Facebook-u teston opsionin e “listës së dëshirave”

Facebook-u sapo ka nisur testimin e një opsioni të ri në faqen e tij, pikërisht atë të krijimit të “listës së dëshirave” që do t’u mundësojë përdoruesve të regjistrojnë imazhe të produkteve të tyre të preferuara, duke klikuar “want”.

Këto produkte mund të jenë veshje, orendi shtëpiake etj. Përmes këtij opsioni, pritet që të hidhet një hap tjetër përpara në fushën e tregtisë elektronike.

“Njerëzit do të kenë më tepër mundësi të angazhohen, të krijojnë koleksionet e tyre dhe t’i ndajnë ato me miqtë e Facebook-ut. Këto artikuj mund edhe të blihen,” shkruante faqja në një deklaratë për publikun.

Facebook-u shpreson që ky version të ndikojë në rritjen e aksioneve të kompanisë

Një zëdhënëse e kompanisë tha se Facebook-u nuk do të përfitojë asgjë nëse përdoruesit blejnë një artikull nga “lista e dëshirave”.

Ky opsion i ri do ta ndihmojë kompaninë edhe të ringrihet në bursë, pas luhatjeve që ka pësuar muajt e fundit.Aksionet e Facebook-ut tregtoheshin ditën e hënë me 20.40$.

Ndërkohë, opsioni i ri “want” do të shfaqet së shpejti për të gjithë përdoruesit amerikanë.

Disa prej tyre do të kenë mundësi ta shohin atë edhe gjatë fazës së testimit, ndërsa një pjesë tjetër mund të marrin ftesa për të “grumbulluar” dhe “pëlqyer” artikujt të ndryshëm. (PCWorld Albanian)

Artikulli paraprakSHBA-presidencialet, Obama kryeson pas debatit të dytë
Artikulli vijuesHoxhaj: Kosova e gatshme për dialog me Serbinë