Vizita triorëshe e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në Tiranë, ditën e dielë, pritet të shoqërohet me masa të forta sigurie. Që pas uljes së avionit të tij në Aeroportin e Rinasit rreth orës 9 të mëngjesit, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen deri në përfundimin e vizitës.
Policia e Tiranës mësohet se ka marrë masa shtesë të një niveli maksimal, për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan. Duke nisur që nga Qafë-Kashari, në vijim, pjesa e autostradës Tiranë-Durres, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Po në keto akse nuk do te lejohet parkimi i makinave, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se do të devijohet trafiku edhe për mjetet e transportit publik. Po ashtu të gjitha rrugët do të patrullohen në të dyja krahët nga qindra efektivë të Policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës.
Ashtu si në vizitat e zyrtarëve të lartë të kohëve të fundit, si kancelarja Merkel apo kryeministri serb Vuçiç, eskorta e sekretarit Kerry pritet të shoqërohet nga Rinasi drejt kryeqytetit nga nje helikopter i ushtrisë, i cili do të monitorojë situatën nga ajri.
Ndërkohë sipas VOA, temat kryesore të takimeve zyrtare parashikohen ato që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre.
Vitin e kaluar Shqipëria nënshkroi dhe dokumentin e Partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni është një mbështetës i fortë i procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe kjo pritet të jetë një tjetër temë diskutimi, me fokus reformën në Drejtësi, për të cilën amerikanët kanë luajtur një rol të dorës së parë.
Palët pritet të diskutojnë dhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit dhe zhvillimet e fundit, vecanërisht në Kosovë si dhe problemin e krizës së refugjatëve.
Shqipëria i konsideron Shtetet e Bashkuara një partner strategjik. Në vitin 2012, gjatë vizitës së atëhershme të sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, qeveria e ish kryeministrit Berisha ju përgjigj pozitivisht kërkesës për strehimin e 210 luftëtar, përfaqësuesë të opozitës iraniane, të cilët gjendeshin në Irak. Grupi i parë prej 14 vetësh mbërriti në Tiranë në majin e 2013. Nga ana e saj edhe qeveria e kryeministrit Edi Rama ju përmbajt angazhimit të parardhësit. Zoti Rama e pohoi vetë këtë gjatë ndërhyrjes në parlament një ditë më parë kur u shpreh se “është vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë për arsye që s’ka nevojë t’i shtjellojmë këtu”, deklaroi kryeministri.
Në fakt, grupe të tjera luftëtarësh kanë vijuar të strehohen në Shqipëri. Një pjesë e tyre e kanë lënë më pas vendin, por janë disa qindra që gjenden ende në territorin shqiptar, dhe nën kujdesin e autoriteteve, të cilat janë të gatshme të presin edhe grupe të tjera, ndoshta me një numër më të madh nga ai i këtyre viteve të fundit.
Zoti Kerry, është sekretari i pestë i Shtetit i cili viziton Shqipërinë. E para vizitë, është ajo e vitit 1991 e sekretarit James Baker, për t’u pasuar 9 vjet më vonë nga Madeleine Albright. Në vitin 2013 do të jetë radha e Colin Pawell, ndërsa 9 vite të tjera më vonë Tiranën e vizitoi zonja Clinton.