Kijeni frikë Allahun e Madhërishëm, i Cili ju zbukuroi me petkun e besimit, dhe mirësitë e të Cilit vazhdimisht zbresin mbi ju. Dijeni se të devotshmit janë pikërisht ata me gjendjen më të mirë në këtë botë dhe janë ata që do të kenë ardhmërinë më të lumtur në botën tjetër. Thotë Allahu: “…atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen” dhe: “…atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e liga dhe do t’ia rrisë shpërblimin”. (Et-Talak, 4-5)
“Nëse zgjedh dikë dhe e merr për mik të ngushtë
Atëherë, vetëm për hir të Gjithëmëshirshmit le të jetë vëllazëria,
Mos barazo asgjë me devotshmërinë
Dhe largohu nga lajthitja e përtacia,
Eh, si ka mundësi që gëzohesh me jetën,
Kur ditët e saj janë të numëruara” (Vargje poetike).
Vëllezër muslimanë!, vërtet, Allahu i Lartësuar jua ka dhuruar një gjymtyrë të rëndësishme dhe një mjet komunikimi madhështor. Kjo gjymtyrë ka dobi të panumërta dhe qëllime të larta. Mirëpo, megjithëkëtë, paraqet një rrezik aktiv dhe real për njeriun si në këtë botë, ashtu dhe në botën tjetër. Kjo gjymtyrë është gjuha.
Transmeton Tirmidhiu nga Ebi Se’id el–Hudri se Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur zgjohet njeriu, të gjitha gjymtyrët e tij i kthehen e i nënshtrohen gjuhës duke i thënë: “Ki frikën Allahut lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthitë, edhe ne kemi lajthitur”.
Gjithashtu transmeton Tirmidhiu nga Mu’adh ibën Xhebeli se Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i tha atij: “Zotëro me këtë (d.m.th gjuhën tënde)” Atëherë, Mu’adhi i tha: “O i Dërguar i Allahut! A do të merremi në përgjegjësi për atë që flasim?!” Pejgamberi (sallallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Mos të pastë nëna, o Mua’dh! Po a i përmbytë njerëzit në zjarrin e xhehenemit gjë tjetër përveç pasojave të gjuhëve të tyre?!” Përmes kësaj, na qartësohet se, kush zotëron me gjuhën e vet dhe e ruan atë që të mos bie në gjynahe dhe gabime, është më meritori për Kënaqësinë e Allahut, më i largëti nga Hidhërimi i Tij dhe më i ruajturi nga rrugët e shejtanit.
“Nëse të pëlqen heshtja
Atëherë, dije se edhe njerëzve të mirë para teje u pëlqeu.
E, nëse je pishman që nuk ke folur njëherë
Kujto sa shpesh je penduar nga fjalët që ke folur.
Vërtet, heshtja është shpëtimSa armiqësi e dëme ka mbjellë njeriu me të folur” (Vargje poetike).
Sa armiqësi i ka ndezur kjo gjuhë,…! Sa mjerime i ka lëne pas…! Sa njerëz të dashur e lidhur fort i ka ndarë…! Sa posedues të saj i ka poshtëruar…! Sa njerëzve ua ka obliguar Zjarrin dhe i ka ngarkuar me gjynahe e vepra të liga aq shumë, saqë nuk mundën t’i bartin…!
Nëse kjo gjuhë është kaq e rrezikshme, atëherë njohja e sëmundjeve dhe dëmeve të saj është skajshmërisht e domosdoshme, në mënyrë që t’i marrim shkaqet e shpëtimit dhe të largohemi praj atyre sëmundjeve e dëmeve, gjithmonë duke zbatuar fjalën e Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Zotëro me gjuhën tënde”, siç transmeton Tirmidhiu në hadithin e U’kbeh ibën Amir (radijallahu anhu).
