“Islamofobia, myslimanofobia dhe sekularët fundamentalistë”

Për të qenë serioz, duhet kapërcyer terminologjinë etiketuese dhe ta deshifrojmë terminologjinë për të kuptuar se çka në të vërtetë po thuhet

Tash besoj shumica juaj veç keni dëgjuar për islamofobët. Gjithashtu keni dëgjuar gjithandej për ekstremistët fetarë dhe fundamentalistët sekularë. Krejt këto fjalë janë pjesë e një terminologjie që po përdoren për shumë arsye. Ndonjëherë nga panjohuria, por më shumë si tendencë për të mbyllur një debat të sinqertë në lidhje me temën.  Derisa bota ka me mijëra vjet që nuk arrin t’i dalë në fund këtij debati, në Kosovë veç kemi analistë e opinionistë që veç kanë shpallur fituesin në lidhje me temën. Megjithatë, për të qenë serioz në këtë temë besoj se duhet kapërcyer terminologjinë etiketuese dhe të deshifrojmë terminologjinë për të kuptuar se çka në të vërtetë po thuhet.

 

Islamofobia

Fillimisht më duhet të theksoj se termi islamofobi është një term i shpikur që nuk ka asnjë kuptim, mirëpo që disa manipulues e kanë shpikur me tendencë që kritikën ndaj Islamit ta cilësojnë si kritike edhe ndaj myslimanëve. Ta shpjegoj pse. Fobia përkthehet si frikë iracionale ndaj diçkaje apo dikujt, derisa Islami është një ideologji që në vete përmban rregulla dhe ligje që synojnë të jenë udhëzim për jetën e secilit mysliman. Tash nëse e përkthejmë në mënyrë tekstuale atëherë me islamofobi nënkuptojmë frika nga Islami, apo ndryshe thënë frika e njërit për të jetuar në një mjedis apo shoqëri ku jetohet me rregullat që i përcakton Islami. Pra nëse flitet për këtë definicion, atëherë të gjithë mund të vërejmë se do të ishte shumë racionale që secili të ketë frikë nga një pasojë e tillë duke ditur pasojat nga vendet që aplikojnë këto sisteme teokratike, apo edhe nga historia, e cila na e shpjegon qartë se çfarë ndodh kur njeriu merr pushtetin e Zotit në tokë dhe sundon në emër të tij.

Krejt çka dua të përmbledh këtu është se duket i turpshëm dhe injorant tendenca e atyre që përdorin këtë etiketim si mburojë për të ndaluar kritikat ndaj ideologjive, në këtë rast Islami. Kritika ndaj religjionit e profetëve nuk është islamofobi. Më shpjegoni sa prej jush keni dëgjuar termin kristianofob? Në vendet perëndimore libraritë dhe bibliotekat kanë mijëra publikime të personave që kritikojnë krishterimin dhe asnjëherë nuk kam rastis të dëgjoj të thirren si “kristianofob.” Doni ende shembuj? Ja edhe dy tjerë. Keni dëgjuar diku se një kritik i demokracisë të quhet demokratofob, apo një kritik i fashizmit të etiketohet si fashistofob? Nuk ka. Këtë e gjeni vetëm tek kritika ndaj Islamit dhe prandaj nëse kërkoni debat serioz është shumë joserioze përdorimi termeve që nuk kanë kurrfarë kuptimi. Përndryshe, ose jeni komplet injorantë, ose e bëni me qëllim dhe kjo ju barazon me gjithë ata individë që përdorin këto terme në qëllim për të mbyllur debatin në lidhje me Islamin, ose frikacak që përdorin këtë term për shkak se nuk arrini të përballeni me substancën e problemit, por nuk habitem nëse e bëni edhe sa për të fituar simpati ose disa minuta famë tek masa. Mirëpo nëse njiheni si liberal dhe thirreni në vlera demokratike, atëherë kuptojeni për herë të fundit se ideologjitë nuk kanë të drejta, derisa njerëzit kanë. Për ta thjeshtuar, kjo nënkupton se myslimanët si njerëz kanë të drejta, po jo edhe Islami si bindje.

 

Myslimanofobia

Tash dua të shkoj pak përtej, sepse unë nuk jam këtu për të mbyllur një debat me përmbysjen e një termi pa dhënë një zgjidhje tjetër. Më duhet të kthehem tek çështja duke theksuar se ka të tillë që, shpeshherë me të drejtë, thonë se ekziston një sëmundje patologjike të disa individëve që i urrejnë myslimanët vetëm për faktin se besojnë në Islam. Mirëpo, soji i tyre nuk duhet të quhen islamofob, por myslimanofob. E propozoj këtë term për dy arsye. E para, për shkak se këtu flitet për njerëz dhe jo për ideologji, dhe e dyta, termi islamofob është aq gjithëpërfshirës, tendencioz, dhe i pakuptimtë saqë, siç e thashë më lartë, shumicën e rasteve përdoret për etiketim e kritikëve të Islamit duke i cilësuar si urrejtës të myslimanëve. Pra, qëllimisht nuk ndan myslimanin dhe islamin për të pasur më të lehtë për t’i ngjyrosur kritikët me një brushë të vetëm dhe prandaj, termi myslimanofob e qartëson këtë konfuzion, ngushton hapësirë për manipulim, dhe arrin të ndajë rrapin prej sheqerit, siç thonë në popull.

