Petrov këmbëngul për vendosjen e kryqit në Butel

Kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov ka përsëritur edhe një herë se kryqi në Butel në gjatësi prej 55 metra do të vendoset, megjithë pengesat dhe ndalesat që u bënë deri më tani. Petrov tha se punët përkohësisht janë ndërprerë por kjo, sipas tij, nuk nënkupton se në një të ardhme të shpejtë nuk do të vazhdojnë. Ai thotë se çdo gjë që do të zhvillohet lidhur
me vendosjen e kyqit në Butel do të jetë në pajtim me kompetencat ligjore. “Ekziston vendim nga organet kompetente në pajtim me ligjin dhe unë vlerësoj se ajo që ka nisur edhe do të realizohet. Shpresojmë që kur kushtet do të lejojnë një gjë të tillë investuesi
do ti vazhdojë punimet ndërtimore”, deklaroi Todor Petrov, Kongresi Botëror Maqedonas. Gurthemeli për vendosjen e kryqit në Butel në praninë e forcave të mëdha policore u hodh kah fundi i muajit hhkurt për tu shkatërruar disa ditë më vonë nga pjesëmarrësit në protestat
e inicuara nga BDI-ja. Punimet për vendosjen e kryqit ishin ndërprerë me arsyetimin e gjetjes së një marrëveshje në frymën e Marëveshjes së Ohrit dhe Parimit të Badinterit. Vendimin për vendosjen e kryqit në Butel, në Gjykatën Kushtetuese e ankimoi në muajin mars kryetari i LRPDSH, Zijadin Sela, sipas të cilit nëse Gjykata Kushtetuese do të hidhte poshtë iniciativën e tij, kjo do t’ju hapte rrugën komunave shqiptare që me vendime për pajisje urbane të vendosin simbole dhe përmendore shqiptare. Mirëpo, edhe pas tre seancave radhazi Gjykata
Kushtetuese nuk shqyrtoi këtë nismë me arsyetimin se në çdo seancë të Gjykatës mungonte nga një gjykatës. Nisma për vendosjen e kryqit erdhi si përgjigje ndaj BDI-së për vendosjen e simbolit me shqiponjën dykrenore në një udhëkryq të lagjes së Topanës në Çair. Dy këto
projekte nxitën tensione të shumta ndëretnike, por nuk munguan as akuzat se bëhet fjalë për projekte të inskenuara nga partnerët e koalicionit për zhvendosjen e vëmendjes nga kriza politike.

Artikulli paraprakPublikohet transkripti i koordinatorëve të puç-it përmes Whatsapp-it
Artikulli vijuesPse kosovarët kanë “dashuri” të madhe për Erdoganin?