Disa çështje që lidhen me metodën e “ehli sunetit” në referim

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Disa çështje që lidhen me metodën e “ehli sunetit” në referim

1 – “Ixhmai” i selefëve.
Në fillimin e këtij kapitulli kemi përmendur se burimi i tretë është “ixhmai” i selefëve. “Ehli sune uel xhemaah” besojnë se njerëzit më të ditur pas Profetit (salallahu alejhi ue selem) janë sahabët, prandaj nuk ka dyshim se pajtimi i tyre në lidhje me një çështje nuk mund të jetë i gabuar. Kështu që “ixhmai” i sahabëve është një nga argumentet në të cilat bazohemi. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, të cilin e ka përmendur dhe e ka zgjedhur ibn Tejmije në “Mexhmuul fetaua”, “ixhmai” i vlefshëm ka ekzistuar vetëm në kohën e sahabëve, sepse pas tyre kanë lindur shumë mosmarrëveshje dhe Umeti është zgjeruar shumë, gjë e cila e bën të pamundur të merret e të njihet mendimi i të gjithë “muxhtehidëve” në lidhje me një çështje fetare. Prej citateve të ibn Tejmijes lidhur me këtë çështje është fjala e tij: “Ixhmai i selefëve mund të jetë veçse i saktë”, si dhe fjala e tij: “Muslimanët në të gjitha çështjet e fesë bazohen në Kur’an, Sunet dhe ixhmain e selefëve. Këto tri parime janë të pagabueshme (të mbrojtura nga gabimi).”
2 – Është detyrë pranimi i çdo hadithi të saktë që na ka ardhur nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe punimi me të, qoftë ai “muteuatir” apo “ehad”, si në çështjet e Akides, ashtu edhe në çështje të tjera të fesë.
Hadithi“muteuatir” është hadithi që e ka transmetuar një grup i madh njerëzish, të cilët zakonisht nuk mund të pajtohen në gënjeshtër. Ky numër i madh trasmetuesish duhet të jetë në të gjitha hallkat e senedit. Lajmi i tyre duhet të jetë i mbështetur në atë që e kanë dëgjuar, parë ose prekur dhe të mos jetë konkluzion logjik. Si shembull për hadithin “muteuatir” kemi fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Kush gënjen ndaj meje me dashje, le të përgatisë karrigen e tij në zjarr.” Këtë hadith e kanë transmetuar më shumë se 70-të prej sahabëve. Vërtetësia e hadithit “muteuatir” është e padiskutueshme dhe prej tij përfitohet bindje e sigurtë.
Hadithi “ehad” është ai që nuk i ka plotësuar kushtet e hadithit “muteuatir”. Dijetarët e hadithit e kanë ndarë hadithin “ehad”, për sa i përket numrit të rrugëve të tij, në tri lloje:
a. Meshhur. Ky është hadith që e kanë transmetuar tre transmetues ose më shumë në çdo hallkë të senedit, por që nuk e arrin numrin e hadithit “muteuatir”, si p.sh. hadithi: “Allahu nuk e merr dijen duke e shkëputur nga gjokset, por duke u marrë jetën dijetarëve, derisa të mos mbetet asnjë dijetar. Atëherë do të pyeten injorantët, të cilët do t’i humbin vetet e tyre dhe ata të cilët i pyesin.” Buhariu, Muslimi.
b. Aziz. Ky është hadithi që nuk ka më pak se dy transmetues në të gjitha hallkat e senedit, si p.sh. hadithi i Enes ibn Malik dhe ebu Hurejres (radijallahu anhum) nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Nuk beson asnjëri prej jush derisa unë të jem më i dashur tek ai se babai i tij, fëmija e tij dhe të gjithë njerëzit.” Buhariu dhe Muslimi.
c. Garib. Ky është hadithi që e ka transmetuar vetëm një transmetues, qoftë edhe në një hallkë prej hallkave të senedit, si p.sh. hadithi i nijetit që e transmeton Umer ibnul Hattab, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.
Hadithi “ehad” mund të jetë i saktë, i mirë, i dobët, shumë i dobët dhe i trilluar, prandaj duhet të vërejmë vlerësimin që i kanë bërë dijetarët, në mënyrë që të punojmë me hadithe të sakta në të gjitha çështjet e fesë, qoftë në Akide, në rregullat e Fikhut apo më gjerë dhe të largohemi nga hadithet e pasakta.
Dijetarët e selefëve të mirë besojnë se çdo gjë që na ka lajmëruar Allahu për të, ose që na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe e cila na ka mbërritur nëpërmjet një rruge të saktë, jemi të obliguar ta besojmë. Ata nuk bëjnë ndryshim mes lajmit “muteuatir” dhe lajmit “ehad” përderisa është i saktë. Kështu ata i konfirmojnë çështjet e Akides pa dallim, me të dyja llojet.
