Partitë opozitare në Kosovë janë të shqetësuara nga deklarata e raportueses së Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, e cila ka thënë se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, në mënyrë që ta hapet procesi i lëvizjes pa viza. Ata thonë se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin dhe se kjo çështje nuk duhet të kushtëzohet me dhënie të territorit.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Frashër Krasniqi, për Telegrafin thotë se “pushteti është i gatshëm të falë territor të Kosovës, që ta ruajë karrierën politike të presidentit Hashim Thaçi”. Sipas tij, “karrierën politike të Thaçit, qytetarët e Kosovës janë duke e paguar me humbjen e mbi 8200 hektarëve të shtetit të tyre”.
“Përveç demarkacionit, BE-ja ka vendosur edhe kushte tjera: luftimi i krimit dhe korrupsionit. Por, për këto kushte nuk flet as kryeministri e as i ashtuquajturi president. Jemi i vetmi vend që ka përmbushur shumicën e standardeve të kërkuara. Pas gjithë këtyre, jemi kushtëzuar me territor”, ka thënë ai. “Mali i Zi e ka fituar liberalizmin e vizave pa e bërë marrëveshjen e demarkacionit. Ndaj, fajin kryesor për shtyrjen e liberalizimit të vizave e ka Qeveria e Kosovës, sepse është dashur të kryhet demarkacioni siç po e kërkojnë ekspertët vendorë dhe banorët dhe pronarët e asaj ane”,
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, shprehet se deklarata e Fajonit është e padrejtë.
“Me aq sa di unë, Fajon vjen nga Sllovenia, anëtar me të drejta të plota në BE. Ky vend e ka kufirin e hapur me Kroacinë. Situata e krijuar me demarkacionin është faj dhe përgjegjësi e këtij Ekzekutivi. Ka më shumë se një vit që AAK-ja e ka ngritur shqetësimin se kufiri është vendosur keq”, ka theksuar Nitaj. “Qeveria prej atëherë e deri sot nuk ka ndërmarrë asnjë hap që ta korrigjojë marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare. Sikur ky pushtet të sillej me përgjegjësi, çështja e demarkacionit nuk do të ishte sot temë”.
Nitaj pyet pushtetin aktual, duke thënë se “nëse për liberalizimin e vizave duhet t’i sakrifikojmë disa mijëra hektarë, sa tokë duhet ta humbim në momentin që Kosova të bëhet anëtare e BE-së”?
“Opozita e ka për obligim që ta mbrojë tërësinë territoriale të vendit. Nuk mund të fajësohet dikush që e mbron këtë tërësi. Ne nuk kemi aspirata territoriale ndaj asnjë shteti, aq më pak ndaj Malit të Zi”, ka thënë ai, duke shtuar se mosgatishmëria e BE-së që t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave, ka bërë që çështja e demarkacionit të shërbejë si Casus Belli që të shtyhet ky proces për kosovarët.
Ndryshe, Fajon ka thënë se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është vënë si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.
“Do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian”, ka thënë ajo. /Telegrafi/