Të marrë peng nga rrjetet sociale, bazuar në histori të vërtetë

A po na ndryshojnë rrjetet sociale? Kjo është pyetja më me vend që i bej vetes keto kohë. Madje shkoj edhe më tej, a po i përdorim ne këto rrjete apo jemi të marrë peng prej tyre. Rjetet na kane vënë në lojë.

Përpiquni të kujtoni kush jeni dhe cila është ekzistenca juaj pa një profil në rrjetet sociale? Kjo do të ndihmonte të kuptonit atë që jeni ju dhe jo si të tjeret ju shohin. Shumë prej nesh (mbase edhe ti që je duke lexuar) tashmë ke renë në kurthin rrjeteve sociale ose të papërgatitjes për të shkuar drejt tyre.

Më ndodh shpesh gjatë nisjes për ndonjë udhetim të shpejtë jashtë Tirane, të dëgjoj shprehjen “mezi pres të arrijmë që të bej një check in, apo të postoj një foto”. Këtë e kam bërë edhe vetë në fakt sepse nuk dua t’a mohoj se më pëlqen të ndaj me ata që më ndjekin nëpër rrjetet sociale destinacione të vlefshme, ndonjë detaj historik e të tjera si këto. Në të gjithë këtë histori na ndan një fije nga vaniteti dhe nga krijimi i një kulture të re e cila të largon nga “të shijuarit e momenteve”. Kultura “e re” po na bën të jetojmë për të tjerët.

Nuk dua të stërzgjatem, por kryesisht të rinjtë kanë hyrë në një garë që nuk i çon askund. Shumica janë në garë të ethshme, kush poston foton nga resorti më i shtrenjtë në jug. Janë në garë kush ka gjetur shezlongun në vijën e parë të plazhit. Në garë për pjatat më të shtrenjta në tavolina. Janë në gare kush udhëton më makinën më të shpejtë e më të shtrenjtë. Kush ka rroba banjot më të “firmosura”, kush ka motorr uji, jaht (edhe të babait apo të dashurit nuk prish punë) dhe të gjitha keto duhet të ekspozohen në instagram (sepse facebook nuk është më trend këtë duhet t’a dini), mundësisht shoqëruar edhe me ndonjë shprehje shabllon interneti.

Në paragrafin më sipër nuk po hap tëmën e leximit (fallco) të librave në plazh apo kund tjeter, të cilët më shumë ndihmojnë për formimin e bicepsit se të ndonjë zone në tru.

Pasi bën këtë fillon një garë e dytë, ajo për të marrë sa më shumë “like” (pëlqime, ndonëse besoj se është ndërkombëtarizuar si fjalë”. Fillon të stresohesh kush të ka berë e kush jo “Like” në Instagram. Buzëqësh me veten ose krekosesh, ndonëse poston ndonjë foto të javëve të shkuara, kur të vijnë komente të tipit “ah lum si ty çfare jete që ben”. Pavaresisht kësaj “ti” mund të jesh vetëm. Nuk e ke jetuar momentin, ke humbur dallgën më të bukur, atë që s’vjen dy herë… “momentin”

Por kjo nuk ka rëndesi, pasi vjen mbrëmja dhe nuk ke kohë të mendosh. Duhet të jesh në vendin më të modës, aty duhet patjetër edhe nje “check in” (një levizje në facebook ose instragram që tregon vendodhjen tënde). Duhen fotot me tavolinat ku shishet me alkool janë duke u derdhur. Këtu po ju evitoj detajin e fishekzjarreve nëpër koshat me akull që shoqërojnë shishet. Prapë poston foto dhe pret me kërshëri të vijnë komentet e rradhës ku “TI” shfaqesh si një qënie supreme gati gati e paarritshme nga të tjerët.

Kështu vazhdon ky cikël, i krijuar si shumë gjëra të tjera ekskluzivisht në Shqipëri, në mënyrë të shëmtuar nga një pjesë e të rinjve shqiptarë. Kryesisht të rinj që marrëdhenien me paranë dhe veten e kanë absurde. Të rinj që shpenzojnë lekët e prindërve (uroj që këta lloj prindërish mos jenë krenar për këto lloj shpenzimesh) në formën më groteske. Ata mbase as nuk kanë punuar asnjë ditë në jetën e tyre. Por gjithsesi kjo kategori do të jetë patjetër në stadiumet e Francës për të parë kombëtaren. Nuk ka rëndesi sa shkon bileta, nuk ka rëndësi a je tifoz, rëndësi ka të kesh foton me rezolucionin e duhur nga eventi madhështor. Për femrat me rëndësi është që krehja të këtë mbajtur mirë deri në këtë pikë.

Normale do të ishtë që dikush që e ka një punë e që lodhet t’a mbajë atë, të zgjohet në mëngjes në orën 07.30 dhe te shkojë drejt zyrës. Por një postim i tillë në Instagram nuk është në modë. I modës do të ishtë “I Woke Up Like This” (u zgjova kështu) dhe ora paska vajtur 12:00.

Modeli i krijuar përbën një rrezik për një brez i cili meriton të rritet i shëndetshëm. Larg këtij shfrenimi për të marrë vëmendje artificiale dhe “Like” nga asgjëja. Nuk është asnjëherë vonë për pak reflektim, për kthim të vërtetë tek vetvetja dhe ata që na rrethojnë. Të ndiejmë atë që ndodh rreth nesh pa qënë të detyruar t’a ndajmë me të tjerët (e panjohur kryesisht) në kërkim të ledhatimit të egos së paplotësuar.

Përqasja me ndonjë që lexon këtë shkrim ështe e rastësishme ashtu si edhe ndonjë detaj me publikime të mijat nëpër rrjete sociale. Jeto dhe lër të jetojnë është ajo që duhet të beni dhe këtë duhet t’a nisni që tani.

Drini ZEQO

Artikulli paraprakDeputet shqiptarë në Kongres të Opozitës Iraniane, çfarë lidhje kanë?
Artikulli vijuesLista e kalorive që marrim nga çdo ushqim