Ministria e Brendshme e Britanisë ka ndezur dritën jeshile për pranimin e aplikimeve për azil të anëtarëve të Vëllazërisë Muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).
Në dokumentin e ministrisë të titulluar “informacioni dhe udhëzuesi në lidhje me Egjiptin: Vëllezërit Muslimanë” i cili ka hyrë në fuqi që nga 2 gushti dhe i cili është përgatitur për zyrtarët që shqyrtojnë aplikimet e azilit theksohet se mund të pranohen aplikimet e azilit për anëtarët e Vëllazërisë Muslimane me profil të lartë dhe aktivë poilitikisht.
Në dokumentin udhëzues theksohet gjithashtu se në Egjipt pjesëmarrësit “në protestat kundër grushtit të shtetit mund të jenë të ekspozuar ndaj përndjekjes, arrestimeve, keqtrajtimeve dhe ndëshkimeve pa masë”.
Në udhëzuesin e ministrisë ndër të tjera thuhet se “simpatizantët me profil të lartë të Vëllazërisë Muslimane ose ato që perceptohen se janë të tillë, për shembull edhe gazetarët mund të jenë të rrezikuar nga një përndjekje e tillë. Në këto raste do të jetë e përshtatshme njohja e të drejtës për azil.”
Ndërsa për anëtarët e Vëllazërisë Muslimane me profil të ulët, ata që janë jashtë politikës apo mbështetës pasivë, aplikimet e tyre duhet të shqyrtohen në bazë të rasteve për arsyen se nuk kanë rrezik të përndiqen ngaqë nuk ndodhen në objektivin e regjimit.
Britania kishte refuzuar të përcaktonte Vëllazërinë Muslimane si organizatë terroriste, por në një raport të përgatitur për qeverinë ishte pretenduar se “anëtarësimi në organizatë, lidhjet apo ndikimi nga kjo organizatë mund të jetë tregues i ekstremizmit”.
Organizata e Vëllazërisë Muslimane në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe në Egjipt pranohet si organizatë terroriste.