Duhani me copë dhe me pako po shitet në bufenë brenda objektit të gjimnazit shoqëror “Shaban Hashani”. E për këtë nuk kanë qenë fare në dijeni drejtuesit e këtij gjimnazi.
Gazetari i portalit Koha.net ka pyetur shitësen nëse në bufën e gjimnazit shitej duhani, mirëpo ajo e mohoi këtë, duke thënë se duhan nuk shet në bufe.
Por pas disa minutave një nxënës 16-vjecar bleu një cigare për 10 centë. Ai në kushte anonimiteti i ka thënë portalit Koha.net se nxënësit vazhdimisht blejnë cigare me copë aty.
“Zakonisht shitet me copë, por kam parë që shumë nxënës e kanë blerë edhe me pako. Edhe profesorët blejnë cigare në këtë bufe”, ka thënë nxënësi i klasës së 11.
Naser Osmani, drejtor i gjimnazit të shkencave shoqërore “Shaban Hashani” dhe zëvendësdrejtori Enver Zhinipotoku, ka thënë se për herë të parë për shitjen e duhanit kanë dëgjuar sot.
“Nuk kemi qenë në dijeni se duhani është blerë nga nxënësit në bufenë e shkollës. Ne do të marrim masa menjëherë”, ka thënë Osmani, i cili e ka pranuar se nëpër tualetet e këtij gjimnazi konsumohet duhani.
“E dimë se duhani gjithmonë është pirë nëpër wc, por gjithmonë kemi marrë masa ndëshkuese ndaj atyre nxënësve”, ka shtuar ai. “Deri më tani nuk e kemi ditur as ne as profesorët. Po ta dinin profesorët, ata do të na tregonin që ne të merrnim masa”.
Zëvendësdrejtori i gjimnazit, Enver Zhinipotoku, mori cigaren dhe shkoi te shitësja për ta konfirmuar se cigarja është blerë në bufenë e saj, por ajo përsëri e mohonte se shiste duhan.