Çelo Hoxha
Hasan Jella ishte fatkeq: pa nënë, pa baba, pa vëlla, pa motër – pa njeri. Në Tiranë familja Jella ishte me emër, por, për anëtarët e saj, ai nuk ekzistonte. Vetëm më përfaqësuesi i tyre e dinte që jetonte një person i quajtur Hasan Jella. Ai konfirmoi ekzistencën e shegertit të librarisë Lumo Skëndo në një rast që foli me përçmim për të. “Nga familja Jella s’del fidan biçimsëz i tillë,” tha ai.
Hasan Jella ishte përtac, apatik, i pasjellshëm, tekanjoz, megaloman dhe injorant, megjithëse kishte qenë një vit mësues dhe punonte në librarinë më të njohur në Tiranë. E vetmja cilësi e mirë që mund t’i përmendet është patriotizmi i tij i zjarrtë, por i modelit të një shekulli që në vitet 30-të të shekullit të 20-të kishte tre dekada që kishte mbaruar.
Por jo gjithçka është e zezë për ditëziun. Një ditë ai takon një punëdhënës që ngjante më shumë me një baba teqeje se me një tregtar. Ai quhej Mid’hat Frashëri. Marrëdhënia e tyre ishte e çuditshme. Shegerti kishte prirjen të bënte gjithçka të kundërt me porositë e pronarit të tij, e megjithatë, pronari nuk hoqi dorë prej tij, as pas vdekjes. Në 1934, Mid’hat Frashëri i kushtoi tregimin “Kujtimet e një librari”. Ky tregim, një portret i Hasan Jellës, është, të paktën për mua, tregimi non-fiction më i mirë i gjuhës shqipe.
Përveçse la në dëshmi për jetën e një njeriu dhe marrëdhënien e tij me të, me këtë tregim Mid’hat Frashëri u mëson shkrimtarëve si të shkruajnë për njeriun e zakonshëm, ndonjëherë dhe jo fort tërheqës: me sinqeritet, realizëm dhe dashuri.
Me portretin për Adem Rekën (një njeri i zakonshëm), tre dekada më vonë, Dritëro Agolli nuk respektoi asnjë nga këto parime. Personazhi i tij është hero që në fjalinë e parë, pa bërë asgjë, e pa patur kohë – në tregim – të bëjë diçka. Më poshtë lexuesit i thuhet se ai është simbol i burrërisë, vetëmohimit dhe dashurisë për popullin, por nuk i tregohet asnjë dëshmi. Nuk jepet asnjë detaj që ilustron heroizmin, burrërinë, vetëmohimin ose dashurinë e njeriut që e kanë shpallur hero me dekret shtetëror dhe madje i kanë ngritur një përmendore.
Penës së Mid’hat Frashërit i mungon megalomania. Ai thotë që Hasan Jella ishte dembel dhe tregon që ai rrinte më shumë jashtë librarisë sesa brenda saj, aty ku ishte puna. Ai thotë që Hasan Jella ishte apatik dhe këtë e ilustron: ai nuk tregohej i kujdesshëm t’i pyeste klientët dhe për gjëra të nevojshme, si një herë që nuk ia mori emrin një zonje, e cila kishte shkuar në dyqan për të takuar pronarin dhe nuk e kishte gjetur. Ai thotë që shegerti ishte i pasjellshëm dhe këtë e ilustron me mënyrën si iu drejtohej (kundër këshillës së pronarit) klientëve të vegjël dhe të zhurmshëm që hynin në librari: “Ç’do mor, surrat bostan?” Ai thotë se Hasan Jella ishte tip kundërshtues dhe jep edhe argumentin. Një herë ai e këshilloi shërbëtorin e tij një herë në vit të bënte pastrim të përgjithshëm të librarisë nga pluhurat, kurse ai ktheu: “Unë e bëj çdo ditë, por t’i nuk ngopesh me punë.”
Shkrimtari bën aq shumë ilustrime të tilla saqë lexuesi ngutet të lexojë me shpresën të mësojë se kur ky pronar e ka flakur me shkelma jashtë librarisë shegertin e tij tekanjoz. Kjo nuk ndodh as një fund të rrëfimit dhe shkakun e mësojmë nga një citim i shegertit të cilit nuk i japim rëndësinë e duhur në momentin që e ndeshim: “Po këtu se mos vijnë të gjithë për punë. Dyqani është gjysmë-teqe, vakëf, kush kërkon këshillë, kush ka një hall, kush do memurijet.”
