Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar të enjten se ngritur aktakuzë kundër tre të pandehurve M. Sh., H. Z. dhe V. K., “për shkak se kanë kryer veprën penale trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor si dhe mosdhënia e ndihmës mjekësore.”
Bëhet fjalë për Mexhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri, të arrestuara nga Policia e Kosovës në muajin mars si të dyshuara që nuk e kanë trajtuar siç duhet një paciente, Arbenita Spahiun, e cila vdiq në Spitalin e Gjilanit pas lindjes së fëmijës së saj të parë.
“Sipas aktakuzës, të pandehurat M. Sh dhe H. Z., me datë 3 mars 2016 në cilësinë e personave zyrtarë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, tani të ndjerës A. S., gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes, nga pakujdesia kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes duke i caktuar marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adekuate për të”, thuhet në njoftimin e sotëm të prokurorisë.
“Për shkak të mostrajtimit të duhur dhe veprimeve të cilat mjekët është dashtë t’i ndërmarrin me kohë, ka ardhur deri tek vdekja e pacientes, me çka kanë kryer veprën penale, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se e pandehura V. K., me datë 2 mars 2016, si mjeke kujdestare, në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes, tani të ndjerës A.S, para aktit të lindjes edhe pse ka qenë e vetëdijshme se mosveprimi i tillë mund të rezultojë me pasoja për shëndetin e pacientes dhe bebes së saj, si dhe ka refuzuar dhënien e ndihmës mjekësore duke thënë të njoftojnë mjekun tjetër kujdestar, me çka ka kryer veprën penale, mosdhënia e ndihmës mjekësore, thuhet në njoftimin e prokurorisë./I