Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Visar Ymeri, në një intervistë për gazetën “Shekulli” përsëriti qëndrimin e prerë të opozitës dhe të partisë që ai drejton se ndarja e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk duhet të kalojë, sepse Kosovës i merrem më shumë se 8200 hektarë tokë.
Ymeri tha se VETËVENDOSJE do të vendosë në dispozicion të procesit kapacitetin e saj njerëzor e logjistik në funksion të ndalimit të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin.
Pavarësisht debatit të hapur të disa ditëve më parë kur u pa dhe njëherë më shumë se “Demarkacioni” çalon, qeveria vendos të dërgojë projektligjin për votim në kuvend. Janë më shumë 8200 ha nga territori i Kosovës që sipas atyre që kundërshtojnë këtë demarkacion do i kalojnë pa të drejtë Malit të Zi. Cili do të jetë hapi i radhës i opozitës?
Kjo marrëveshje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk është se thjesht çalon, kjo është tërësisht e jashtëligjshme dhe antikombëtare. Është e jashtëligjshme sepse kjo marrëveshje është nënshkruar në kundërshtim me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, të miratuar në 25 qershor 2015, e cila rezolutë e detyronte qeverinë që para se të nënshkruante marrëveshje të tillë të njoftonte Kuvendin.
Ky njoftim nuk ndodhi kurrë, ndaj qeveria ka shkelur ligjin dhe ka kryer një farë puçi institucional, duke e vendosur veten mbi Kuvendin. Kjo në një republikë parlamentare nuk mund të ndodhë. Përveç kësaj, kjo marrëveshje për demarkacion ia zvogëlon territorin Kosovës me së paku 8200 hektarë. Ekspertë të ndryshëm, profesorë e akademikë, gjeografë, gjeodetë, hartografë, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e të kufijve, nga Kosova e Shqipëria, kanë dëshmuar përmes shumë dokumenteve se ky demarkacion është dëmtim i rëndë për integritetin territorial të Kosovës. Harta të të gjitha burimeve, harta të Kosovës, të Jugosllavisë, të vetë Malit të Zi, harta të përdorura zyrtarisht nga agjenci të SHBA dhe BE, të gjitha këto dëshmojnë se demarkacioni nuk është se vetëm çalon, por e gjymton Kosovën në çdo aspekt. Sigurisht, ne nuk jemi kundër një procesi të drejtë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Por ky proces duhet të jetë transparent, në përputhje me ligjet e kushtetutat të dyja vendeve, dhe në përputhje me interesat kombëtare. Ne nuk duam asnjë centimetër tokë që nuk është e jona. Por nuk do të lejojmë të na merret asnjë pëllëmbë e Kosovës së çliruar me gjakun e dëshmorëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta vërë në dispozicion gjithë kapacitetin e saj njerëzor e logjistik në funksion të ndalimit të versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin. Janë 205 mijë qytetarë që kanë hedhur firmën e tyre në peticionin kundër Marrëveshjes; janë organizuar dhjetëra protesta ku qytetarët edhe kanë demonstruar kundërshtimin e tyre; kemi po ashtu debatin e organizuar së fundi në Kuvendin e Kosovës midis Komisionit Shtetëror në njërën anë, dhe profesorëve profesionistëve të fushës në anën tjetër. Qeveria i ka humbur të gjitha argumentet. Pas atij debati çdo laik e ka kuptuar që kjo Marrëveshje është e dëmshme. Të përballur me presionin popullor, koalicioni qeverisës u detyrua ta shtyjë miratimin deri më 1 shtator. Koalicioni i krimit të organizuar i ka humbur të gjitha betejat e zhvilluara rreth kësaj çështjeje deri më tash. Do të humbasin edhe kësaj radhe.
Do të vlejë në këtë rast shprehja, që çdo mjet i përdorur për të ndaluar padrejtësitë do të jetë i ligjshëm?