Detaje të tilla mungojnë në portretin e Dritëro Agolli. Ai thotë që Adem Reka ishte i thjeshtë dhe i ndershëm, por nuk jep asnjë shembull thjeshtësie ose ndershmërie. Kur flet për luftën, thotë se Adem Reka ka qenë partizan, pa përmendur formacionin ku ai ka bërë pjesë, për shembull. Thotë se ka marrë pjesë në shumë përleshje e beteja por nuk përmend asnjë përleshje apo betejë, as atë ku ai, sipas Agollit, është plagosur.
Nuk është e vështirë të kuptohet se shkrimtari nuk e ka njohur subjektin e tij, siç e ka njohur Mid’hat Frashëri, i cili e vërteton këtë me dialogjet me të. Dritëro Agolli nuk ka bërë as kërkime, diçka që e bëjnë shkrimtarët seriozë. Ai shkruan vetëm gjëra të sajuara nga ai ose nga të tjerë.
E vërteta e vdekjes së personazhit të Dritëro Agollit është kjo: në 17 nëntor 1966, Adem Reka shkoi në punë si çdo ditë dhe si gjithë kolegët, në portin e Durrësit. Atë ditë e goditi fatalisht një një fije çeliku e digës dhe vdiq. Kjo është historia e vdekjes së tij. Një aksident i rëndomtë në punë. Nëse aty mund të kërkohej diçka më tepër, gjasat janë të zbulohej diçka kriminale: ose ndërmarrja nuk kishte krijuar kushte pune të sigurta, ose punëtori (heroi, shembulli për t’u ndjekur, sipas Agollit) nuk i kishte respektuar rregullat e sigurisë.
Ironia është se jetojnë ende njerëz që e kanë njohur Adem Rekën. Një herë unë pyeta një nga këta dhe ai ma ktheu shkurt: “Lene mer atë pijanec, lozte bilardo gjithë ditën.” Deklaratën e tij nuk jam i prirë ta besoj verbërisht, por nuk mund të mohohet që ajo fjali ka më shumë jetë dhe më shumë fakte për jetën e Adem Rekës se në rrëfimin e gjatë të Dritëro Agollit.
Sidoqoftë, dallimi themelor mes këtyre autorëve, i cili ka ndikuar fuqishëm dhe në cilësinë e veprës, është motivi që ata kanë pasur për të shkruar atë që kanë shkruar. Mid’hat Frashëri shkroi në kujtim të tij Hasan Jellës, pas vdekjes, i nxitur po nga ajo dhembshuri që dikur e kishte shtyrë ta mbante në punë dhe ia ka rrëfyer gjërat me aq mjeshtëri saqë personazhi i tij gjithë defekte në fund të lë përshtypjen se ka qenë njeri simpatik. Motivi i Dritëro Agollit ishte politik, ai ka shkruar atë duhej të lexonte dikush, jo atë që kishte ndodhur apo ekzistuar.
Tregimet propagandistike për heronj të rremë ishin në modë në 1967. Kjo bëhej me direktivën e KQ të PPSH. Çdo vdekje aksidentale në punë të paraqitej në publik si një vepër heroike. Në kohën që u botua portreti i Agollit, shtypi ziente nga “heroizmi” i Shkurte Pal Vatës. “Heroina” ishte një minorene që kishte shkuar, me nxitjen edhe të Dritëro Agollit (përmes artikujve të tij), të punonte pa pagesë (punë vullnetare) në hekurudhën Rrogozhinë-Fier. E zuri balta dhe vdiq pas dy javësh në spital. Dritëro Agolli ishte një nga punonjësit kryesorë të propagandës së regjimit.
Si vepër propagandistike, përderisa diktatura jetoi dhe 24 vjet, portreti i Adem Rekës ka përqindjen e saj të kontributit, por me rënien e diktaturës vlera e saj ka marrë fund. Kurse tregimi i Mid’hat Frashërit do të vazhdojë të lexohet me endje në breza e breza, derisa të ketë shqip.