Shqipëria në vendin e parafundit sa i përket lumturisë së popujve

Shqipëria gjithnjë e më shumë po bëhet një nga vendet më pesimiste për të jetuar, të paktën këtë e thotë dhe raporti i OKB-së sa i përket lumturisë së popujve në Evropë.

Sipas këtij raporti Shqipëria ka humbur 14 vende në listën e përgjithshme duke u rënditur në vendin e 109, ndërkohë që përgjatë viteve 2012-2014 renditej në vendin e 95-të.

Në këtë mënyrë Shqipëria rënditet në vendin e parafundit duke lënë pas vetëm Bullgarinë. Ndërkohë që Kosova renditet në vendin e 77-të.

Po të shohim renditjen rajonale, vendi më i lumtur është Rumania, që ndiqet nga Kroacia dhe Kosova që plotëson treshen e parë. Pas tyre, me radhë vijnë Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe e parafundit është Shqipëria. Organizata e Kombeve të Bashkuar ka cilësuar Danimarkën si shtetin më të lumtur të botës, që është ndjekur nga Zvicra, e cila e mbante këtë vend një vit më parë. Treshja më e lumtur e globit plotësohet nga Islanda.

Zyrtarët e kësaj organizate kanë komunikuar se prosperiteti dhe zhvillimi i ekonomisë nuk është përbëjnë kriteret bazë në përcaktimin e renditjes. Ata kanë marrë si shembull, Shtetet e Bashkuara, të cilat pavarësisht zhvillimit, kanë një shoqëri e cila është shumë e orientuar drejt parasë.

Në matje janë shqyrtuar disa aspekte përfshirë mbështetjen sociale, pritshmëritë për një jetë të shëndetshme, liria për të marrë vendime mbi jetën, bujaria, perceptimi i korrupsionit etj. Tre vendet që qëndrojnë në fund të renditjes janë Togo, Siria dhe Burundi, ndikuar nga lufta dhe pasiguria për jetën.

Artikulli paraprakPapa Françesku thirrje liderëve botërorë të hapin zemrat për refugjatët
Artikulli vijuesTresni mjaltin në ujë dhe do të keni këto përfitime