Nuk ka krim më të rëndë ndaj një vendi se sa cënimi i territorit. Ky është një ligj universal në botën e kombeve e të shteteve, dhe popujt shpallin luftë për të ndalur cënimet territoriale. Prandaj, ne jemi të detyruar t´i kundërvihemi këtij krimi e ta ndalim atë, që të parandalojmë përplasje të tilla e përkeqësime të marrëdhënieve mes dy vendeve. Fatkeqësisht, ligjërimi shqiptar mbi ngjarjet historike është pasiv dhe përtac. Ne u kemi thurur lavdi dëshmorëve, i kemi mallkuar tradhtarët, por këto kontradikta historike i kemi lënë të fjetura athua se po tregojmë përralla mbi një botë imagjinare. Si qëndron politika shqiptare përballë Hasan Prishtinës të cilit i ndërton lapidare gjithandej?!
Mos vallë, dëshmorët po i ngrijmë në bronz pikërisht që kujtimi për veprat e tyre të mbulohet nga vepra e politikanëve që inicuan tenderët e lapidarëve. Nëse midis nesh pajtohemi gjerësisht për vendin e Ahmet Zogut e Esat Toptanit në histori për shkak të pazareve të tyre në dëm të arealit shqiptar, çfarë themi atëherë për ata që nënshkruan Marrëveshjen e Kufirit Detar me Greqinë, apo Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi?! Historia nuk mund të jetë koleksion kronologjik i fakteve. Nëse ka një rol emancipues historia, atëherë ky është përmes aktualizimit të ngjarjeve e figurave në kushtet e rrethanat tona. Demarkacioni nuk duhet të kalojë kurrsesi, sepse Kosova nuk ka tokë për të falur! Demarkacioni nuk do të kalojë sepse Kosovën ka kush ta mbrojë!
Përdorimi i gazit lotsjellës, përveç shtyrjes së marrjes së vendimeve duket se nuk po jep ndonjë efekt frutdhënës, është menduar ndonjë protestë alternative?
Shtyrja e marrjes së vendimeve është më mirë se marrja e vendimeve kriminale kundër kombit. Pra, një farë rezultati ne e kemi pasur, pasi po të mos kishte ndodhur protesta e aksioni në Kuvend kjo marrëveshje kaq e dëmshme do të ishte miratuar që një vit më parë. E kësaj radhe, ne do ta bllokojmë këtë Marrëveshje dhe nga brenda përmes aksioneve të deputetëve, dhe nga jashtë përmes demonstrimit popullor. Ju sigurojmë se kreativiteti nuk do të mungojë e nuk na ka munguar kurrë.
Edhe protestat më të fundit duket se nuk kanë tërhequr shumë vëmendje. Cila është arsyeja e kësaj apatie të opinionit publik sipas jush?
Protesta gjithëpopullore ne si VETËVENDOSJE! nuk kemi thirrur tash sa kohë. Nuk besoj se kemi të bëjmë me ndonjë abstenim popullor karshi ngjarjeve, përkundrazi qytetarët janë çdo herë e më të vëmendshëm. Sa i përket protestave të thirrura në Prishtinë nga shoqëria civile, unë mendoj se kemi të bëjmë me pasivitetin që e sjellin muajt e verës, gjë që ka qenë njëjtë gjithmonë. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se protesta është frymë, por është edhe logjistikë, dije organizative, taktikë e strategji. Është naive të mendosh se mjafton të publikohet një skandal dhe protestat nisin vetë. Neve jemi duke e vënë në punë gjithë trupin tonë të aktivizmit në shërbim të protestave e veprimeve kundërshtuese që do t´i ndërmarrim kundër demarkacionit.
Jeni ende i mendimit se aleanca e opozitës po funksionon dhe do të mund të jetë një forcë qeverisëse e gatshme për të drejtuar vendin?
