NGA SHPALLJA E PAVARËSISË, NË 100-VJETORIN E SHTETIT SHQIPTAR

Gjithë studimet historike, kujtimet apo episodet e mëvonshme, që bëjnë fjalë për pavarësinë e Shqipërisë të gjitha bashkohen në një pikë të vetme: Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, ndërsa ngjitej në shkallët e anijes “Baron Bruck”, “burri i urtë” Ismail Qemali dhe e gjithë shpura që e shoqëronte atë, ishin të qartë se po shkonin drejt pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.

Në një intervistë të kohës, dhënë gazetës “Piccolo”, përpara nisjes, Ismail Qemali dëshmoi strategjinë e tij: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme e ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”.

Por pak u fol e dihet për atë që do të ndodhte gjatë udhëtimit të tij të trazuar nga Stambolli në Bukuresht, e prej këtu në Budapest e Vjenë. Nuk kishte komentuar as takimet gjysmë të fshehta me personalitetet më të rëndësishme të politikës së jashtme të atyre vendeve dhe padyshim as faktin se në Shqipërinë gjysmë të pushtuar nga fuqitë ballkanike, që i kishin shpallur luftë Turqisë, ishte krijuar tashmë një komitet, që merrej me përgatitjen e pavarësisë.

Në fakt, nuk ishte sqaruar se si kishte ndodhur realisht që ideja e autonomisë, me të cilën ai qe nisur nga Stambolli e për të cilën kishte biseduar me autoritetet e Portës së Lartë, ishte shndërruar tashmë në një pavarësi të kulluar nga Turqia.

Por cili ishte Ismail Qemali, ai i cili më 1909, refuzoi dy herë rresht postin e Ministrit të Drejtësisë e më pas atë të Ministrit të Brendshëm të Perandorisë Turke dhe ai burrë që i komunikoi direkt sulltanit: Shpalljen e autonomisë së Shqipërisë nga perandoria turke dhe emërimin e një shqiptari, mbase edhe të tijin, në krye të shtetit të ri që pritej të lindte.

Në nëntor 1911, ndërsa ndodhej në një udhëtim në Trieste, Ismail Qemali u ftua nga Koloneli Bekir të takonte Princin e Malit te Zi, Mirko, e më pas edhe Mbretin Nikolla, ku nga ai takim në Kotorr, oferta ishte fare e qartë.

Shqipëria ftohej të luftonte në anën e fuqive ballkanike kundër Turqisë dhe në këtë rast, përfitimi i saj do të ishte i madh, por Ismail Qemali e refuzoi takimin me Mbretin Nikolla.

Ajo që nuk është sqaruar asnjëherë deri në shpalljen e plotë të pavarësisë dhe situatat që e sollën, është roli i patrioteve vendas.

Eqerem bej Vlora, kushëri i Ismail Qemalit e një nga figurat e njohura të politikës shqiptare të mëvonshme, në kujtimet e tij të botuara diku në vitet 60-të, sqaron se që në fillim të korrikut 1912 në Shqipëri qenë ngritur komitete për pavarësinë dhe se kushëriri i tij, Syrja bej Vlora kishte mandatin e popullit të Vlorës për një Kuvend Kombëtar, që në muajin gusht 1912.

Ismail Qemali niset për në Bukuresht në fillim të nëntorit 1912, ndërsa me Qamil Pashën nuk arriti asnjë kompromis, me përjashtim të premtimit që nëse Fuqitë Ballkanike hynin thellë në territorin shqiptar, ai të shpallte autonominë dhe Porta e Lartë ta njihte këtë vendim të popullit shqiptar.

Më 3 nëntor 1912, me mbërritjen e tij në Bukuresht, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll, ku kryeqyteti rumun ishte përfshire nga euforia dhe gjithë organizatat shqiptare që vepronin atje qenë të vendosura për pavarësinë.

Në Rumani kishin përgatitur flamurin, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar dhe një bandë muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar; një atmosferë që mbizotëronte mbrëmjen e 5 nëntorit 1912, kur në Hotel “Continental”, ndër më luksozët edhe sot në Bukuresht, filloi mbledhja e përfaqësuesve të kolonive shqiptare dhe delegacionit që vinte nga Stambolli.

Nga studimet e mëvonshme kjo ngjarje në të vërtetë përbën hapin e parë e kryesor për Pavarësinë e Shqipërisë, ku edhe shumë prej pjesëmarrësve aty kane lënë edhe kujtimet e tyre.

Dy ditë më vonë, i përforcuar edhe me katër përfaqësues të Kolonisë së Bukureshtit, delegacioni shqiptar niset Vjenës ku pritej të merrte mbështetjen e diplomacisë së jashtme Austro-Hungareze.

Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, një ndër personazhet më të rëndësishme të politikës shqiptare të mëvonshme tregon se, “në momentin e largimit Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë franga ari, dhuratë e Kryeministrit rumun me prejardhje shqiptare Taqe Jonesku, së bashku me urimet e tij”.

Më tej, delegacioni shqiptar niset drejt Triestes, ndërsa më parë mori garantin e ambasadorit italian Avana, për ti vënë në dispozicion vaporin “Baron Bruck”, ku më datë 18 nëntor 1912, Ismail Qemali kryen edhe disa takime me zyrtarë italianë, ku të nesërmen pritej nisja e tij drejt brigjeve shqiptare.