Prej dëmeve më të mëdha të gjuhës është rënia në shirk dhe kufër. Ka mundësi që njeriu të dalë nga feja me një fjalë të vetme, pastaj ajo bëhet shkak për qëndrimin e tij të përjetshëm në zjarrin e xhehenemit. Allahu thotë: “…por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit dhe mohuan pas (pranimit të) Islamit…” (Et-Teube 74).
Prej dëmeve shkatërrimtare të saj dhe sëmundjeve të rënda është të folurit për Allahun pa dije dhe nxitimi në dhënien e përgjigjeve (fetuave) pa kurrfarë kuptimi të fesë dhe pa qenë meritorë për një gjë të tillë. Allahu thotë: “Dhe mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndalur”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë”. (En-Nahl 116).
Prej dëmeve e rreziqeve të gjuhës është edhe dëshmia e rreme, e cila njëkohësisht ështëprej gjurmëve më të këqija të saj, dhe gati sa nuk është barazuar me shirkun. Tr. Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Bekrete (radillahu anhu) se Pejgamberi ka thënë (tri herë): “A t’ju tregoj për gjynahun më të madh?” Ne i thamë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut”. Tha: “Shirku dhe sjellja e keqe me prindërit”. Pasi ishte shtrirë, u ul dhe tha: “Ta dini se gjithashtu edhe rrena”, dhe vazhdoi ta përsëriste këtë, derisa thamë: “Sikur të ndalej!”
Dhe prej veseve më të ulëta e më të qortuara të saj, të cilat tërheqin pas vete gjynahun dhe ndërpresin dashurinë e afërsinë mes njerëzve janë: rrena, përgojimi dhe bartja e fjalëve. Dhe ja, Pejgamberi u bënë thirrje atyre që janë sprovuar me një gjë të tillë: “O ju që besimin e keni vetëm në gjuhë dhe nuk ka depërtuar në zemrat tuaja, mos i përgojoni muslimanët!”, siç transmeton Ebu Daudi nga Ebi Berzete el-Eslemij (radijallahu anhu). I mençur dhe i zgjuar është ai që merr mësim prej kësaj porosie të Pejgamberit dhe largohet nga përgojimi i muslimanëve. E, nëse ka mosmarrëveshje apo grindje me ndonjë vëlla musliman, dhe shejtani ia hijeshon të keqen dhe gjuha e tij është gati të përgojojë apo të bartë fjalë, atëherë le të përkujtojë ndëshkimin e rëndë, në mënyrë që të largohet nga përgojimi dhe bartja e fjalëve. Pejgamberi thotë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që bartë fjalë mes njerëzve”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Hudhejfe, radijallahu anhu).
Ndërsa në hadithin të cilin e transmeton Ebu Daudi nga Enesi (radijallahu anhu), Pejgamberi (sal-lallahu laejhi ue se-lem) thotë: “Kur më ngritën në Mi’raxh, hasa në njerëz që kishin thonjtë nga bakri, me të cilët i lëndonin fytyrat dhe gjokset e tyre. Unë thashë: “Kush janë këta, o Xhibril?” Tha: “Janë ata që kanë ngrënë mishin e njerëzve dhe kanë dëmtuar nderin e tyre”.
Ka prej njerëzve që janë sprovuar me besim të dobët dhe me moszotërim të gjuhës, kështu që të gjitha ambiciet, fuqitë dhe kohët e tija i drejton në fyerje të të tjerëve, në akuza, në përgojim dhe në bartje fjalësh.
Vëllezër muslimanë! Prej dëmeve dhe rreziqeve më të mëdha të gjuhës është edhe tallja, përqeshja me fe dhe me pasuesit e saj, pa marrë parasysh se a bëhet kjo përmes shkrimeve, vizatimeve apo fjalëve të ndyta e të ulëta. Allahu thotë: “…thuaj: “A mos vallë me Allahun, me shpalljet dhe me të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju mohuat fenë pasi patët besuar…” (Et-Teube 65-66).