Në këtë moment e vetmja gjë e rëndësishme për ne është ndalimi i Marrëveshjes për Demarkacionin. Ne po punojmë që rreth kësaj kauze të krijojmë një front sa më të gjerë politik e shoqëror. Por, ne e dimë se me këtë Qeveri vetëm marrëveshje të tilla mund të presim. Andaj, këtë front politik e shoqëror e shohim edhe në perspektivën e ndërtimit të një alternative që do të hapte shtigje e horizonte të reja për të ardhmen e vendit. Jemi të hapur për bashkëpunime, por vetëm aty ku shohim vullnet për punë e për sakrificë në të mirë të vendit.
Sa politika shqiptare po i përgjigjet interesave të vendit, dhe të atyre që e kanë zgjedhur këtë politikë qeverisëse?
Qëndrimi politik i shtetit shqiptar karshi Kosovës dhe çështjes kombëtare përgjithësisht, nuk ka qenë asnjëherë me i avancuar sesa qëndrimet që ka mbajtur faktori ndërkombëtar mbi këto çështje. Kjo vlen për qeverisjet nga të dyja forcat kryesore politike. Por nuk do të duhet të ishte kështu. Pa qenë sentimental dhe pa llogaritur hiç në ndjenja dashurie mes shqiptarëve, me racionalitet të ftohtë ekonomik e social, Kosova e Shqipëria mund të funksionojnë veç si të bashkuara. Si të ndara do të prodhojnë vazhdimisht probleme për veten, për njëra-tjetrën, për rajonin e për Evropën.
Sa më shpejt ta kuptojnë këtë qeveritarët në Shqipëri, aq më mirë do të ishte. Edhe modelet qeverisëse po ashtu lënë shumë për të dëshiruar. Ne po jetojmë në një kohë kur status quoja e konsensusit neoliberal, e mbledhur politikisht rreth qendrës po pëson trandje të pakthyeshme. Kjo doktrinë po e humbë terrenin edhe brenda akademisë. Ne besojmë se alternativa më e mirë tash për tash është koncepti i shtetit zhvillimor. Një zhvendosje e tillë herët a vonë duhet të ndodhë edhe në Tiranë, por fatkeqësisht deri tani e shohim se si ende mbizotëron një e majtë e rrugës së tretë, që s´është gjë tjetër pos një neoliberalizëm i veshur me ngjyrë të purpurt.
Dëmtues të imazhit të Shqipërisë morën shtetësinë Anëtarë të Vetëvendosjes, shtetas shqiptarë të Shqipërisë, ende nuk kanë të drejtë të shkelin në territorin e Kosovës, po ndërmerret ndonjë hap për të ndryshuar këtë vendim?
Është interesant pasiviteti i Qeverisë së Tiranës në këtë drejtim. Shumë prej personave që në Kosovë bëjnë fushata publike e mediatike kundër Shqipërisë, duke ia ulur asaj imazhin e kredibilitetin e duke provokuar shqiptarët e Kosovës me idenë se “Shqipëria nuk i do”, kanë marrë shtetësinë e Shqipërisë prej këtyre qeveritarëve. Ambasada e Kosovës në Tiranë duket tërësisht e pafuqishme ndaj kësaj agjende të rrezikshme që dëshiron të na përçajë kombëtarisht. E në këtë rast, edhe pse Kosova po vepron arbitrarisht ndaj disa qytetarëve shembullorë, intelektualë, të cilët nuk e kanë shkelur asnjë ligj, Tirana hesht me një heshtje të turpshme. Sa i përket Qeverisë së Kosovës, ajo gjithnjë e më shumë po i ngjan qeverive kuislinge që kemi pasur në kushtet e pushtimit. Ne kemi ngritur procese gjyqësore nëpër gjykatat respektive, por pak gjë mund të pritet nga kjo. Gjithsesi, mobilizimi kundër këtij regjimi jep përgjigje edhe për këtë pyetje si për shume pyetje të tjera.