Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot kanë dhënë fjalët përfundimtare deputetët e Vetëvendosjes të cilët akuzohen për sulm fizik ndaj kolegut të tyre nga PDK-ja, Bekim Haxhiu.
Në këtë seancë ishin të gjithë të akuzuarit përveç ish-deputetit Florin Krasniqi i cili gjendet jashtë vendit.
Ndërkohë që kryetarin e Vetëvendosjes është dashur që ta sjellë në Gjykatë policia e Kosovës.
Rexhep Selimi, tha se rasti në mes të tij dhe Bekim Haxhiut – Kamishit nuk ka qenë konflikt fizik, duke shtuar se rasti është i motivuar politikisht.
Selimi gjithashtu deklaroi se asnjë dëshmi e dhënë nga dëshmitarët në seancën e kaluar dhe dëshmitë e paraqitura nuk e vërtetojnë se aktakuzën e ngritur, duke shtuar se dëshmitarët e demantojnë njëri tjetrin.
Madje, sipas tij edhe vetë pala e dëmtuar Bekim Haxhiu demanton Prokurorinë.
Sipas Selimit pas momentit që pretendohet se është sulmuar fizikisht, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka shkuar prapë në seancë dhe sipas tij më vonë i ka rënë ndërmend që ta bëjë ekspertizën mjekoligjore.
Ndërsa, i akuzuari tjetër, deputeti Visar Ymeri duke e quajtur Haxhiun agjent të SHIK-ut, tha se ai është mveshur me përgjegjësi për të përvuajtur kundërshtarët politik duke përdorur mashtrime, trillime, akuza të rrejshme, dëshmi po ashtu të rrejshme.
Ymeri shtoi ky proces është i bazuar në trillime të Haxhiut, të cilat kanë ndikuar edhe te prokurorja e rastit, e cila sipas tij, gjatë këtij procesi ka treguar ndjeshmëri karshi profilit publik të Haxhiut, por u tregua e verbër karshi provave.
Pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të të akuzuarve , gjyqtari i rastit Vesel Ismajli vendosi që vendimi përfundimtar në lidhje me këtë rast do të merret më 15 prill, në ora 14:30.
Ngjarja për të cilën u zhvillua ky proces gjyqësor ka ndodhur më 28 qershor të vitit 2012 në oborrin e Kuvendit të Kosovës.kohaislame