FEJA E POLITIKËS

Shkruan: Latif Mustafa

Ana Pauker, udhëheqëse e Partisë Komuniste Rumune, po shëtiste në rrugët e gjëra të Bukureshtit nën diellin kërcëllues. Për çudi, përkundër motit me diell, ajo e mbante në dorë çadrën sipër kokës saj. Njerëzit përreth e vështronin me habi dhe e pyesnin: “Pse po mban çadër në këtë ditë me diell?” Ajo përgjigjej: “Sepse në Moskë po bie shi!”. Sado që jam i vetëdijshëm për thellësinë dhe seriozitetin shkencor të temës, po përpiqem t’i them disa fjalë në përpjekje për t’i shpjeguar disa koncepte kryesore, që kanë të bëjnë me fenë dhe politikën. A është feja, në thelb, politike? Kjo është pyetja që shpesh kërkon përgjigje të shpejtë dhe pa ekuivokë. Po, feja në thelb është politike! Politiciteti i saj buron nga karakteri i saj social. Feja është faktor i rëndësishëm në harmonizimin e marrëdhënieve dhe organizimin e familjes, ndërtimin e lidhjeve dhe mirësjelljen ndaj fqinjëve, organizimin e lagjes, e deri në drejtimin e shtetit. Kjo filozofi politike, nëse i qasemi problemit nga një perspektivë esencialiste, buron nga koncepti i drejtësisë që feja e ka në opusin e saj politik. Drejtësia nënkupton nënrenditjen e organizimit politik në harmoninë e Logos-it universal. Rendi politik tokësor, i formësuar nga njeriu, përpos që duhet t’i përngjajë harmonisë së universit, domosdoshmërish duhet t’i subordinohet, t’i nënrenditet rregullit kozmik, i cili në bashkëveprim me universin krijon harmoninë totale, ku bota e dukshme dhe e padukshme, në saje të dashurisë, veprojnë mbi njëra-tjetrën.

Në bazë të filozofisë fetare njeriu nuk është një subjekt që krijon, por një subjekt që e njeh tashmë rendin e krijuar nga Zoti. Në bazë të përvojës së tij shpirtërore, nën përpjekjen e stërvitjes së mendimit dhe veprimit të tij, ai i nënshtrohet harmonisë dhe rendit të krijuar nga Zoti. Përkryershmëria e nënshtrimit të individit qëndron në një relacion dialektik me njohjen e rendit kozmik. Çekuilibrimi shpirtëror reflekton fuqishëm në familje, në lagje dhe në sheshet publike. Kaosi zëvendëson kozmosin ose harmoninë. Shkëputja nga harmonia totale e krijon versionin e një kaosi të margjinalizuar brenda Universit të harmonizuar. Për besimtarin e sinqertë, natyra (physis) është “manifestim” i cilësive të Zotit, kurse shteti është miniaturë e këtij “manifestimi”.

Në bazë të premisave të mësipërme mund të përfundojmë se feja ose religjioni ka karakter publik, sepse ka të bëjë me fetarinë dhe moralin. Në këtë pikë ndodhë një pështjellim konceptual. Feja është një përmbledhje ligjesh, kodesh dhe ritualesh, të bazuara në tekstet fetare, të cilat gjatë historisë i janë dëftuar/zbuluar njeriut për ta kuptimësuar ekzistencën e tij. Por, nëse feja ka karakter publik, nuk do të thotë se edhe fetaria ka një karakter të tillë. Fetaria nënkupton veprimtarinë e ushtrimit të riteve fetare për përmbushjen e boshllëqeve shpirtërore, vetë-disiplinimin dhe përmirësimin e moralit. Fetaria, edhe pse në të shumtën e rasteve ushtrohet përmes riteve të përbashkëta grupore, nuk do të thotë se është publike, sepse ushtrohet brenda mureve të objektit të kultit dhe është një veprimtari kolektive me karakter kufizuar publik. Përmes fetarisë, të ushtruar qoftë në mënyrë individuale qoftë kolektive, individi përjeton ekstazën, pastron shpirtin dhe e fisnikëron veten me moral. Përpos dimensionit individual dhe vertikal, dimensioni social dhe epistemologjik i ritit është më i theksueshëm tek individi. Kur themi epistemologjik, e kemi fjalën për vetëdijesimin që ajo ia bën individit për përsëritjen e ritit, ngase përsëritja e krijon shprehinë e sjelljes, ndërsa shprehia e krijon moralin. Dhe, kështu morali përfundon në një veprimtari aktive, praxis, ku qëllimi i veprimit është në vetvete.

