Kreshnik Osmani
Deklarata e kryeministrit dhe premtimi i tij për të futur mësimin fetar në arsimin publik, në një tubim festiv të Komunitetit Musliman Shqiptar është demagogji e pastër për qëllime elektorale.
Nuk jam kundër që fëmijët e shqiptarëve të njihen me fenë e tyre (me zgjedhje të lirë) pasi kjo është një praktikë e njohur në shumë prej vendeve të zhvilluara në Evropë.
Por nuk është ky problemi. “Lepuri” fle gjetkë.
Praktikisht nuk ekziston mundësia që të mbulohen të gjitha shkollat me mësues të lëndës fetare, sepse numri i fetarëve të shkolluar është shumë më i vogël sesa nevojat e shkollave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo do të thotë që do të kemi njerëz shumë pak ose hiç fare të kualifikuar për të përmbushur misionin me sukses. Abuzimi nis që këtu. Gjithçka që ndërtohet mbi të pamundurën është e pamundur thotë lënda e logjikës.
Një tjetër arsye që provokon ‘sëkëlldi’ të madhe nga deklarata e kryeministrit është interesimi i tij për të luftuar kundër ideve ekstremiste. Si mund të luftohet ekstremizmi me njerëz të paformuar fetarisht?! Ku do t’i gjejnë kuadrot?!
Apo ka ndërmend ta japë edhe arsimin fetar me koncension të tipit “off-shore” tek ndonjë korporatë arsimore jashtë Shqipërisë?!
Përsëris ftesën dashamirëse adresuar Komunitetit Musliman Shqiptar dhe të gjithë klerikëve të feve të tjera, që xhelozohen për ‘fatet e Kombit’ dhe duan të mirën e Shqipërisë, që të përzënë prej xhamive, kishave dhe festave të tyre sojet dhe sorrollopet e politikës që kanë 25 vite që spekulojnë me gjithçka.
Mbani larg festave dhe jubileve tuaj të rëndësishëm të gjithë ata që merren me politikë, përfshi dhe mua që mund të konsiderohem një praktikant (dhe që jam distancuar jo pa qëllim) dhe çdo përpjekje e juaja për të bërë qoka për pushtetin apo për parti të caktuara, me orientime qarqesh e ambasadash të huaja, do të konsiderohen biznes fetaro-politik, që kompromenton rëndë rolin e klerit dhe bashkë me të dhe laicitetin në Shqipëri.
Ashtu siç e kam shprehur edhe më parë, selektiviteti karagjoz në përzgjedhjen e figurave politike në ceremonitë e mëdha fetare në vend, qofshin këto iftare, inagurime, synetlliqe etj, duke i vendosur ata në fokusin e kamerave, për të derdhur në mënyrë indirekte e tinzare kolateral fetar në xhirollogaritë politike, ju bën bashkëpuntorë të politikës në manipulimin, varfërimin, mjerimin dhe poshtërimin e ‘anëtarësisë së Kombit’.
Kam qenë vazhdimisht i mendimit se politika nuk duhet t’i fusë hundët tek punët e fesë dhe anasjelltas.
Nuk është e ndershme të përdorim tribunat fetare për të afirmuar personazhe apo platforma të caktuara politike, qofshin këta drejtuesit më të lartë të shtetit. Kjo është porta më e rrezikshme që mund të hapet në këtë vend.
Sektarizimi fetar i politikës dhe politizimi i sekteve fetare do të thotë libanizim i politikës shqiptare. Libanizim do të thotë që secilit sekt fetar në vend t’i garantohet me Kushtetutë hisa e vetë në pushtet.
Nuk është e ndershme që disa parti të respektojnë rregullat e laicitetit duke komunikuar politikisht me të gjithë anëtarësinë e Kombit, dhe disa të tjerë të marrin “penallti” një vit para zgjedhjeve parlamentare (të dhuruara prej përfaqësuesve të klerit) dhe të bëjnë “gola” elektoralë me ndjesitë fetare të popullatës së varfër dhe të hutuar.
Për 25 vite me radhë nuk mbeti politikan pa e shtrydhur politikisht ‘Xhaminë e Madhe’ të Tiranës, tani për 25 vitet e ardhshme po sajojnë arsimin fetar publik.
Po e hapët lojën do ta hapim të gjithë dhe ajo që hapet me vendimin tuaj, nuk mund të mbyllet më prej të njëjtit vendim! Paqe!