Opozita siriane ofertën e OKB-së e konsideron pozitive

Në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë opozita siriane po e shqyrton propozimin e ndërmjetësuesit Staffan De Mistura për t’i dhënë fund konfliktit në këtë vend, transmeton Klan Kosova.

Megjithatë, kundërshtarët e presidentit Bashar Al Asad, të cilët përkrahen nga Arabia Saudite, nuk e përjashtojnë mundësinë e largimit nga negociatat.

Shkak për këtë veprim, sipas tyre, janë vuajtjet e popullit të Sirisë nga ofenzivat e forcave të presidentit Asad.

Përfaqësuesit e këtij të fundit, në Gjenevë të Zvicrës, akuzuan opozitën për lidhjet e tyre me Shtetin Islamik, të cilët janë përjashtuar nga procesi negociator.

Sipas autoriteteve siriane, pjesëtarët e opozitës dhe terroristët e shtetit islamik janë fajtor për shpërthimin e të dielës në Damask.

Zëdhënësi i delegacionit opozitar sirian, Salim al-Muslat, i përshkruajti diskutimet me ndërmjetësin De Mistura, si pozitive dhe inkurajuese sa i përket çështjeve humanitare.

Ai ka shtuar se takimi me ndërmjetësuesin ka zgjatur për disa orë në mbrëmjen e së dielës.

Ndërkaq, të hënën emisari i Kombeve të Bashkaura pritet të takojë delegacionin qeveritar e më pas përsëri opozitarët.

Në këto bisedime, mungojnë përfaqësuesit e kurdëve të Sirisë, që e kanë nën kontroll pjesën më të madhe të territorit në pjesën veriore të Sirisë.

Kombet e Bashkuara po synojnë për gjashtë muaj këto bisedime që do të fokusohen në arritjen e një armëpushimi të gjerë, duke punuar drejt një zgjidhjeje politike për luftën civile që ka vrarë më shumë se 250.000 njerëz.

Artikulli paraprakLiria brenda mbulesës së shamisë islame
Artikulli vijuesLiderja e partisë gjermane AFD, “Policia gjermane të drejtë të qëllojë mbi refugjatët që kalojnë ilegalisht kufirin”