Një grup i humbur mendon se nuk vlen të mbështetesh në hadithe të sakta “ehad” në çështjet e Akides. Prandaj ata nuk bazohen për pohimin e çështjeve të Akides veçse në Kur’an e në hadithe “muteuatir”. Argumentimi me Kur’an dhe hadith “muteuatir”, sipas tyre, është i vlefshëm vetëm në rastin kur kuptimi i tekstit është i prerë e i padiskutueshëm. Ky mendim e ka prejardhjen nga “ehlul kelam”, të cilët i japin përparësi logjikës para argumenteve të Kur’anit dhe Sunetit. Në këtë mendim i pasuan disa dijetarë të “usulul Fikhut”, por në kohën tonë ky mendim u përhap shumë, aq sa gati u harrua besimi i vërtetë, megjithëse dijetarët në të kaluarën dhe në të tashmen e kanë zbuluar dilemën që u ka lindur përfaqësuesve të këtij mendimi, si dhe kanë sqaruar pavlefshmërinë dhe rrezikshmërinë e saj.
Sqarimi i dilemës së tyre është si më poshtë.
Ata kanë thënë se argumentet në të cilat mbështesim çështjet e Akides, duhet të jenë të formës së prerë dhe të përfitohet prej tyre bindje e sigurtë “jekin”. Nga hadithet “ehad” dhe tekstet e Kur’anit e të haditheve “muteuatir” që kanë kuptim të diskutueshëm (jo të prerë), nuk përfitohet bindje e sigurtë, por ato janë argumente “dhannije” (prej të cilëve përfitohet një mendim, ose një mundësi më e madhe lidhur me një çështje, por që nuk arrin nivelin e bindjes së sigurtë “jekin”), prandaj ato nuk vlejnë për argument në Akide. Argumentet prej të cilëve përfitohet “dhann”, nuk lejohet të përdoren si dëshmi për çështjet e Akides, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Ata nuk kanë asnjë dije për këtë. Ata ndjekin vetëm se ‘edh-dhann’[8] (hamendje) dhe padyshim se hamendja nuk vlen aspak ndaj së vërtetës (që ta zëvendësojë atë).” En-Nexhm: 28.
“Ata ndjekin vetëm se ‘edh-dhann’ dhe atë që ata dëshirojnë.” En-Nexhm: 23.
Ata thonë se në këto ajete e të tjera, Allahu i Lartësuar i ka sharë mushrikët për shkak se ata ndjekin “edh-dhann”. Sipas tyre këtu përfshihet edhe mbështetja për çështjet e Akides, në hadithe “ehad” dhe në ajete e hadithe “muteuatir” që nuk kanë domethënie të prerë. Të bazuarit në këto ajete e të tjera për të përligjur mendimin e tyre nuk është i saktë, sepse “dhann-i” që ka ndaluar Allahu të ndiqet në ajetet e Kur’anit, nuk është “dhann-i” që kanë për qëllim ata, por ai është “dhann-i” që merr kuptimin e dyshimit, hamendjes dhe gënjeshtrës. Këtë lloj e ka ndaluar Allahu në Kur’an dhe jo punimin me hadithet “ehad”, sepse prej tyre përfitohet bindje e sigurtë ose më e pakta, mendimi më i fortë dhe mundësia më e madhe, siç do ta sqarojmë në vijim, inshaAllah.
– “Dhann-i” i përmendur në ajet, të cilin e ka hedhur poshtë Allahu i Lartësuar, nuk është ai prej të cilit përfitohet mendimi më i fortë dhe mundësia më e madhe rreth diçkaje, por është ndjekja e dyshimeve, hamendjeve dhe gënjeshtrave. Prej gjërave që e përforcojnë këtë është fjala e Allahut të Lartësuar për mushrikët:
“Ata nuk ndjekin gjë tjetër veçse edh-dhann (hamendjen, dyshimet) dhe ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse gënjejnë.” (En Aam: 116), që do të thotë se me fjalën “dhann” ka pasur për qëllim gënjeshtrën, hamendjen.