Por situata në Shqipëri ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej, pasi territori detar ishte patrullohej nga flota greke, ndërsa në qytet, një kompromis i dhespotit Jakov me Myftiun e qytetit i kishin prishur shanset për një kuvend real, ndërsa po atë ditë niset telegrafikisht mesazhi për gjithë delegatët që të mblidhen në Vlorë.

Delegacioni i shtuar rrugës edhe me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe të atyre zonave nga kalonte, mbërriti në mbrëmjen e 27 nëntorit 1912 në Vlorë, ku situata e atjeshme në këtë qytet ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit, duke e përshkruar kështu: “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin tim të lindjes, entuziazmi dhe gëzimi na përshëndesnin kudo. Shkurt, u ndodha i rrethuar nga 83 delegatë, myslimanë e të krishterë, të mbledhur nga çdo anë e Shqipërisë së pushtuar ose jo nga fuqitë ndërluftuese”. Delegacioni u vendos në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit, po ajo

shtëpi ku “plaku i urtë” kishte lindur 71 vjet më parë. Eqerem bej Vlora, nga të paktët dëshmitarë që ka arritur të vizatojë natën në atë shtëpi. “U mblodhëm të gjithë në selamllëk dhe si gjithmonë në këto raste rrëmuja sundonte gjithçka. Problemi ishte se disa krahina nuk kishin dërguar delegatë. Ose ata nuk vinin dot, ose nuk kishte pasur mundësi për t’u bërë mbledhje përfaqësimi. Zgjidhja u gjet vonë, kur u vendos që përfaqësues me autoritet të atyre krahinave, që gjendeshin në Vlorë, të pajiseshim me mandat për në kuvend”.

Pas një fjale të shkurtër të Ismail Qemalit, 40 delegatët e ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë, me vullnet të lirë e pa dallim feje, vendosën që Shqipëria të bëhet me vete, e lirë dhe e pavarur. Procesverbali, origjinali i të cilit fatkeqësisht nuk gjendet, pasqyron gjithë emocionin e atij momenti, duke u ftuar të firmosnin të gjithë, edhe ata që mund ta bënin këtë vetëm në turqisht e tre vetë që ishin analfabetë dhe që e bënë këtë, duke venë gishtin me bojë. 30 minuta më vonë, një përfaqësi u shfaq në ballkonin e shtëpisë së vjetër të Xhemil bej Vlorës.

Flamuri që Spiridon Ilo e kishte sjellë me vete nga Bukureshti dhe që Marigo Pozio e kishte zbukuruar me thekë, u vendos në murin e ballkonit nga vetë Ismail Qemali. Ishte ora 15:12 minuta, e datës 28 nëntor 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë. Një orë më vonë, shteti i ri kishte qeverinë e tij, ku kryetar u zgjodh Ismail Qemali dhe zv. Kryetar, Dom Nikollë Kaçorri. Në datën 1 dhjetor 1912, me përjashtim të Greqisë, të gjitha fuqitë evropiane dhe ballkanike njohën vullnetin e popullit shqiptar për të jetuar “me vete, i lirë dhe i pavarur”.

Disa nga enigmat e pazgjidhura

Megjithatë ende edhe sot, shumë enigma e kanë shoqëruar Pavarësinë e Shqipërisë, kur këtë vit festohet 100 vjetori i saj. Askush nuk e di se ku ndodhet origjinali i aktit të shpalljes së pavarësisë firm
osur pasditen e 28 nëntorit 1912 në Vlorë, ku të gjitha hulumtimet humbin në vitin e largët 1937, ndërsa kopja origjinale ka qenë pronë e Lef Nosit, edhe ai firmëtar i aktit dhe një koleksionist i famshëm i apasionuar nga Elbasani, por që në 1944 ai u pushkatua si kolaboracionist ndërsa koleksionet e tij u shkatërruan.

Por edhe kopja e mbetur që nga 1944, nuk u shfaq e plotë pasi mbi të u montuan dy foto të cilat mbulonin firmën e Mid’hat Frashërit dhe atë të Mustafa Krujës, e për më shumë se 50 vite, e vetmja kopje që pasqyrohej në shtyp dhe në albumet historike, ishte ajo e falsifikuara.

Ende edhe sot askush nuk mund të thotë se sa kanë qenë firmëtarët e aktit të pavarësisë, ku numri i firmave në fund të tekstit nuk përputhet me numrin e delegatëve që përmenden në organin zyrtar të kohës, “Përlindja e Shqipërisë”, e jo të gjithë ata që kanë firmosur kanë arritur të identifikohen, së paku katër firma në turqisht dhe disa të tjera në shqip që nuk dihet se të kujt janë.

Në asnjë arkiv nuk ekzistojnë foto, që e dokumentojë këtë akt, ndërsa fotoja e vetme është ajo që tregon Ismail Qemalin me flamur në dorë, është bërë një vit më vonë, me rastin e 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Pjesa më e madhe e firmëtarëve, protagonistë të shpalljes së pavarësisë nuk patën ndonjë fat për t’u shënuar në shtetin që ata ngritën më 12 nëntor 1912. Madje ata të parët u bënë viktima të tij, përfshi edhe Ismail Qemalin, që e përzunë nga Shqipëria apo i detyruan të bëheshin emigrantë politikë me vite dhe kohë të ndryshme.

E një pjesë që i mbijetoi… u pushkatuan më 1944 nga shteti komunist./TRT

Artikulli paraprakRIKAPITALIZIMI I BANKAVE GREKE ’’VENDIMTAR’’ PËR RIMËKËMBJEN EKONOMIKE
Artikulli vijuesPërditësimi për Galaxy Nexus