Gjithashtu, prej dëmeve të saj është akuzimi i grave të ndershme, zemërdëlira e besimtare; njëkohësisht kjo konsiderohet prej shtatë gjynaheve më të mëdha. Allahu thotë: “Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën. Për ta ka dënim të madh ditën që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë” (En-Nur 23-24).
Ibën Kajimi thotë: “Prej gjërave të çuditshme është kur sheh se njeriut i vjen lehtë të ruajturit nga shumica e harameve, ndërsa i vjen shumë rëndë ruajtja e lëvizjeve të gjuhës së tij. Kështu, sheh njeri që të gjithë bëjnë me gisht drejt tij, për shkak të fesë, asketizmit dhe adhurimit të tij, ndërsa ai flet me fjalë që e hidhërojnë Allahun dhe të cilave nuk ua kushton fort vëmendjen; rrëshqet me një fjalë të vetme më larg se distanca ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.
“Ki kujdes nga gjuha jote, o njeri, të të mos thumbojë, se ajo është gjarpri.
Sa njerëz që janë në varre i ka vrarë e që takimit me ta ia kishin drojën edhe
burrat guximtarë” (Vargje poetike).
Kijeni frikë Allahun, vëllezër muslimanë, dhe dijeni se jeni nën Mbikëqyrjen e Tij. Kush e ka frikë Allahun, sigurisht se do të triumfojë me Dashurinë e Tij! Allahu thotë: “Padyshim se kushdo që përmbush premtimin, e çon në vend amanetin dhe i frikësohet shumë Allahut, atëherë, me të vërtetë që Allahu i do shumë ata që janë të devotshëm” (Al-Imran, 76).
Gjeneratat e para të muslimanëve ishin shembulli më i mirë në zbatimin e urdhrave të Allahut dhe në ruajtjen e gjuhës dhe të gjymtyrëve të trupit nga gjynahet dhe lëshimet. Ky është Reb’i ibën Hajthem, i cili, kur zgjohej, merrte një fletë e një laps dhe nuk fliste me ndonjë fjalë, veçse e shkruante. E, kur vinte nata, ndalej dhe llogariste veten. Kështu ishin ata… Llogaritnin veten e tyre para se të vjen Dita e Pikëllimit dhe e Pendimit. Për këtë arsye, thotë njëri nga shokët e Rebi’it: “E kam shoqëruar Rebiun më shumë se njëzet vjet dhe kurrë nuk kam dëgjuar prej tij ndonjë fjalë e cila do t’i merrej për të madhe”.
“A nuk e sheh se luanit ia kanë frikën, edhe pse është i heshtur,
Ndërsa qenit s’i frikësohen, edhe pse leh?” (Vargje poetike).
Thotë Hasen el- Basriu: “Sa e çuditshme është çështja e birit të Ademit! Dy ruajtës i ka te koka e tij. Gjuha e tij është lapsi i tyre. Pështyma e tij është ngjyra me të cilën shkruajnë. Ndërsa mes gjithë kësaj flet për çështje që nuk i hyjnë në punë”.
Dhe Umeri (radijallahu anhu) thotë: “Kujt i shpeshtohen fjalët, i shpeshtohen lëshimet. Kujt i shpeshtohen lëshimet, i shpeshtohen gjynahet. Kujt i shpeshtohen gjynahet, Zjarri është që më së shumti i shkon përshtati”.
Kështu që kijeni frikë Allahun, vëllezër muslimanë, dhe ruajini gjuhët tuaja nga çdo gjë që i njollosë ato. Shpeshtoni përmendjen e Allahut ashtu siç edhe ka urdhëruar: “…dhe Zotin tënd përmende shumë dhe lavdëroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes”. (Al-Imran 41).
E lusim Allahun e Lartësuar që të na i pastrojë gjuhët tona nga rrena dhe nga gjynahet, dhe zemrat tona nga kurthet e mashtrimi, dhe të na i pastrojë sytë tanë nga tradhtia dhe shikimi mëkatarë e tinëzar! Amin!