Rreth 110 refugjatë në kampin në Gjevgjeli, ankohen se po jetojnë si në burg!

Këta refugjatë ka disa muaj që po qëndrojnë këtu në Qendrën për pranimin e refugjatëve në Gjevgjeli, por ky nuk ka qenë destinacioni i tyre. Numri i tyre tani është vetëm 110, pasi që shumica e tyre janë kthyer në Idomeni dhe pjesa tjetër kanë braktisur këtë qendër në mënyrë ilegale. Ata thonë se ndjehen sikur të burgosur dhe nuk u lejohet që të dalin jashtë kampit, përveç nevojave mjekësore deri në spitalin lokal të Gjevgjelisë.

Banorët brenda kampit thonë se janë mërzitur nga ky vend, dhe se duan ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre për ku edhe janë nisur, Evropë.

“Më mirë mos pyet për këtë gjë, të gjithë njerëzit janë të lodhur dhe nuk kanë asnjë shpresë ndonjë gjë këtu. Ne disi jemi duke jetuar këtu, por duam që të shkojmë jashtë prej këtu. Kudo qoftë, ne nuk kemi ndonjë vend ku duam të shkojmë, por vetëm duam të largohemi prej këtu”.

“Kushtet këtu nuk janë edhe shumë keq, por kjo na u është bërë si burg. Nuk na lejohet që të dalim nga ky vend. Edhe sikur të imagjinojmë se çdo gjë është mirë, por përsëri është si burg. Ne duam të largohemi prej këtu, kemi kërkuar që dalim nga kampi për të shkuar deri në Gjevgjeli apo dikund tjetër, duke lënë pasaportën apo letërnjoftimin, por nuk po na lejojnë”, shprehen emigrantët.

Refugjatët shqetësimet e tyre ia shprehën edhe ambasadorit të BE-së, Aivo Orav dhe atij britanik, Riçard Garet që gjatë kësaj jave vizituan kampin. Euroambasadori Orav tha se problemi me refugjatët ende mbetet si problem serioz.

“Këtë kamp e kam vizituar një vjet më parë, dhe sigurisht që ka ndryshuar shumë, pra mendoj që kushtet janë më të mira por vet problemi është me të vërtetë serioz”, tha Orav.

Udhëheqësi i Kryqit të Kuq në kamp Sllobodan Mitroviq thotë se janë në shërbim të refugjatëve për të gjitha nevojat e tyre.

“Siç edhe dihet ka gati 2 muaj që një grup njerëzish po qëndrojmë këtu, dhe të njëjtit shërbehen me kushtet elementare nga Kryqi i Kuq, ushqim, ujë dhe produkte tjera të nevojshme jo ushqimore. Ndaj tyre ka edhe trajtim mjekësor. Pra Kryqi i kuq punon 24 orë që ti shërbej ata me gjitha gjërat e nevojshme”, tha Mitroviq.

Nga Kryqi i Kuq theksojnë se shumica e refugjatëve muajve të fundit janë  sëmurë nga viruset, infektimet dhe alergjitë e ndryshme. Edhe këta që kanë mbetur në numër më të vogël thonë se për çdo ditë po mendojnë se si të largohen duke synuar destinacion drejt vendeve të BE-së.

Artikulli paraprakDelawie për nder të Ditës Ndërkombëtare të LGBT-së ngrit flamurin e tyre në ambasadë
Artikulli vijuesSi të bëni një ketchup të shëndetshëm për 2 minuta?