Kisha e Shën Ndout në Prishtinë: Punëtorët shqiptarë të besimit islam, refuzuan detyrën e rrënimit

Studiuesi Bajram Mjeku, në profilin e tij në Facebook ka shkruar për Kishën e Shën Ndout, që është rrënuar në vitin 1957. Ajo që e bën interesant këtë postim është se kishën që gjendej në qendër të Prishtinës, tek Sheshi “Zahir Pajaziti”, refuzuan ta rrënojnë punëtorët shqiptarë të besimit islam. Postimin e plotë të Mjekut mund ta lexoni më poshtë.

“Të panjohurat për Kishën e Shën Ndout në Prishtinë

Kisha e Shën Ndout në Prishtinë, e cila tash 59 vjet nuk ekziston më u ngrit në vitin 1927. Ishte e njohur si Kisha e Stakajve. Familja Staka e besimit katolik është ndër familjet e vjetra në kryeqytetin e Kosovës.

Kisha u ndërtua aty ku sot është monumenti i heroit kombëtar, Zahir Pajaziti. U ngrit nga Stak Mirdita i njohur në Prishtinë si Stak Marku. Kur Stak Mirdita nisi të ndërtonte kishën, Shyqri Beg Ramadani dhe disa fisnikë tjerë të besimit islam e ndihmuan financiarisht ndërtimin e saj.

Në vitin 1957, regjimi komunist me pretekst të rregullimit të planit urbanistik vendosi të rrënonte Kishën e Shën Ndout. Ditën kur u rrënua kisha, ndodhi diçka e pazakontë. Punonjësit shqiptarë të besimit islam refuzuan ta rrënonin kishën. Regjimi u detyrua të angazhonte punëtorë të besimeve dhe komuniteteve të tjera nacionale për rrënimin e saj.

Nga viti 1346 deri në vitin 1387, në Prishtinë ekzistonte kisha katolike e Shën Mërisë. Vizitori apostolik Pjetër Mazreku, në një shënim të tij për Prishtinën e shekullit shtatëmbëdhjetë shkruante: “Në Prishtinë jetojnë 20 familje të krishtera me afro 100 frymë. Ka disa vjet që kanë ndërtuar një kishëz. Pasi janë pak dhe janë skamnorë, ata nuk mund ta mbajnë priftin…”, ka shkruar Mjeku. /Telegrafi/

Untitled

 

 

 

Artikulli paraprakKareem ABDUL-JABBAR: Të dashur mbështetës të Trump, më dëgjoni përpara se të votoni
Artikulli vijuesKur flet mirë Arbana Xharra i mer 20.000 LIKE