Praxisi, në kuptimin Aristotelian i përket bio politikos-it, jetës dhe veprimtarisë publike ku individi përkujdeset për të përbashkëtën, sipas Aristotelit, Praxisi është veprim intersubjektiv i qytetarëve të lirë në drejtim të realizimit dhe mirëmbajtjes së jetës së lumtur për tjerët dhe veten. Meqë njeriu është një qenie politike (zoon politicon), ai eshpërfaq qenien e tij politike përmes praxisi-t, imanencë e së cilës është edhe morali i tij. Për aq sa praxis-i është publik po aq është edhe morali i tij. Në këtë kontekst përkundër moralit, i cili është publik, feja mbetet vetëm një kod rregullash dhe fetaria, si ushtrim i përsëritur i ritualeve, mbetet gjithmonë në hapësirën private të individit. Për arsye të artikulimit dhe krijimit të diskursit teorik qenia morale mund të shkoqitet nga qenia politike, por në fenomenologji qenia morale është imanente në qenien politike. Pra, fetaria si veprimtari private e edukon moralin e individit dhe e bën të ndërgjegjshëm për sjelljet e veprimet, ndërsa fatin e publikes dhe shoqërores në të kundërtën e bën të përgjegjshëm dhe fajtor për çdo sjellje dhe veprim, përmes së cilave individi mund ta dëmtojë publiken. Fetaria, si përmbledhje ritesh, është totalisht private në vetvete, ngaqë secili individ e ka mënyrën e tij të fetarisë, madje edhe nëse fetaria e tij konsiston në purifikim të ateizmit të individit. Po aq sa nuk kemi të drejtë ta gjykojmë individin, i cili ushtron rite për kuptimësimin e moralit në baza teorike ateiste, po aq nuk kemi të drejtë ta gjykojmë individin i cili i ushtron ritet e fetarisë së tij për ta përmbushur moralin e tij publik. Gjithçka që na intereson dhe ajo që kemi ta drejtë të gjykojmë është përmbushja e detyrimeve qytetare dhe respektimi i rregullave dhe ligjeve që i ka sjellë shoqëria përmes një kontrate ose marrëveshjeje.

Në polisin e Athinës antike, tempujt e Dionisit dhe teatrot ishin përbri njëri-tjetrit, ngaqë konceptoheshin si objekte ku qytetarët përjetonin catharsis-in, shkarkimin shpirtëror, tempuj këto që ua përkujtonin qytetarëve fatet njerëzore, tragjedinë dhe urtësinë e sakrificës. Po këta qytetarë të teatrove dhe tempujve të Dionisit e ushtronin politikën si veprimtari publike mbi moralin estetik të katarzës. Ngjashëm kështu edhe në Çarshinë e Shkupit kemi kishën e Shën Spasit, xhaminë e Murat Pashës, teatrot, ku qytetarët e çarshisë frekuentojnë dhe përjetojnë të njëjtin catharsis si në Athinën antike. Aty përkujtojnë përkryeshmërinë e Universit, emanacionin, tragjiken dhe komiken, prejardhjen qiellore të njerëzimit dhe kthimin e tyre në qiell. Po këta qytetarë të Polisit të Çarshisë merren me politikën si veprimtari publike duke qenë të përgjegjshëm për Çarshinë, sepse morali i tyre i detyron ata që përmes Çarshisë ta projektojnë idenë dhe funksionimin e shtetit, ky si akt moral i respektimit të një kontrate dhe përpjekje që shtetin ta shohin si miniaturë të rregullit kozmik, harmonisë totale të individit në vete, kolektivit, shoqërisë, shtetit dhe universit.

Çfarë kishte për qëllim Ana Pakour-i me çadrën e saj? Ajo në mënyrë simbolike e shprehte diktaturën e Moskës mbi Bukureshtin. Edhe pse në Bukuresht nuk binte shi, Moska ishte ajo që e diktonte mbajtën e çadrave. Karl Shmit-i mendonte se të gjitha konceptet moderne politike janë të ndërtuara mbi diskursin e shekullarizuar teologjik, pra politika e sotshme në thelb është religjioze, kurse Habermas-i insiston se Evropa sot jeton në një kohë post-sekulare dhe përpjekjet e saja vazhdojnë për t’u çliruar nga mendësia kolonialiste në selektivitetin e respektimit të të drejtave fetare. Thjesht, nëse nuk bie shi, nuk kemi nevojë të mbajmë çadër meqë diku tjetër bie shi. Ta shijojmë diellin dhe nën rrezet e tij plotngjyrëshe ta shohim dhe ta njohim njëri-tjetrin. Dhe, mos ta kemi dert se a bie shi në Moskë!

Artikulli paraprakPapa: Pashkët janë përgjakur me “sulm të shëmtuar”
Artikulli vijuesIdentifikohet personi që rrëmbeu avionin e kompanisë egjiptiane