, kanë një qasje të gabueshme ndaj datës së zgjedhjeve. Ata thonë se Ahmeti, duhet ta ketë të qartë se nuk bëhet fjalë për kohën, por për përmbushjen e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike.
Ajnur Bafqari /SHENJA/