Gjatë këtij punimi do të shohim disa të vërteta shkencore që janë përmendur në hadithet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe se si shkenca bashkëkohore ka konfirmuar vërtetësinë e tyre.
Pa dyshim se çastet më të bukura në të cilat kalon besimtari janë kur sheh një mrekulli që shfaqet në fjalët e zotërisë së njerëzimit, Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të. Meqenëse jetojmë në shekullin e shkencës dhe zbulimeve shkencore shfaqet nevoja për hulumtim në hadithet e të Dërguarit të Zotit për të kuptuar sinjalet shkencore që argumentojnë vërtetësinë e këtij të Dërguari analfabet. Ky shkrim mund të kontribuojë në përmirësimin e pikëpamjes së Perëndimit ndaj profetit të mëshirës, paqja e Zotit qoftë mbi të.
E vërteta e parë
Thotë i Dërguari, paqja e Zotit qoftë mbi të: “Kjo çështje (Islami) do të arrijë aty ku ka arritur dita dhe nata.” Islami do të përhapet në çdo vend ku arrin nata dhe dita, do të thotë në të gjithë rruzullin tokësor. Dhe vërtet, statistikat perëndimore flasin se Islami sot është prezent në çdo vend të botës. Statistikat na lajmërojnë se në vitin 2025 Islami do të jetë feja e parë për nga numri në nivel botëror. Në këtë nuk ka ekzagjerim por janë shifra reale që nuk dyshohet në to. Këto numra vijnë nga shkencëtarët jomuslimanë që i kanë bërë këto statistika.
E vërteta e dytë
Mrekullia shkencore në fjalët e të Dërguarit të Allahut: “Toka më është bërë pastrim dhe xhami.” (Muslimi). Në një hulumtim të ri shkencëtarët kanë zbuluar ekzistimin e antibiotikëve në dheun e Tokës. Këto antibiotikë mund të pastrojnë dhe mënjanojnë llojet më të forta të baktereve, gjë që konstaton faktin se dheu është element pastrues. Ndërsa në një studim tjetër të ri shkencëtarët deklarojnë se disa lloje të tokës mund të mënjanojnë bakteret më rezistuese.
Për këtë shkak ata sot mendojnë për krijimin e një antibiotiku nga dheu që do ti mënjanonte bakteret më të forta. Pas provave të gjata në laboratorë ata kanë konstatuar se dheu mund të mënjanojë një koloni të plotë bakteresh gjatë njëzet e katër orëve. Ndërsa e njëjta koloni është vënë në një vend jo me dhe e është shumuar dyzet e pesë herë më tepër.
E vërteta e tretë
I Dërguari i Allahut ka folur me një përpikëri të jashtëzakonshme rreth një fakti shkencor që shkencëtarët e kanë vërejtur vetëm para disa vitesh. Ai thotë: “Nuk do të bëhet kiameti derisa toka e arabëve të kthehet në kullota dhe lumenj.” (Muslimi)
Shkencërisht është vërtetuar se Gadishulli Arabik ka qenë plot kullota e lumenj dhe akoma deri më sot ekzistojnë gjurmët e burimeve të lumenjve. Për këtë dëshmojnë incizimet satelitore që paraqesin qartë një sërë lumenjsh të nëndheshëm (nëntokësor) në Gadishullin arabik. Ndërsa shkencëtarët perëndimorë deklarojnë sipas agjencisë amerikane hapësinore NASA se “incizimet e shkretëtirave të kapura nga radari paraqesin se ky vend ka qenë i mbuluar me siujdhesa dhe lumenj dhe ambienti ka qenë i ngjashëm me atë që e shohim sot në Evropë dhe se do të rikthehet një ditë ashtu siç ka qenë”
E vërteta e katërt
Në hadithin e kalimit mbi urën e Siratit, ky hadith konsiderohet prej haditheve në të cilat manifestohet mrekullia shkencore. Ky hadith është fjala e të Dërguarit, paqja e Zotit qoftë mbi të: “A nuk e ke parë vetëtimën se si e shpërndan dritën dhe sa hap e mbyll sytë, ajo kthehet” (Muslimi), për faktin se është vërtetuar përputhshmëria e plotë ndërmjet fjalëve të Profetit dhe ndërmjet asaj që kanë zbuluar shkencëtarët kohët e fundit, proceset e ndërlikuara dhe detajet që ndodhin gjatë shkëlqimit dhe shpërndarjes së dritës së vetëtimës. Shkencëtarët kanë vërejtur se çdo shkëlqim i vetëtimës ndodh me zbritjen e rrezeve nga vetëtima nga retë në drejtim të Tokës dhe kthehet! Në këtë hadith sinjalizohet se i Dërguari, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka folur për etapat e vetëtimës me një hollësi të jashtëzakonshme, madje e ka caktuar edhe kohën e saj. Ndoshta habitemi kur mësojmë se koha e duhur për shkrepjen e vetëtimës është po ajo kohë sa për të hapur e mbyllur sytë! Këtë e ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të.