Tani, kur flasim për myslimanofobët, pra individë qe i urrejnë një person apo një grup të caktuar njerëzish për arsyen e vetme se besojnë në Islam, atëherë sigurisht se është problem serioz që ka nevojë të trajtohet. Në rast se dikush etiketohet si myslimanofob atëherë nevojitet që të kemi prova të dëshmojmë se Kosova paska njerëz serioz brenda shoqërisë që i urren të gjithë myslimanët vetëm për shkak të bindjeve të tyre. E kuptoni sa e vështirë është? Për të gjetur një myslimanofob kërkohet të gjeni një individ që i urren myslimanët vetëm për shkak se janë besimtarë, që nënkupton urrejtjen e 95% e qytetarëve të Kosovës, duke përfshi urrejtjen e familjarëve dhe miqve të tyre që e ndajnë atë bindje. Pra, nuk them se është e pamundur, por shumë e vështirë për t’u dëshmuar, por megjithatë ky term nuk lejon paqartësi dhe gjithashtu ngushton hapësirën për të manipuluar me terminologji siç është bërë deri më tani.

Me fjalë tjera, islamofobia si term nuk ka asnjë kuptim sepse ky term përbën në vete dy koncepte të ndryshme me dallime shumë të mëdha, por që qëllimisht përzihen sepse është më e lehtë të manipulohet. Ja qartësia që termi myslimanofob e arrin. Secili mund të kritikoj ideologjinë e dikujt pa pasur urrejtjen e njëjtë për individin. Ja një shembull që e sqaron këtë. Mendojeni sikur gjyshja juaj për shembull është një besimtare e devotshme që fal pesë kohë namaz. Mendojeni tani sikur ju të jeni një kritik i madh ndaj Islamit si fe. A nënkupton që ju urreni gjyshen tuaj? Sigurisht se jo. Ose ja edhe një shembull tjetër. Mendojeni Islamin si duhanin (produkt që konsumohet), dhe myslimanin si duhanxhiun (personin që konsumon duhanin). Ti ke mundësi të kritikosh dike për konsumimin e duhanit, por kjo nuk nënkupton që e urren edhe personin që konsumon duhanin. E kuptoni pra sa me rëndësi dhe sa i madh është dallimi mes këtyre dy koncepteve mes Islamit dhe myslimanit, por që qëllimisht përzihen dhe bëhen të paqarta tek termi islamofob. Shkurt, dallimi është krucial që ofron edhe qartësinë ligjore sepse sulmi ndaj një ideologjie nuk është vepër penale (së paku jo në shoqëritë demokratike), derisa sulmi ndaj personi është sepse individi ka të drejta, por jo edhe besimet. Prandaj, në bazë të shpjegimit të këtyre termeve, rrjedhimisht nuk mund të ketë konstatim tjetër pos asaj se termi islamofob është term i shpikur me qëllime tendencioze, derisa termi myslimanofob qartëson saktë se për çka flitet.

 

Sekularët fundamentalistë

Debatet pra bëhen të pamundura atëherë kur nuk definohen termet, të cilat shpeshherë më shumë si fjalë për të impresionuar lexuesin sesa që kanë ndonjë kuptim në vete. Të njëjtin rast të ambiguitetit e gjeni te krahasimet e analistëve kur përdorin terme si fundamentalist sekularë me ekstremistë fetarë, pa shpjeguar se për çka apo kë flitet. Hidhen vetëm si një brushë e madhe për të mbuluar një temë që prek të gjithë dhe njëkohësisht nuk thotë asgjë. Ja një shembull. Sekularizmi përfshin principin ku shteti ndahet nga feja dhe kjo nënkupton platformën e barabartë ku të gjithë kanë të drejtë besimin apo mosbesimin e tyre, pa pasur të drejtë të imponojnë ato në sfera publike. Pra, termi “sekularë fundamentalist” shpesh është përdorur duke lënë të kuptohet padrejtësisht se kinse nënkupton pretendimin e disa individëve për të ndaluar praktikimin e besimit Islam apo urrejtjen e Islamit. Mirëpo kjo nuk qëndron dhe të njëjtën kohë është shumë e pasaktë, e padrejtë, por edhe mënyrë e pasinqertë për të ju qasur debatit. Prapë po e përsëris, me sekularizëm kuptohet një koncept ku shteti mbron të drejtën e të gjithëve në mënyrë të barabartë në besimet, apo mosbesimet e tyre, derisa qëndron indiferent në implementimin e tyre në politikat shtetërore. Dhe unë qëndroj pas kësaj platforme dhe nëse dikush këtë e quan sekularizëm fundamentalist, atëherë po deklarohem me se me mburrje do ta bartë atë etiketë.

Prandaj, para se të vetëshpalleni fitues për një temë që filozof e shkencëtarë me renome tash e  mijëra vjet nuk arrijnë t’i dalin fundit, është me rëndësi që fillimisht të merreni serioz me veten dhe të ngrini nivelin e këtij debati duke definuar termet që përdoren, sepse na ndihmon të gjithëve të kuptojmë se për çka dhe kë po flitet. Së paku kjo pritet prej disa analistëve që janë të shkolluar dhe kanë aftësi për të krijuar mendim publik. Përndryshe, kjo qasje vetëm çka ju qet injorant, krijon paqartësi tek lexuesit, por njëkohësisht ju barazon me një shumicë njerëzish që e përdorin këtë term për të mbyllur debat, ose etiketim që përdoret si tendencë për të denigruar tjetrin, dhe krejt kjo është e pa sinqertë për një debat serioz, për ju vet, por edhe për publikun që ju përcjell.

Artikulli paraprakMustafa në Graçanicë, pyetet se si ndihet në një komunë të dominuar nga flamujt serbë
Artikulli vijuesDemarkacioni, rrezikohet koalicioni PDK-LDK