Kombet e Bashkuara janë angazhuar të shpërndajnë më shumë ndihma për njerëzit që jetojnë në zonat e rrethuara të Sirisë, duke shfrytëzuar armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, transmeton Top Channel.
Shpërndarjet e para të ndihmave janë planifikuar për të hënën, me pakot që pritet të arrijnë tek 150 mijë sirianë të bllokuar në 5 ditët e ardhshme.
Kombet e Bashkuara shpresojnë t’u vijnë në ndihmë rreth 1.7 milion personave brenda muajit mars. Armëpushimi që hyri në fuqi ditën e shtunë duket se po mban, pavarësisht akuzave për shkelje të bëra nga të dyja palët.
Megjithatë, një ndër grupet kryesore të opozitës siriane ka deklaruar se situata është shumë më e mirë se më parë.
Përpara armëpushimit, fuqitë perëndimore akuzuan Rusinë për sulme ndaj grupeve rebele të moderuara që luftojnë kundër presidentit Bashar al Assad, akuza të cilave Moska u është përgjigjur duke deklaruar se po sulmon vetëm grupet e cilësuara si terroriste nga OKB-ja.
Fëmijët në qytetin e Alepos shkuan në shkollë ditën e hënë, pa u ngjitur pas mureve nga frika e sulmeve, raporton agjencia e lajmeve AFP.
“Mësuesit na ndalonin të dilnim në oborr për shkak të sulmeve ajrore, por sot ne dolëm dhe luajtëm”, tha Ranim, një nxënës 10-vjeçar nga një zonë e Alepos, e kontrolluar nga rebelët.
Ndërkohë, koordinatori i OKB-së në Siri, Yacoub el Hilo e vlerësoi armëpushimin si “mundësinë më të mirë që populli sirian ka patur në 5 vjet për paqe dhe stabilitet”.