E vërteta e pestë
Shkencëtarët kanë zbuluar se balli (pjesa e sipërme e fytyrës së njeriut midis syve dhe flokëve) komandohet me marrjen e vendimeve të drejta dhe si rezultat i kësaj sa më efektiv, më aktiv dhe më i shëndoshë të jetë ky vend, vendimet do të jenë më të drejta, të qëlluara dhe të sakta. Kësisoj, vërejmë në lutjen e të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Balli im është në duart e Tua.” (Ahmedi)
Ky është dorëzim i profetit ndaj Zotit të Lartësuar, çdo çështje e tij i takon Allahut dhe se Allahu gjykon si do Ai dhe ia cakton atij atë që do. Fakti tjetër që është zbuluar kohët e fundit është se vendi i ballit luan rol të rëndësishëm në proceset e larta për njeriun si, të perceptuarit, të orientuarit, zgjidhja e problemeve dhe kreativiteti. Për këtë shkak, këtë vend ia ka dorëzuar Allahut të Lartësuar në lutjen e tij: “Balli im është në duart Tua”. Në këtë qëndron një sinjal shkencor për rëndësinë e këtij vendi.
E vërteta e gjashtë
I Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Prej shenjave të kiametit është të shfaqet vdekja e papritur.” (Taberani)
Në këtë hadith shfaqet një mrekulli shkencore te argumentet mjekësore, që nuk pranon polemikë. Kjo mrekulli dëshmon për këtë Profet të madh se ai është i Dërguar nga ana e Allahut dhe se ai nuk flet nga hamendja. Statistikat e hollësishme të Kombeve të Bashkuara konfirmojnë se dukuria e vdekjes së papritur është shfaqur vonë dhe se ajo është në rritje të vazhdueshme përkundër faktit se po aplikohen procedurat parandaluese.
E vërteta e shtatë
Shumica e shkencëtarëve deklarojnë se pleqëria konsiderohet metoda më e mirë për përfundimin natyror për njeriun dhe se çdo orvatje për shtyrjen e jetës përtej kufijve të caktuar do të ketë pasoja të shumta, më e pakta prej tyre goditja me kancer. Profesori Lee Silver, nga universiteti amerikan Princeton thotë: “Çdo orvatje për arritjen e përjetshmërisë është e kundërta e natyrës”.
Shkencëtarët kanë dalë me një rezultat, me gjithë shpenzimet e miliardave për shërimin e etapës së pleqërisë dhe zgjatjen e jetës, provat nuk kanë sjellë dobi. Për këtë ka sinjalizuar i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “O robër të Allahut, shërohuni! Vërtet Allahu nuk ka lënë ndonjë sëmundje e që nuk ia la asaj edhe ilaçin, përveç një sëmundjeje e ajo është pleqëria.” (Ahmedi)
Kësisoj, shkenca vjen me fakte të reja të panjohura më parë dhe ato dëshmojnë për vërtetësinë e këtij Profeti dhe vërtetësinë e mesazhit islam. Lutja jonë e fundit është falënderimi i takon Allahut!
Përktheu: Almedin Ejupi
/klubikulturor/kohaislame