Për shkak të thatësirës më të madhe gjatë dekadave të fundit, kontinenti afrikan momentalisht është prekur nga mungesa më e madhe e ushqimit në 30 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ekspertët pohojnë se mungesa e ushqimit dhe thatësira në Afrikë është shkaktuar nga efektet e El Nino-s, fenomenit atmosferik-oqeanor global në pjesën tropikale të Oqeanit Paqësor.
El Nino, sipas të përditshmes “The Guardian”, është krijuar nga ngrohja globale, ndërsa meteorologët besojnë se fenomeni atmosferik në një të ardhme të afërt mund të jetë dukuria më e madhe meteorologjike ndonjëherë.
Për shkak të këtij fenomeni, erërat lindore të Paqësorit dobësohen, ndërsa valët e ujit të ngrohtë përhapen në Amerikën Jugore dhe shkaktohet rritja e temperaturave sipërfaqësore të ujit. Fenomeni shkakton dimër jashtëzakonisht të ngrohtë dhe thatësirë të madhe në shumë vende të botës.
Derisa thatësira dhe temperaturat e larta karakterizojnë Indinë, disa pjesë të Amerikës Latine dhe Azisë Juglindore, në Malavi, Mozambik, Lesoto, Zimbabve, Etiopi, Namibi, Madagaskar, Kongo dhe Republikën Demokratike të Kongos është shpallur gjendje e “katastrofës kombëtare” për shkak të thatësisërës dhe mungesës së ushqimit. Kombet e Bashkuara në fillim të vitit paralajmëruan bashkësinë ndërkombëtare se për Etiopinë urgjentisht duhen siguruar mbi 650 milionë dollarë amerikanë ose 7.8 tonë ushqim.