EURO 2016, nën hijen e dhunës së huliganëve

Pak javë para nisjes së kampionatit evropian të futbollit, disa qeveri perëndimore, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëshuan alarmin për rrezikun e sulmeve në Francë, nikoqirin e EURO 2016.

Për shkak të rritjes së numrit të vendeve pjesëmarrëse, turneu njëmujor i futbollit evropian, që sapo ka nisur, do të ketë më shumë ndeshje sportive, dhe kjo do të thotë edhe numër më i madh i turistëve që kanë shkuar dhe do të shkojnë enkas të përcjellin EURO 2016.

Mirëpo, duket se krahas rrezikut nga sulmet, pothuajse të gjithë e kanë harruar një problem tjetër, i cili ka kohë që nuk ka nxitur reagime nëpër ngjarje të tilla të mëdha, huliganizmin.

Një tifoz anglez është duke luftuar për jetën pasi u lëndua rëndë në qytetin Marsejë, ku kombëtarja angleze realizoi ndeshjen e parë në këtë kampionat, kundër kombëtares ruse.

Rusia e përmbysi rezultatin në minutën e 90-të, atëherë kur u njoftua se ndeshja kishte edhe 3 minuta të përfundonte. Loja përfundoi me rezultatin 1:1, ndonëse anglezët e dominuan lojën shumicën e kohës.

Pas ndeshjes, tifozët rusë kanë sulmuar ata anglezë në stadiumin Velodrome. Rusët kanë bërë përpjekje që të thyejnë barrierat që ishin vendosur të ndanin tifozët e të dy kombëtareve për të sulmuar tifozët anglezë.

Për tri ditë deri në momentin kur u mbajt ndeshja, sipas raportimeve të medieve, qyteti francez pa skena lufte kryesisht ndërmjet tifozëve anglezw me ata rusë, por edhe përleshje të përgjakshme me pjesëtarët e njësive speciale franceze.

Gazeta britanike, “Telegraph”, shkruan se në disa fotografi nga Marsejë, një tifoz britanik shihet i shtrirë në tokë derisa gjaku i dilte nga koka. Ai raportohet të jetë sulmuar në afërsi të “Hard Rock Café”, ndërsa duket se është shqelmuar në kokë.

Zëdhënësi i policisë së Marsejës, Matthieu Duroselle, ka thënë:

“Një tifoz anglez ka lëndime serioze. Zemra e tij ishte ndalur, por ajo u dëgjua të rrahë sërish pasi një oficer policie i ka bërë masazh zemrës së tij në rrugën ku ishte lënduar”.

BBC, ndërkaq, e citon një zëdhënëse anonime të “Foreign Office” duke thënë:

“Ne jemi në kontakt me autoritetet franceze rreth një qytetari britanik, të lënduar në Marsejë dhe ne jemi të gatshëm që të ofrojmë ndihmë të mëtutjeshme”.

Përleshjet në Marsejë janë dënuar ashpër edhe nga organizata që udhëheq futbollin evropian, UEFA:

“Vendosmërisht i dënojmë incidentet në Marsejë. Njerëzit që përfshihen në akte të tilla dhune, nuk kanë vend në futboll”.

UEFA ka thënë se do të nisë procedura disiplinore rreth dhunës, ndërsa është e pritshme në raste të tilla që Rusia të përballet me sanksione më të ashpra për shkak të sulmeve të tifozëve rusë brenda stadiumit.

Ngjarjet e tilla, krejt papritur kanë bërë që të harrohet përkohësisht frika se ndonjë sulm terrorist mund të shkaktojë tragjedi të paparë në turmat e mëdha të njerëzve që gjenden aktualisht në ndonjërin prej 10 qyteteve franceze, ku do të zhvillohen ndeshjet e EURO 2016.

 

Artikulli paraprakNë Vatikan sot do të lexohet Kurani
Artikulli vijues20 të vdekur e 42 të plagosur nga sulmi terrorist në klubin e homoseksualëve në SHBA