– Sikur thënia e tyre të ishte e saktë, atëherë nuk do të lejohej punimi me hadithe “ehad” edhe në çështjet e Fikhut, sepse Allahu e ka ndaluar punimin me “edh-dhann” në përgjithësi, pa bërë dallim mes çështjeve të Akides dhe të Fikhut dhe sepse në ajetin e sures “En-Aam”, ku Allahu i Lartësuar ka dënuar ndjekjen e “dhann-it” nga ana e mushrikëve, ka përmendur edhe disa rregulla Fikhu, gjë e cila tregon se ky lloj “dhann-i” është i dënuar në të gjitha çështjet, si të Akides ashtu edhe të Fikhut:
“Ata që i bënë shok Allahut të Lartësuar do të thonë: ‘Po të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i kishim bërë shokë Atij në adhurim, as edhe baballarët tanë (nuk do ta kishin bërë këtë), – ky fragment bën fjalë për çështje besimi – , dhe se nuk do të kishim ndaluar ndonjë gjë’ (përkundër dëshirës së Tij). – ky fragment bën fjalë për gjëra që kanë të bëjnë me rregullat. Në të njëjtën mënyrë përgënjeshtruan ata që ishin para tyre (ata kundërshtuan padrejtësisht të Dërguarin e Allahut), derisa shijuan Zemërimin Tonë. Thuaj: ‘A mos keni ju ndonjë dijeni (provë mbrojtëse) që mund ta sillni para nesh? Vërtet që ju nuk ndiqni gjë tjetër, por vetëm dhann (hamendje) dhe nuk bëni gjë tjetër përveçse gënjeni’.” En Aam: 148.
Pastaj ne nuk e pranojmë thënien e tyre se prej hadithit “ehad” nuk përfitohet bindje e sigurtë, sepse një gjë e tillë mund të jetë e mundur. Siddik Hasen Khan ka thënë: “Mospajtimi i dijetarëve lidhur me përfitimin e bindjes së sigurtë nga hadithi ‘ehad’, është vetëm në rastin kur atij nuk i bashkangjitet diçka që e përforcon, ndërsa nëse do t’i bashkangjitet diçka që e përforcon, ose hadithi të jetë ‘meshhur’, atëherë nuk ka kundërshtim se prej tij përfitohet bindje e sigurtë.”
Ajo që rezulton nga studimi i qëndrimeve dhe thënieve të selefëve dhe të shumë dijetarëve të mëvonshëm si ibnus Salah, ibn Tejmije, ibn Kethir e të tjerë, është se hadithi “ehad” është bindës, nëse ekzistojnë shenja e tregues që e përforcojnë. Hadithet që shoqërohen me cilësi përforcuese prej të cilave përftohet bindje, janë këto që vijojnë:
a) Hadithet që janë transmetuar në librat e hadithit, të cilat janë vlerësuar të sakta nga dijetarët dhe nuk i ka hedhur poshtë asnjëri prej tyre. Në këtë rast padyshim përfitohet prej tyre bindje, sepse Umeti është pajtuar për saktësinë e tyre.
b) Hadithet që i ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi së bashku, ose njëri prej tyre dhe nuk i ka kundërshtuar asnjë prej dijetarëve të hadithit në saktësinë e tyre.
c) Hadithet “meshhur”, të cilat kanë tri ose më shumë rrugë.
d) Hadithet që i kanë transmetuar dijetarë të mëdhenj si Malik nga Nafi’, nga Abdullah ibn Umer etj.
Madje disa dijetarë janë të mendimit se nga çdo hadith i saktë përfitohet bindje e plotë (jakin). Ky është mendimi i disa dijetarëve të medhhebit maliki, shafi’, hanbeli, si dhe mendimi i ibn Hazmit. Në kohën tonë këtë mendim e ka zgjedhur shejh Albani.
Nga kjo që sqaruam dalim në përfundimin se dijetarët e “ehli sune uel xhemaah” i pranojnë hadithet “ehad” si të sakta, qoftë në besim apo në rregullat e Fikhut, pa bërë dallim. Tregon për këtë fakti që dijetarët e Sunetit si Maliku, Ahmedi, Buhariu, Muslimi, ebi Davudi, Tirmidhiu e të tjerë, i kanë transmetuar e regjistruar në librat e tyre hadithet që përmbajnë çështje të Akides, megjithëse e dinin se hadithet “muteuatir” janë shumë pak, dhe se shumica e tyre janë “ehad”. Sikur të mos e pranonin bazimin në to për çështjet e Akides, nuk do të ishin lodhur me transmetimin e tyre dhe do t’u kishte shkuar e gjithë kjo punë kot. Kushdo që u mvesh atyre ndonje mendim tjetër, ka shpifur ndaj tyre. Pastaj diskutimi nëse përfitohet prej hadithit “ehad” bindje apo jo, nuk ka arsye që të lidhet me temën e Akides, sepse dijetarët që thonë se përfitohet prej tij “dhann”, e pranojnë atë në Akide përderisa është i saktë. Ibnu Abdil Berr është i mendimit se nga hadithi “ehad” përfitohet “dhann” dhe jo “jekin”, megjithatë ai e pranon atë në çështjet e Akides dhe thotë se ky është qëndrimi i dijetarëve të “ehli sunetit”.

Artikulli paraprakPerceptimi i drejtë i teksteve të Kur’anit dhe Sunetit
Artikulli vijuesFaktet nga Kur’ani dhe Suneti që tregojnë se është detyrë të pranohet hadithi “ehad” në çështjet e Akides